Nga Albert Vataj
Historia e artit i ka të rrallë këta precedentë, ku një detaj i vetëm të rrëmbejë famën e kryeveprës me një forcë kaq asgjësuese dominimi, duke e zhvendosur përjetimin e adhuruesit në një dimension pesëshekullor magjepsjeje. Kerubinët në pikturën “Sistine Madonna” (1512) të mjeshtrit të madh të Rilindjes, Raphael Urbino, janë sot pa dyshim engjëjt më të famshëm në historinë e pikturës botërore.
Po ta shohësh me vëmendje këtë pikturë sublime, konstaton fare lehtë se këta dy kerubinë të mbështetur në parapetin e poshtëm ngjajnë më shumë si një soditje e hutuar e dy fëmijëve realë jashtë kornizës, sesa si elementë me lidhje organike e solemne me tërësinë e komponentëve të këtij vizioni hyjnor.
Gjeneza e një vështrimi: Mes gojëdhënës dhe çastit të frymëzuara
Sipas një artikulli të vitit 1912, të publikuar në revistën “Fra Magazine”, treguesit e historisë së artit përmendin një anekdotë magjepsëse mbi lindjen e këtij detaji. Ndërsa Raphaeli po punonte mbi pikturën e tij ikonike, një nga Madonat më komplekse e përmbushëse të jetës së tij, gjatë një seance pozimi, modelen e shoqëronin fëmijët e saj të vegjël. I rraskapitur por i apasionuar, piktori u godit papritur nga përkushtimi, kureshtja e pafajshme dhe prehja soditëse e atyre vogëlushëve që po ndiqnin me vëmendje lëvizjet e penelit.
Ndërsa puna po i afrohej përfundimit, Rafaelit i lindi ideja gjeniale, ta jetësonte atë vështrim të pafajshëm, atë manifestim sa hetues ashtu edhe të mbushur me ëndje fëmijërore, pikërisht në bazën e altarit piktoresk. Mjeshtri ndoshta nuk e parashikonte se ky detaj i shtohej pikturës do të kthehej në një fenomen më vete, diçka që do ta bënte “Sistine Madonna-n” vendmbërritje adhurimi, duke i kthyer këta dy kerubinë në imazhin më të riprodhuar e më joshës të përfytyrimeve biblike në kulturën popullore.

Gjithnjë në kërkim të deshifrimit të së bukurës, historiani i artit Rolf Toman, në veprën e tij “Arti i Rilindjes Italiane: Arkitekturë, Skulpturë, Pikturë, Vizatim”, nërmend se:
”Një nga pikturat më të diskutuara dhe më të pëlqyera të Rilindjes është e ashtuquajtura ‘Sistine Madonna’ e Raphaelit. Për shumë njerëz ajo mbetet shembulli suprem i pikturës perëndimore dhe popullariteti i saj është pothuajse aq i madh sa ai i Mona Lizës. Të gjithë ata që kanë shkruar për këtë vepër kanë pranuar shprehjet e çuditshme dhe përthithëse të përdorura nga Maria dhe fëmija Jezus, edhe pse përpjekjet për të deshifruar kuptimin e tyre kanë qenë shpesh evazive, një përbërje vizionare piktoreske.”
Kjo kryevepër u porosit fillimisht nga Papa Julius II, i cili vinte nga familja e fuqishme fisnike Della Rovere. Mendohet se Papa e kërkoi këtë pikturë për kishën e manastirit të San Sistos në Piacenza, një vendqëndrim që lidhej ngushtë me mbrojtësin e familjes së tij, Shën Sixtusin.
Arkitektura e kompozimit shpalos Virgjëreshën Mari që ecën mbi re ndërsa mban Fëmijën Krisht, e rrethuar nga Shën Sixtus, i cili tregon me dorë drejt nesh, drejt besimtarëve, dhe Shën Barbara, e cila ul vështrimin me përulësi. Por krejt në fund të skenës, mbi një tra të drunjtë që ndan botën tonë tokësore nga ajo hyjnore, rrijë dy kerubinët e vegjël. Shprehja e fytyrës së tyre lëviz mes një mërzie fëmijërore, një plogështie të ëmbël dhe një padurimi të heshtur, sikur të jenë të etur të përfundojnë detyrat e tyre të shenjta për t’iu kthyer lojërave të tokës.
Në shekullin e XVIII, më 1754, pas një periudhe të gjatë në altarin e kishës në Piacenza, piktura u ble nga mbreti Augustus III i Saksonisë dhe u zhvendos në Gjermani. Sot, kjo tabllo magjepsëse qëmtohet me adhurim në muzeun Gemäldegalerie Alte Meister në Dresden, ku kerubinët vazhdojnë të mbledhin vizitorë nga e gjithë bota.
Ja se çfarë është në gjendje të bëjë arti i madh, ai sfidon shekujt duke transformuar një prani të thjeshtë tokësore në një shenjtërim të përjetshëm. Njeriu, sado i evoluar dhe i rafinuar të jetë sot në perceptimin e shijeve estetike, mbetet sërish i mbërthyer nga ai vështrim i ngulmët engjëjsh. Kerubinët e Raphael kanë krahët e qiellit, por dëshirimin e shpirtit e rrëmbejnë përmes butësisë, lehtësisë dhe ëmbëlsisë njerëzore të shikimit të tyre.











