Albert Vataj
José Mujica, presidenti i Uruguajt, jetoi me thjeshtësi në një epokë të dehur pas luksit dhe fasadës, nuk ishte thjesht një politikan ndryshe; ai ishte një dëshmi e gjallë se dinjiteti i njeriut nuk matet me atë që zotëron, por me atë që është. Kur ai thoshte: “Mos ki turp të veshësh të njëjtat rroba, të mos kesh modelin e fundit të celularit apo të udhëtosh me një makinë të vjetër. Turp është të pretendosh të jesh dikush që nuk je”, ai nuk artikulonte një slogan moralizues, por një filozofi jete të farkëtuar në përvojë, sakrificë dhe vetëdije.
Në një botë ku njeriu po shndërrohet gjithnjë e më shumë në vitrinë, ku identiteti matet me marka, me dukje dhe me aftësinë për të konsumuar, Mujica e riktheu vëmendjen tek thelbi, tek e vërteta e qenies. Ai e dinte se luksi më i madh është liria për të mos qenë skllav i opinionit të të tjerëve. Sepse shumë njerëz nuk blejnë gjëra nga nevoja, por nga frika se mos duken më pak se të tjerët. Dhe pikërisht aty fillon varfëria më e madhe, kur njeriu humbet vetveten duke u përpjekur të duket dikush tjetër.
Fjala e Mujicës godet fort kulturën moderne të imitimit. Shoqëria e sotme e ka kthyer jetën në një garë ekspozimi, ku njerëzit lodhen për të ndërtuar një imazh që shpesh nuk përputhet me shpirtin e tyre. Rrobat, makinat, telefonët, pushimet luksoze janë bërë jo rrallë mjete për të fshehur boshllëkun, pasigurinë apo nevojën për pranueshmëri. Në këtë teatër të madh të dukjes, autenticiteti është bërë akt guximi.
Mujica jetonte në një fermë modeste, ngiste një Volkswagen të vjetër dhe dhuronte pjesën më të madhe të pagës së tij si president. Ai nuk e predikonte thjesht thjeshtësinë; ai e jetonte atë. Dhe kjo e bënte fjalën e tij të kishte peshë morale. Sepse njerëzit mund të harrojnë shumë gjëra nga politikanët, por nuk harrojnë kurrë kur fjala dhe jeta ecin bashkë.
Mesazhi i tij është një thirrje për çlirimin e njeriut nga diktatura e konsumit dhe nga nevoja për të impresionuar. Të veshësh të njëjtat rroba nuk është varfëri; është ndoshta zgjedhje për të mos e varur vlerën tënde tek garderoba. Të përdorësh një makinë të vjetër nuk është turp; turp është të jetosh mbi mundësitë e tua vetëm për të ushqyer krenarinë e rreme. Të mos kesh modelin më të ri të celularit nuk të bën më pak të vlefshëm; përkundrazi, mund të të bëjë më të lirë nga ankthi i krahasimit.
Në thelb, José Mujica na kujton se njeriu humbet dinjitetin jo kur ka pak, por kur heq dorë nga vetja për t’u dukur më shumë. Dhe ndoshta kjo është një nga të vërtetat më të mëdha të kohës sonë, se autenticiteti është pasuria më e rrallë, ndërsa thjeshtësia, kur buron nga vetëdija dhe jo nga pamundësia, është një formë fisnikërie.
Turp të kesh, që ke turp nga ajo që ti je!











