Po, kjo është ajo hyjnorja e një çasti pror, ajo eternja që zbret nga shkreptima yjesh dhe puhizshëm bie mbi petalen e asaj lëkure ku përthyhen prekje dhe drithërima.
Është kjo delikates e hirshme që zgjon stinën e andjeve zjarmëtare të ndijinit, është ajo çfarë dua dhe më mrekullon… të vizatoj në qafën tënde, me puthje dhe hukamë përvëlake, një trëndafil. Një trëndafil që kuqëlon e përpush aromat. Dhe mbushet me lule stina e dëshirave, dehet kundërmimi çasti. Kumton kjo pulitje drithëruese buzësh, mëkimin e më të pafajshmit faj që na ndezi të dyve.
I pushova buzët, si në një prehje në këtë puthje, në këtë pulitje që ju ngjit qafës tënde si ajri i nxehtë që përshkoi gjithë pranin tënde që i blatohej këtoj flijimi të perëndishëm.
Të la pa frymë kjo hukamë që ndezi yjësi në këtë prekje të zjarrt mishi, aty ku ti kallesh si një rreze e shndrin si një diell.
Ajo nuk ishte thjeshtë një puthje, ishte një zgjim pranvere në trupin tënd dhe ëndjen time të ëndërrt.
Ti çele në çdo trëndafil të këtij kopështi magjepsës. Qiejt shpërthyen përtej syve tu të kllapitur.
Mbeti në qafën tënde ajo puthje e trëndafiltë, prekje dhe prehje, ndijim mbeti. Çeli dhe kundërmoi për të qenë veshur me petele dhe mëkuar me polen.
Erdh pranvera në krahët e fluturt të këtyre puthjeve që mbushën përplot pulitje trupin tënd. U bë kopësht ai kurm e luloi, në çdo pore buloi vesa e mëngjeseve, ku dielli i epjes kridhet ngjyshëm, e ndizet plot afsh.
Në çdo stinë ti çel lule, sepse je prej petalesh dhe poleni, prej zjarri ke epjen, aromash kundërmon, magjepsjeve shëmbëllen në një pafundësi trajtash ku vezullon.
Ij ti grua ky shkas qiellor hyjnimi, që ke ardhur të lindësh qenien, të bekosh jetën, të mrekullosh botën… t’i japësh frymën tënde çdo gjëje që merr frymë, edhe çasteve që të lënë pa frymë.
Albert Vataj











