Albert Vataj
Fabula e bretkosës në ujin që zien është, në thelb, një metaforë e fuqishme e njeriut modern. Ajo nuk flet thjesht për paaftësinë për të reaguar ndaj rrezikut, por për tragjedinë e përshtatjes së vazhdueshme me atë që gradualisht na shkatërron. Në këtë kuptim, ajo na kujton atë që Friedrih Niçe e shihte si rrezikun më të madh të njeriut: jo dhimbjen, por mësimin për të jetuar me të, derisa ajo të bëhet mënyrë ekzistence. “Ai që ka një pse për të jetuar,” shkruante ai, “mund të përballojë pothuajse çdo si.” Por çfarë ndodh kur njeriu humbet jo vetëm arsyen për të luftuar, por edhe aftësinë për ta kuptuar se po fundoset?
Nëse vendosni një bretkosë në një tenxhere me ujë të nxehtë, ajo do të kërcejë menjëherë jashtë. Instinkti e paralajmëron për rrezikun. Por nëse e vendosni në ujë të ftohtë dhe temperaturën nisni ta ngrini ngadalë, bretkosa përshtatet. Trupi i saj harmonizohet me ngrohjen graduale, derisa një çast arrin ku nuk ka më as forcë për t’u përshtatur, as energji për të shpëtuar. Ajo vdes jo vetëm nga uji që zien, por nga koha e tepërt që ia kushtoi përshtatjes.
Kjo është ndoshta një nga alegoritë më të sakta të kohës sonë. Ne nuk shkatërrohemi gjithmonë nga katastrofat e menjëhershme, shpesh na vret ngadalësia e degradimit. Përshtatemi me padrejtësinë, me varfërinë shpirtërore, me marrëdhënie që na rrënojnë, me rutinën që na mpin, me frikën që na bën të heshtim. Dhe duke u përpjekur të mbijetojmë brenda asaj temperature që rritet çdo ditë, humbasim fuqinë për të reaguar.
Albert Camus do ta quante këtë “zakoni i absurdit”. Njeriu mësohet me burgun e vet, derisa ai burg të duket normalitet. Ndërsa Hannah Arendt, duke folur për “banalitetin e së keqes”, paralajmëronte se katastrofat më të mëdha njerëzore nuk vijnë gjithnjë nga demonët, por nga njerëzit që mësohen me të papranueshmen dhe ndalojnë së menduari kritikisht për të.
Ne nuk jemi bretkosa, por shpesh fati i saj na përngjan. Natyra, shoqëria, edukimi, madje edhe vetë frika jonë, na mësojnë më parë të përshtatemi sesa të rebelohemi. Shpenzojmë energji të pafundme për të justifikuar një gjendje, për të gjetur arsye pse “nuk është ende koha”, pse “gjërat do të ndryshojnë vetë”, pse “duhet duruar edhe pak”. Dhe kështu, pa e kuptuar, durimi shndërrohet në paralizë.
Erich Fromm shkruante se njeriu modern shpesh heq dorë nga liria në këmbim të sigurisë. Ne zgjedhim komoditetin e njohur, edhe kur ai na mbyt, sepse e panjohura na tremb më shumë se vuajtja e zakonshme. Prandaj preferojmë vaskën e ngrohtë të rehatisë personale, ku gjithçka duket në rregull, familja, puna, rutina, kënaqësitë e vogla, privilegjet e zakonshme. Nuk duam të dalim jashtë, sepse nata është e ftohtë dhe e paparashikueshme. Harrojmë se pikërisht jashtë asaj vaske fillon jeta e vërtetë.
Por kjo metaforë nuk flet vetëm për rehati. Ajo flet edhe për rrënimin. Për njeriun që një ditë e gjen veten të fundosur në një divan të vjetër, mes alkoolit, lodhjes dhe dorëzimit. Për atë që e shtyn jetën ditë pas dite, duke pritur një mrekulli që nuk vjen. Për atë që humbet aspiratat jo sepse nuk luftoi, por sepse u lodh duke u përshtatur me zhgënjimin.
Viktor Frankl, i cili mbijetoi kampet naziste, thoshte se njeriu nuk shkatërrohet kur humbet gjithçka, por kur humbet kuptimin. Dhe ndoshta pika e vlimit të shpirtit është pikërisht ai çast kur njeriu pushon së besuari se mund të ndryshojë diçka.
Fabula e bretkosës është gjithashtu metafora e marrëdhënieve toksike, e sistemeve shtypëse, e shoqërive që normalizojnë padrejtësinë. Askush nuk hyn menjëherë në ferr. Ferri nxehet gradualisht. Dhe tragjedia më e madhe është se njeriu, duke u përpjekur të mbijetojë brenda tij, fillon ta quajë atë shtëpi.
Në fund, pyetja nuk është nëse uji po zien. Pyetja është, a kemi ende forcën, kthjelltësinë dhe guximin për të kërcyer jashtë para se të jetë vonë?











