Albert Vataj
Në Parisin e viteve 1840, poeti, kritiku dhe një nga figurat më transformuese të letërsisë botërore, Charles Baudelaire ishte një frekuentues i rregullt i “Club des Hashischins”, ku mendjet më të ndritura të epokës eksperimentonin me gjendje të alteruara të vetëdijes për të shtyrë kufijtë e artit të tyre. Ai ishte një njeri që jetonte në tensionin mes bukurisë dhe kalbëzimit, i njohur veçanërisht për veprën “Lulet e së keqes”, aktin krijues që lëkundi nga themelet moralin puritan francez. Për Baudelairein, dehja nuk ishte thjesht çështje kënaqësie apo shfrenimi, ajo ishte një mënyrë për të zhveshur maskat shoqërore dhe për të nxjerrë në pah të vërtetat e fshehura të qenies.
Ai shprehej se: “Një njeri që pi vetëm ujë ka një sekret për t’ua fshehur bashkëqytetarëve të tij.”
Kjo nuk ishte aq një sulm ndaj kthjelltësisë, sesa një vëzhgim mbi cenueshmërinë njerëzore. Baudelaire besonte se kur humbasim frenat dhe rezervat tona, ne zbulojmë vetveten e vërtetë. Ata që nuk lejojnë kurrë veten të ulin gardën, sipas tij, mbartin një botë të brendshme që kanë frikë t’ia zbulojnë botës. Ai e shihte njeriun që pi vetëm ujë si dikë që ruan me kujdes një fasadë përsosmërie, për të fshehur një të vërtetë më të thellë, ndoshta edhe më të errët.
Por pyetja që mbetet pezull është kjo:
A kërkon ndershmëria e vërtetë humbjen e kontrollit, apo heshtja është maska më e përsosur që njeriu ka shpikur ndonjëherë?
Kësisoj depërtojmë në një shtresë më të thellë filozofike dhe ekzistenciale, sepse te dehja nuk është vetëm alkool, hashash apo ekstazë shqisore, ajo është një revoltë kundër barrës së vetëdijes. Baudelaire e ndiente modernitetin si një lodhje të shpirtit, një qytetërim ku njeriu mëson të luajë role, të fshehë ankthin, të maskojë zbrazëtinë me etikë, sjellje dhe korrektësi. Prandaj ai kërkon çarje në këtë mur kontrolli. Dehja, për të, ishte një mënyrë për të rrëzuar policinë e brendshme të privimeve që censuron shpirtin.
Baudelaire sakaq nuk po lavdëronte vesin, por çastin kur njeriu pushon së qeni një konstrukt i kalkuluar shoqëror. Në kthjelltësinë tonë të përditshme ne shpesh jemi administratorë të vetvetes, kontrollojmë gjuhën, emocionet, dëshirat, madje edhe dhimbjen. Ne jetojmë të reduktuar në limite që mbajnë të burgosur tërësinë e qenies. Dhe pikërisht këtë mosgabim të vazhdueshëm ai e konsideronte një formë hipokrizie moderne. Dehja, në kuptimin baudelairian, nuk ishte gjithmonë humbje e arsyes, ajo ishte çlirimi i një të vërtete që zakonisht mbahet e burgosur nga frika e gjykimit.
Kjo është arsyeja pse fjalia e tij tingëllon ende provokuese, sepse ajo nuk flet për alkoolin, por për maskat. Njeriu që ‘pi vetëm ujë’ bëhet metafora e atij që nuk pranon kurrë të ekspozohet, që ruan me fanatizëm imazhin e vet, që nuk lejon asnjë çarje nga ku të duket brishtësia e shpirtit dhe vëretësia jetësore.
Por këtu lind edhe kundërshtimi i madh, a është vetja jonë e vërtetë ajo që del në dehje, apo thjesht një version nga ndrydhja e impulseve tona? Sepse ndonjëherë kthjelltësia nuk është maskë, por dinjitet. Heshtja nuk fsheh gjithmonë errësirë, ndonjëherë ajo është forma më fisnike e vetëpërmbajtjes.
Dhe pikërisht këtu Sigmund Freud do të hynte në këtë debat për ta përmbysur krejt moralin e dukjes. Për Freudin, ajo që njeriu ndryll, e mbyt brenda vetes, nuk zhduket, ajo zbret në nëndijen e tij dhe vazhdon të jetojë aty, e deformuar, e shtrembëruar, shpesh e shndërruar në ankth, neurozë apo krizë psikologjike. Qytetërimi, sipas tij, ndërtohet mbi shtypjen e impulseve, por pikërisht kjo shtypje bëhet edhe burimi i patologjive moderne. Njeriu që kontrollon gjithçka, që nuk lejon asnjë çarje në fasadën e vet, mund të mos jetë më i virtytshmi, por më i burgosuri i vetvetes.
Në këtë kuptim, Baudelaire dhe Freud takohen në një pikë të errët, të dy dyshojnë te njeriu që nuk rrëzohet kurrë, që nuk humbet kurrë kontrollin, që nuk zbulon asnjë dobësi. Sepse ajo që fshihet vazhdimisht nga bota, herët a vonë fillon të helmojë shpirtin nga brenda. Dhe ndoshta maska më e rrezikshme nuk është ajo që i vendosim të tjerëve, por ajo me të cilën arrijmë të mashtrojmë veten.











