Albert Vataj
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG
No Result
View All Result
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG
No Result
View All Result
Albert Vataj
No Result
View All Result
Home Pikturë

Tintoretto, “I furishmi” i Rilindjes italiane, piktori i kontrasteve të forta midis dritës dhe errësirës

May 31, 2025
in Pikturë, Slider, Të përzgjedhurat
Tintoretto, “I furishmi” i Rilindjes italiane, piktori i kontrasteve të forta midis dritës dhe errësirës
18
VIEWS
Share on FacebookShare on TwitterShare on Pinterest

Nga Albert Vataj

Me guximin për të pikturuar edhe falas, vetëm që të hynte në garën e përjetësisë, me një zell të pamëshirshëm ndaj vetes dhe telajos, me “Parajsën” monumentale që ende sot mbetet piktura më e madhe e realizuar ndonjëherë në kanavacë – Tintoretto e bëri artin një akt rebelimi, një rrëfim ekstaze, një përleshje me përjetësinë.

Sot, më shumë se katër shekuj pas ikjes së tij, nuk e kujtojmë vetëm për veprat që la pas, por për mënyrën se si e tronditi konceptin e bukurisë klasike dhe e zgjeroi fushën e ndjeshmërisë njerëzore. Tintoretto mbetet një artist që nuk pranoi të ishte spektator i kohës së tij – por u bë vetë skenë, shpërthim dhe rrëfim. Një stuhí që nuk u shua kurrë.

Më 31 maj 1594 u shua një nga gjigandët e penelit dhe shpirtit të trazuar të Rilindjes italiane, Jacopo Comin, i njohur përjetësisht me nofkën Tintoretto – një emër që bart gjurmën e thirrjes së tij fillestare, si biri i një bojaxhiu (tintore). Quhej ndryshe edhe “Il Furioso”, për stilin e tij shpërthyes, për dinamizmin dramatik të kompozimeve dhe pasionin e përvëluar që e shtyu të sfidonte kufijtë e pikturës së kohës së vet.

Ai ishte një ndër përfaqësuesit më të zëshëm të Shkollës veneciane, një shpirt rebel në mënyrën më krijuese të fjalës, i cili theu elegancën statike të Rilindjes së hershme me një ritëm të ri: lëvizës, emocional, shpeshherë të trazuar. Veprat e tij, të përshkruara nga një energji e vrullshme dhe një ndjeshmëri e tejskajshme dramatike, e çojnë shikuesin në një univers ku figurat muskulore, gjestet ekstreme dhe drita e errët veneciane ndërthuren në një poezi vizuale që nuk kërkon vetëm vëmendjen, por kërkon shpirtin tënd.

Nën qiellin e Venecias, Tintoretto ndërtoi një galeri të paharrueshme skenash epike: Shën Marku që zbret për të shpëtuar një skllav, Darka e Fundit në një kompozim kaotik dhe të jashtëzakonshëm, Krishti midis dishepujve, apo autoportretet ku nuk është vetëm fytyra, por drama e brendshme që e shfaq piktorin si subjekt dhe si shikues njëkohësisht. Ai shkatërroi kufijtë ndërmjet skenës së pikturuar dhe realitetit të spektatorit, duke hapur rrugën për një përvojë vizuale që nuk ishte më vetëm shikim, por përjetim.

I pari nga 21 fëmijët e familjes Comin, Tintoretto hyri herët në rrugën e artit, dërguar në studion e Titian-it, që mendohet se e përzuri për shkak të talentit të frikshëm që pa tek i riu. Nga ai çast, ndonëse i përjashtuar nga mjeshtri i madh, ai mbeti një admirues i heshtur dhe rebel i tij. Mbi derën e studios së vet, Tintoretto shkroi një moto që përmblidhte idealin e tij: “Vizatimi i Michelangelo-s dhe ngjyrat e Titian-it” — një sintezë e dy gjigantëve që ai deshi t’i tejkalonte me forcën e shpirtit të vet krijues.

Në një kohë kur arti ishte privilegj dhe konkurrenca e egër, Tintoretto pikturonte edhe pa pagesë, vetëm për të gdhendur emrin e tij në murin e përjetësisë. Madje në konkurse prestigjioze si ato për Shkollën e Madhe të San Rocco-s, ai irritoi rivalët me pikturime falas, por që mbetën të pashlyeshme. Më vonë, në bashkëpunim me Veronese-n, do të realizonte cikle monumentale që ende sot çudisin për madhësinë dhe gjallërinë e tyre.

Kryevepra e tij “Parajsa”, e realizuar për Pallatin e Dogëve, është piktura më e madhe mbi kanavacë që ka njohur ndonjëherë historia e artit — një spektakël i dritës dhe hijes, i lavdisë qiellore dhe ankthit njerëzor.

