Nga Albert Vataj
Megjithëse kanë kaluar kaq vite nga shuarja me vetëvrasje e Ernest Heminguejt, një prej shkrimtarëve më të famshëm të shekullit të kaluar, ende një tis misteri e rrethon këtë ngjarje. Që nga ajo kohë, biografët e tij janë rrekur të japin një arsye bindëse se çfarë e shtyu këtë njeri aq të gjallë dhe energjik — këtë shpirt të ndezur nga aventurat e pamata, me një strukturë sentimentale të krahasueshme për nga zelli dhe flakëpërfshirja pasionante me Kazanovën — t’i jepte fund jetës kaq tragjikisht. Duket se as gjallëria dhe as gota nuk do ta zhvendosnin fundin e tij larg nga i njëjti fat që kishte pasur babai dhe të afërmit e tjerë.
Në librin “Vdekja pasdite”, Hemingueji shkruan edhe për një lloj filozofie personale në lidhje me vdekjen, por ajo ishte diçka e ngatërruar dhe e vështirë për t’u ndjekur. Ndërkohë, ai kishte pasion edhe peshkimin, madje peshkimin e rrezikshëm, atë në të cilin vihet koka në rrezik. Pikërisht në këtë periudhë, pra nga viti 1928 deri në vitin 1936, ai i dha vetes imazhin e njeriut muskuloz e të veprimit, të nxirë nga dielli, që pinte pa fund me peshkatarët.
Në Spanjë, gjatë Luftës Civile, ai nuk shkoi për të luftuar siç bëri Xhorxh Oruell (George Orwell), por sepse e kishin dërguar për të raportuar mbi luftën, si i dërguar i gazetës së Aleancës së Veriut. Një shkak tjetër ishte se e dashura e tij e re, Martha Gellhorn, do të shkonte gjithashtu atje. Për shumë kohë ai ka deklaruar se nuk kishte mbajtur anë gjatë raportimeve që bënte nga lufta, se kishte qenë i paanshëm e tërësisht i drejtë në këndvështrimin e tij dhe se nuk donte t’i shihte Shtetet e Bashkuara të përfshira në një luftë përtej oqeanit. Por, kur ishte në Madrid, pavarësisht bombardimeve, ai kaloi kohën më të mirë të jetës së tij duke shijuar net të gjata me vodkë dhe havjar në “Gaylord Hotel”, zyrat qendrore ruse.

Duke i urryer gjithmonë situatat e mjegullta, besnike që në fillim për të respektuar “gruan tjetër”, kam takuar gjithandej meshkuj të mrekullueshëm, si një anije që takon një tjetër në natën e errët. Por mendoj se dashuria e tyre do të zgjaste më shumë nëse do të kisha qenë një anije e ankoruar në portin e tyre”.
Marlene Dietrich
Miti i heroit dhe psikoza vetëdramatike
Hemingueji kërkonte të shfaqej si një njeri luftarak, si një pjesëmarrës aktiv në luftë, ndërkohë që ishte thjesht një diletant me fat, që mund të largohej nga Spanja në çdo kohë që do ta dëshironte. Në lidhje me Madridin e vitit 1936, ai shkroi një dramë me titull “Kolona e pestë”, në të cilën flitet për Dorotinë, një gazetare që dashurohet pas Filipit, një spiun i fortë dhe pijanec i madh, i maskuar si korrespondent lufte. Në këtë pjesë ai rrëfen shumë fragmente nga jeta që në të vërtetë i jetoi në atë kohë në Spanjë.
Kur Amerika hyri në Luftën e Dytë Botërore, në vitin 1944, Hemingueji shkoi në Britaninë e Madhe me një mision të ashtuquajtur “biznes prioritar”, ndërsa shkruante edhe artikuj për revistën e forcave ajrore britanike (RAF). Ishte një detyrë e vështirë. Ai prenotoi një dhomë në “Dorchester”, ku hiqej si një shkrimtar i madh amerikan, fama e të cilit ende nuk kishte mbërritur në Evropë, por që shumë shpejt do të ndodhte.
Gjatë kësaj kohe, merrte pjesë në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha mbrëmjet dhe darkat e organizuara në hotel, duke pranuar komplimente lart e poshtë për maçizmin e tij, trupin dhe madje edhe për mjekrën e famshme. Kur pësoi një aksident automobilistik pasi kishte dalë i bërë tapë nga një mbrëmje me pije, Marta Gellhorn shkoi menjëherë në Britaninë e Madhe për të parë “heroin” e saj dhe qeshi me të madhe me bëmat e tij aspak heroike. Por Hemingueji, i etur për veprim dhe për një jetë intensive, u nis për në Normandi, në divizionin e gjeneralit Paton. Ai ishte në këtë mision si korrespondent lufte, por që njëherazi pëlqente të shfaqej si ushtar apo njeri luftarak.
