N’andje t’amëlta galdimesh,
vi tek’këtu,
Ku njajo prani e jotja kridhet,
n’paqtinë e hyjnimit,
Si n’t’andërrtat dëshirime e prehje,
ku e epërmja epet.
N’parvazin e dritartes,
ku frymshëm zgjimi thrret me za jehone,
Çukit me sqepin e nji këndimi rrezesh,
dita e shendun kandjeve,
Shpërthen n’vezullime rrezja,
qi ngjyrshëm n’ty pahet e andrrallet.
Ardhun n’përkundjen dritet kam
e t’shoh hutueshëm e përpushem hokash,
si nji zog lodërtar,
N’gemin e pemës qi harlisja e pranverës,
e ka pru te xhami ku gishat e tuj prej flladi,
n’hukamë shkruejn fjalë t’pathana,
Po, teknjaty,
ku hana mramjeve pahet e mrekullohet.
Beftaz, ti synat e kthjellt si loti çil,
e dritshëm kqyr kah drita sheh,
Prapon shkujdesshëm mbulesat e gjumit,
si fara zhguallin kur gufimi e thërret,
e krahët e pupëlt shplon n’eter,
Si gonxhja zjarmun pjalmimi, petalet hap,
e kurmin kundërmimesh dehshëm kredh.
Tue i’a beh n’nji trëndafil t’bardh si vezullim.
Frymën ma ndali ky frymim i prusht,
Qi u clirue prej krahve t’prehjes tande,
E zorshëm n’nji za gjimova,
O Zot m’nep syt e njatij dielli qi po lind,
Me u pa e mrekullu me shëmbëllimin tand,
Sall nji dekik, jo ma shumë,
njaq sa nji shpërthim.
O hir qi dritshëm ardhjen bjen,
Sod e mbas dita n’ty ka me u mëku,
Si fmija n’gjinin e nanës,
e sythi n’gufim t’pranverës,
Tue ju dhan njasaj shërbestarie hyjnimi jete.
E bardh ardhsh ditë,
e shndritun kjoft n’kyt bukuri t’dlir,
Kjosh beku e hyjnu e andshmja e andërrt,
qi njiktu përulshëm m’bjen,
Te ky altar i qiellt i mëkimit hyjnuer,
N’tana lutjet e blatimet, ku naltue nepem.
Qielli pikoftë yje,
n’kyt prag ku shpërfaqet hiri,
Me ty, lindja e ditës i’a mbërrin,
E kunorzimi i mrekullisë së krijimit,
krenimin tand stolis n’diademë rrezesh.
Zgjimi m’bjen te ti me krahë t’purpurt,
Mbushun përplot me ardhje,
t’mylmye ambrozi e dëshirimi,
Tue dasht me ken,
strukem bardhësis tande,
si andje e frigueme vetmimit.
Amen!