Me Tintoretto-n, arti nuk ishte më vetëm pasqyrë e bukurisë ideale. Ai e ktheu pikturën në skenë të shpirtit, në një teatër të trazuar ku drama njerëzore përjetësohej me furinë e penelit dhe thellësinë e përvojës. Me të, epoka e Rilindjes mori një kthesë – drejt së ardhmes, drejt shpërthimeve baroke dhe abstraksioneve moderne.

Tintoretto nuk ishte vetëm një piktor. Ishte një zjarr që dogji rregullin për të lindur pasionin. Ai nuk punoi për të qenë i kuptuar nga koha e tij — ai pikturoi për përjetësinë. Dhe më 31 maj të vitit 1594, ai nuk vdiq – thjesht u tërhoq nga skena, për të jetuar përgjithmonë në galerinë e pavdekësisë.

Pagesa për “Parajsën” nuk ishte vendosur ende kur ajo kishte nisur puna, por Tintoretto u tha senatorëve, se i ishte lutur Zotit që ta paguante pas vdekjes. Kur piktura përfundoi gjithë Venecia u mblodh ta duartrokiste dhe i’u kërkua artistit të vendoste vetë pagesën, por ai ua la në dorë autoriteteve. Thuhet se shuma nuk ishte aq e madhe, megjithatë ai e ktheu një pjesë, “sepse nuk ishte aspak i babëzitur për pasuri”. U sëmur, nuk fjeti e nuk futi gjë në gojë për dy javë, derisa u varros pranë vajzës së tij të preferuar, e cila vdiq 30 vjeç, portretin e së cilës e kishte realizuar zemërplagosur në çastin e saj të fundit. Vetë Marietta ishte një piktore portretesh e talentuar, si edhe muzikante, vokaliste e instrumentiste, por sot shumë pak punë të saj janë të njohura. Thuhet se kur ishte 15 vjeç ndihmonte babain në art e veshur si djalë. Tintoretto i donte gjithë artet, luante në lahutë e instrumente të tjera, disa prej tyre shpikje të vetat, dhe dizenjoi kostume teatrore e bëri disa shpikje mekanike. Nuk pranonte askënd në studio e rrallë qeshte, pavarësisht se i bënte të tjerët gjithmonë gazmorë. Gruaja e vet, e cila i vishte me zor një rrobë veneriane kur dilte jashtë, i fuste para në xhep, por ai i harxhonte të gjitha me të varfër e të burgosur. Mendimi i venedikasve ishte se ai përdorte tre penel: një të artë, një të argjendtë dhe një të hekurt. Sebastiano del Piombo thoshte për të se mund të pikturonte në dy ditë aq sa ai vetë në dy vjet. Si portretizues quhet i paarritshëm. Një një aspekt, dinamizmin e kompozimit, përdorimin dramatik të dritës dhe efektet perspektive të theksuara, Tintoretto duket si një piktor barok i parakohshëm.

Jacopo Tintoretto la një gjurmë të pashlyeshme në pikturën veneciane të shekullit të 16-të dhe më gjerë. Qasja e tij unike ndaj krijimit të artit me penelata të shpejta, të lirshme dhe kontraste të forta midis dritës dhe errësirës sfidoi thellësisht stilin tradicional të mjeshtrit ikonë Titian, Paolo Veronese dhe bashkëkohësve të tij venecianë. Kompozimet e tij të guximshme ofruan një stil alternativ ndaj inskenimit hierarkik të pikturave tradicionale të Rilindjes. Për shkak të kësaj, Tintoretto shpesh lidhet me piktorët manieristë të periudhës së mëvonshme të Rilindjes.

Ndikimi i tij, megjithatë, u ndje shumë kohë pas kohës së tij. Kompozimet shumë dramatike dhe pothuajse teatrale të Tintoretto-s do të shërbenin si frymëzim për zhvillimin e lëvizjes së artit barok të shekullit të 17- të . Ndikimi i stilit gjestik, i dukshëm për gjurmët e penelit të tij, kumbon në stilin pasionant të Diego Velázquez dhe Peter Paul Rubens. Autoportreti i hershëm, i datës 1548, konsiderohet si një precedent i atyre të artistëve të mëvonshëm, duke përfshirë Rembrandt; ndërsa gjendja soditëse e autoportretit të tij shumë më vonë, u përshkrua nga ikona moderniste Edouard Manet si “një nga pikturat më të bukura në botë”.

