Nga Albert Vataj
Thellë në kohë dhe thekshëm në rrokaqiejt e zotërimit të pafundsisë, prej atje ku trajtat e mistershme rreken të thonë atë që ende nuk jemi gati ta dëgjojmë, marrin trajtë pëshpërimat e një hiri që kërkon prehje dhe adhurim. Hapa të largët i përpin nata e harrimit, por ne arrijmë të dëgjojmë zërat që zgjohen, të pikasim vegimet e vagullta që shquhen dhe të marrim frymë thellë në çstet që na lënë pa frymë.
Aty ku koha ka mbyllur sytë nën pluhurin e shekujve, në thellësinë e mistershme të Tombës 1 në Calakmul, arti i lashtë maja, ka lënë një prej dëshmive më mahnitëse të përjetësisë. Maska e Calakmulit nuk është thjeshtë një objekt arkeologjik, ajo është një portë e hapur drejt kozmosit, një kryevepër e punuar midis viteve 660 dhe 750 m.s., e cila ruajti për më shumë se 1200 vjet sekretin e një sundimtari të cilit historia ende s’ia ka shqiptuar dot emrin.
Pasi u zgjua nga gjumi i gjatë më 12 dhjetor 1984, kjo maskë zbuloi një mjeshtëri që kapërcen thjesht artizanatin. Ajo nuk është gdhendur nga një bllok i vetëm guri, por është thurur si një mozaik shpirtëror prej 57 teselash jadeiti, të bashkuara me saktësi kirurgjikale dhe të plotësuara me xixëllimin e zi të obsidianit e bardhësinë e guaskës.
Në vizionin e thellë të qytetërimit maja, çdo material bartte me vete një frymëmarrje të perëndive.
Jadeiti (Guri i Përjetësisë), më i çmuar se ari, ai nuk përfaqësonte thjesht pasurinë, por ujin, pjellorinë e tokës, lagështirën jetëdhënëse dhe vetë frymën vital (ik’). Të mbulosh fytyrën e një sundimtari të vdekur me jadeit nënkuptonte dhënien e një frymëmarrjeje të dytë, një garanci për rilindjen e tij në botën e përtejme.
Vathët në formë luleje, të gdhendura si lule me katër petale, ato nuk janë thjesht stoli, ato janë gjeometria e universit. Çdo petal përfaqëson një nga katër anët e horizontit, ndërsa qendra lidh tokën me qiellin dhe nëntokën. Sundimtari që mban këtë maskë bëhet kështu boshti i botës (axis mundi).
Obsidiani dhe guaska, sytë e maskës, të krijuar nga kontrasti midis errësirës profetike të obsidianit dhe dritës mbrojtëse të guaskës detare, i japin fytyrës një vështrim që duket se nuk sheh kohën, por përjetësinë.
Për majat, vdekja e sovranit nuk ishte një fund, por një udhëtim sfidues përmes Xibalba-s (nëntokës) drejt transformimit hyjnor. Maska shërbente si një “fytyrë e re”, me të cilën ai do të paraqitej përpara perëndive. Përmes saj, njeriu i paktë dhe kalimtar zhvishej nga kufizimet e mishit dhe vishej me pavdekësinë e gurit të gjelbër.
Sot, kjo kryevepër pushon në Muzeun e Arkitekturës Majane (Baluarte de la Soledad) në Campeche, por forca e saj mbetet e patundur. Kur e vështron atë mozaik të gjelbër, nuk po shikon punën e një skulptori të panjohur, por sheh tentativën më sublime të njeriut për t’i dhënë formë të dukshme të padukshmes, për të kthyer hirin në dritë dhe për t’i rezistuar harrimit.











