Albert Vataj
Ka një verbëri që nuk vjen nga mungesa e dritës, por nga tepria e dashurisë. Një verbëri që më bënte të mos shihja plagët, të mos ndieja braktisjen, të mos besoja se ajo që po quaja dashuri ishte, në të vërtetë, një formë e butë e shkatërrimit. Dhe ashtu qëndrova. Mbeta aty, në një vend ku gjithçka jepej nga unë dhe asgjë nuk kthehej nga ti. Të dhashë çdo grimcë timen, shpirtin tim, durimin, krenarinë, madje dhe heshtjen time. E durova mungesën tënde, ftohtësinë, tradhtinë, gënjeshtrën, sikur të ishin provime të një dashurie të madhe, e jo gjurmë të një përbuzjeje që nuk guxoja ta pranoja.
Përherë gjeja një arsye për të të justifikuar. E quaja dhembshuri atë që ishte humbje vetërespekti. E quaja besnikëri atë që ishte mohimi i vetes. E binda veten se dashuria është sakrificë, dhe se të të doja do të thoshte të mëdukej edhe nëse shpirti im rrënohej ngadalë. Nuk ishte thjesht një gabim i zemrës, ishte një dorëzim i heshtur ndaj iluzionit se, po të jepja mjaftueshëm, një ditë do të më doje ashtu siç të desha unë.
Por faleminderit.
Faleminderit që më zhgënjeve aq herë sa të mund të zgjohesha. Faleminderit që ma theve zemrën me aq vendosmëri, sa të më hapje sytë. Sepse nuk ishte dhimbja që e meritoja, por ishte e vetmja e aftë të më çlironte nga robëria e shpresës së rreme. Më bëre të kuptoj se nuk jam e lindur për të qenë e harruar, për të jetuar me frikën se nuk jam e mjaftueshme, për të kërkuar ngrohtësi në një zemër të ngrirë. Më bëre të ndaloj së menduari se lumturia ime ndodhej në duart e tua, ndërkohë që ti i kishe mbyllur fort ato duar, për të mos më mbajtur kurrë.
Jo më. Nuk do të jem më ajo që lutet për copëza dashurie. Nuk do të fal më pa fund për pakëz vëmendje. Paqen time nuk e vë më në ankand që ti të ndihesh rehat. Mund të më kesh thyer, por unë tani po rindërtohem. Dhe këtë herë, jo për të të pëlqyer ty, por për të qenë unë, vetja, e plotë, e ndritur, e denjë për gjithçka që jeta ka më të mirë për të më ofruar mua.
Faleminderit që më theve. Sepse tani, çdo pjesë që rikthej në vendin e vet më kujton sa vlej. Dhe këtë herë, e besoj me gjithë qenien time. Unë meritoj më shumë. Dhe do ta gjej atë që nuk kërkon të më bëjë më pak se unë dua.
Thyerja më treguan se pas çdo cope kam parë veten të reflektuar në atë që jam, dhe të paepur në atë që unë mundem, për t’i ribashkuar në një çdo copë, për të vijuar ta shoh jetën siç ajo shpirtërisht më ofrohet, për ta parë dashurinë që do të më blatohet, të denjë për çdo prehje që do t’i flijoj asaj, për ta përjetuar trupin tim në çdo fijez nervi dhe për t’iu lëshuar krahëflakëruar çdo kopulimi, për të rijetuar jetës pas thyerjes në çdo copë.
Kjo është çfarë i ndodhi asaj, mund të ket ndodhur juve, mund të ju ndodh secilit që zgjedh t’i jepet tërësisht dhe shpirtërisht, asaj, dashurisë, asaj që nuk pranon përfshirje me kohë të pjesshme, apo ofrim të kushtëzuar.