Ndikimi i Tintoretto vazhdon të përshkojë botën e pikturës, duke ndikuar më së shumti artistët bashkëkohorë në aspektet madhështore, ekspresioniste të kompozimeve të tij. Sipas Echols dhe Ilchman, “në kohën tonë, piktorë të tillë si Emilio Vedova, Anselm Kiefer dhe Jorge Pombo e kanë matur veten në mënyrë specifike kundër Tintorettos, duke krijuar piktura të mëdha të mbushura me penelata të guximshme dhe efekte koloristike”.

Tintoretto, do të mbetet një nga artistët që krenon njerëzimin me punën e jetën e vet.

Albert Vataj

Tags: Albert Vataj
Previous Post

Poetja Life Hasaj, sjell romanin “Martini”, si sprovën sfiduese

Next Post

Albert Vataj: Kam mësuar të ëndërroj dhe të mundem edhe të fluturoj duke ëndërruar se kush ëndërron gjithçka e ka të mundur

Next Post
Albert Vataj: Kam mësuar të ëndërroj dhe të mundem edhe të fluturoj duke ëndërruar se kush ëndërron gjithçka e ka të mundur

Albert Vataj: Kam mësuar të ëndërroj dhe të mundem edhe të fluturoj duke ëndërruar se kush ëndërron gjithçka e ka të mundur

Albert Vataj

Albert Vataj

Ajo që bën dhe e ndjen është ajo që duhet. Mos u bëj rob i fatalizmit, nëse nuk do të lësh veten të bjerë në boshin e asgjësë. Nuk është e thënë se duhet të ecësh me hapa të shpejtë për të mbërritur diku, hapat e sigurt janë ata që të çojnë aty ku duhet dhe kur duhet të shkosh. Jepu me gjithë shpirt asaj që e do me gjithë zemër dhe do të shohësh se përveçse i pasur do të jesh dhe i lumtur. Ushqeje me dritë gjithçka që jeta ta kredh në terr dhe se bashkë me veten ke çliruar prej kësaj robëria edhe ata që sjellin farën e së mirës të vullnetet për të ndryshuar botën që na përket të gjithëve. Më mirë vdis duke u përpjekur se sa të zvarritesh duke u ankuar. Jeta është gjithçka që ti kërkon prej saj. Nuk ka forcë të hyjshme apo përkufizime që tregojnë udhën e së vërtetës, jetën e merituar, zotërimin e gjithçkasë që të përket. Kërko gjithçka tek vetja. Gjithçka që do është gjithnjë me ty. Mjafton të dish ta kërkosh dhe do të kesh gjithçka.
  • Trending
  • Comments
  • Latest

Fausti, Mefistofeli dhe Margarita, një tragjedi e bashkëjetimit të së mirës me të keqes, vuajtja pambarim

April 4, 2016

Çfarë është Dashuria? Thënie brilante nga njerëz të famshëm që kanë skalitur zjarret e pasionit në historinë e letërsisë

May 12, 2017

Ëndrrat e këqija, makthet, përse i shohim, mesazhet që na dërgojnë dhe a mund t’i shmangim?

April 4, 2016

“Plaku dhe deti”, dyluftimi i pabarabartë i mundësisë, sprova e fatit dhe guximit të njeriut për të sfiduar natyrën

May 4, 2017

Galaktika, Rruga e Qumështit përmban 160 miliardë planete

0

Spektakël dhe frikë nga balena 14 metra e gjate që peshon 30 ton

0

Amani, qyteti i bardhë mbi 18 kodra streha mbretërore e kryeqytetit jordanez

0

Lëvizja e bujshme që shkundullitën nga themelt shekullin XX në botën e muzikës

0
Një top në oborrin e Kolegjit të Jezuitëve, si lindi loja e topkambës (futbolli) në Shkodër

Një top në oborrin e Kolegjit të Jezuitëve, si lindi loja e topkambës (futbolli) në Shkodër

June 15, 2025

Bekim Fehmiu i madhi i roleve të mëdha kinematografike, aktori që e pati si një bekim origjinën shqiptare

June 15, 2025

Klasiku Nicolas Poussin, ai që fisnikëroi penelatën e ndjenjës dhe arsyes përmes ngjyrës

June 15, 2025
Johann Sebastian Bach një baba fatkeq që humbi 11 fëmijë, një kompozitor tragjik që shkroi muzikë për ladinë e Zotit

Johann Sebastian Bach një baba fatkeq që humbi 11 fëmijë, një kompozitor tragjik që shkroi muzikë për ladinë e Zotit

June 12, 2025
  • About
  • Advertise
  • Privacy & Policy
  • Contact

Copyright © 2020 Albert Vataj

No Result
View All Result
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG

Copyright © 2020 Albert Vataj