Me çlirimin e Parisit, ai kaloi një kohë të mirë duke zbavitur të dashurën e tij të re, Mary Welsh. Është e lehtë të hedhësh baltë mbi Heminguejin, por nuk do të ishte e vërtetë t’i mohohej ajo që ka bërë. Ai pëlqente shumë të ishte i pranishëm në mesin e luftës — si në Betejën e Ardenave (Battle of the Bulge) — teksa shihte plumbat që merrnin jetë njerëzish dhe bënin kërdinë rreth tij. Megjithatë, mund të thuhet se ajo çka ai bënte nuk ishte thjesht trimëri, por një lloj psikoze vetëdramatike që mbartte me vete. Kur merr në shqyrtim imazhin e Heminguejit si hero, arrin të zbulosh një nënshtresë shumë të hollë vetëshkatërrimi. Zbulon se përgjatë gjysmës së jetës së tij, ai është përpjekur sistematikisht të vetëshkatërrohet.
Kronika e aksidenteve dhe dëmtimeve në kokë
Pikërisht në momentin kur po përfundonte veprën e tij “Lamtumirë armë” në vitin 1928, i ati, Clarence, u vetëvra me një plumb në kokë. Ky ishte fillimi i turbullirave të mëdha për shkrimtarin; ishte momenti kur bota nisi t’i shembej pak nga pak. Një nga provat më të dukshme të kësaj ishte një sërë aksidentesh fizike të çuditshme që ndodhën njëri pas tjetrit, ku një pjesë e madhe kishin të bënin me përplasje dhe dëmtime të rënda në kokë.
Incidenti në banjë: Njëri prej këtyre incidenteve e la me një të çarë të madhe në kokë, të cilën iu desh ta qepte. Ai tha se kishte ndodhur në banjë ndërsa po përpiqej të dilte nga vaska — ishte rrëzuar dhe kishte pësuar plagën e madhe. Por ky aksident u pasua nga shumë të tjerë të këtij lloji, që nga jashtë linin përshtypjen se diçka e rëndë po ndodhte me të.
Aksidenti i parë me makinë: Një tjetër aksident që i shkaktoi dëmtime të mëdha erdhi pas një zënke me të dashurën e tij. Edhe ai i shkaktoi një të çarë në kokë, e cila kërkoi shumë kohë për t’u shëruar.
Normandina dhe pasojat neurologjike: Tre muaj pas këtij aksidenti, hipi në një motobarkë dhe bëri një rrugëtim shumë të rrezikshëm për t’u shmangur zjarrit gjerman në Normandi, para zbarkimit historik. Si pasojë e goditjeve, ai vuante shumë nga dhimbjet e kokës, pagjumësia, kishte shpesh të vjella, shfaqte probleme të mëdha të kujtesës dhe, në disa raste, edhe probleme me të folurin.
Përplasjet e mëvonshme: Kur u kthye në Kubë pas luftës, u përplas sërish me makinë dhe pësoi prapë të çara në kokë. Pesë vjet më pas, ndërsa kishte pirë sërish, pësoi një aksident me varkë, duke dëmtuar veten si çdo herë. Në njëfarë mënyre, dukej sikur po përpiqej të rivalizonte të atin.
Rënia e avionit në vitin 1954: Plagosjen më të rëndë e pësoi në janar të vitit 1954. Ai dhe Mary u nisën nga Nairobi i Kenias me një avion të vogël drejt Kongos Belge. Në afërsi të Ujëvarës Viktoria, avioni tentoi të ulej dhe pësoi një përplasje shumë problematike në një terren shkëmbor. Për disa kohë askush nuk dinte nëse ai ishte gjallë apo kishte vdekur, madje u përhap lajmi se kishte mbetur i vrarë. Në fakt, ai kishte pësuar një frakturë të rëndë në kafkë. Por edhe këtë herë Hemingueji ishte me fat: përdori kokën për të goditur derën e avionit të shkatërruar, duke u hapur rrugë dhe duke dalë jashtë së bashku me Mary-n.
Vetëm pak minuta pas kësaj, avioni u përfshi nga flakët dhe u shkatërrua plotësisht. Këtë rast ai më pas e tregonte gjithmonë si një provë pragmatizmi prej supermeni, por në të vërtetë ishte një ngjarje që mund t’i kishte marrë jetën dhe ishte një mrekulli që shpëtoi. Sidoqoftë, dëmet që mori vazhduan t’i krijonin probleme deri në fund të jetës. Në spital konstatuan se përplasja ia kishte dëmtuar skalpin në mënyrë të pariparueshme dhe i kishte prekur njërin vesh. Madje, një pjesë e lëngut cerebrospinal i ishte derdhur në vesh, duke e lënë shurdh. Fytyra i kishte pësuar djegie të shkallës së parë, për të mos folur për ndrydhjet e gjymtyrëve, shembjet e brinjëve, çarjen e mëlçisë dhe shtypjen e veshkave.
Si për çudi, një rast thuajse i ngjashëm iu përsërit vetëm një muaj më pas. Këtë herë tentoi të shuante një zjarr të vogël, por në vend që ta fikthe, ra vetë në flakë dhe pësoi djegie të shkallës së dytë në këmbë, në shpinë, në buzë dhe në krahun e djathtë.
Alkoolizmi si vetëndëshkim fizik
Dëshira e vazhdueshme dhe kronike e Heminguejit për vetëdëmtim mund të krahasohej vetëm me zellin e tij të madh për të pirë sasi të jashtëzakonshme alkooli. Janë të shumta dëshmitë dhe dëshmitarët që e kanë parë të zbrazë shishe të tëra vere dhe konjaku gjatë mbrëmjeve që organizonte me miqtë apo gjatë eventeve ku merrte pjesë.
Kishte raste kur përziente shumë pije njëherësh; zelli me të cilin pinte nuk ngjante thjesht me një varësi të zakonshme ndaj alkoolit, por me një dëshirë për të goditur dhe dëmtuar veten. Ishte një tjetër dënim fizik që i bënte trupit të tij, ashtu si daljet për peshkim në temperatura ekstremisht të ulëta, gjë që i shkaktonte dhimbje të tmerrshme në veshka.
Problemi i tij me pijen u përkeqësua ndjeshëm pas vdekjes së të atit. Ernest shkoi te një mjek në vitin 1937 duke u ankuar për dhimbje të forta stomaku, por u diagnostikua me dëmtim shumë të rëndë të mëlçisë. Mjeku i tha prerë se, nëse donte të jetonte edhe disa vite, duhej të hiqte dorë menjëherë nga alkooli. Sigurisht, ai e bëri veshin të shurdhër. Shtatë vjet më vonë, në vitin 1944, kur Martha Gellhorn i bëri një vizitë në spital, gjeti shishe të tëra likeri të zbrazura nën krevatin e tij. Në vitin 1957, doktori i tij, A. J. Monnier, i shkruante: “I dashur Ernest, duhet të ndalosh menjëherë alkoolin. Kjo është e një rëndësie jetike”. Por Ernesti, si gjithmonë, nuk e vuri ujin në zjarr.
Autopsia psikologjike e një gjenie të thyer
Çfarë ndodhte në të vërtetë me Heminguejin? Përse gjithë ai alkool, ajo dëshirë për t’u hedhur në vatra luftërash dhe ato aksidente të vazhdueshme të kokës? Kë po ndëshkonte në mënyrë të dëshpëruar dhe çfarë donte të provonte?
Disa përgjigje dolën në dritë në vitin 2006 përmes një artikulli të gjatë në revistën “Psikiatria Amerikane” (The American Journal of Psychiatry), të titulluar: “Ernest Hemingueji: një autopsi psikologjike e një vetëvrasjeje”. Psikiatri Kristofer Martin (Christopher Martin), mbasi analizoi me kujdes 15 biografitë e shkruara për Heminguejin dhe të gjitha shkrimet e tij, dha një vlerësim mbi karakterin e vërtetë të shkrimtarit. Mjeku konstatoi se shkrimtari i madh kishte vuajtur nga:
Çrregullimi bipolar (maniako-depresiv)
Varësia e rëndë ndaj alkoolit
Plagosja traumatike e trurit (traumat e përsëritura)
Trajta të theksuara të narcizmit
Ai zbuloi gjithashtu se në familjen e Heminguejit, prindërit e tij, fëmijët e tyre, vetë djali i tij dhe mbesa ishin të gjithë me diagnoza maniako-depresive. Madje, mbesa e Heminguejit (Margaux) ishte e pesta në familje që kreu vetëvrasje. Ishin pikërisht këto kriza dhe faza maniake që e bënin Heminguejin aq prodhimtar dhe gjenial në shkrim.
Sipas mjekut, traumat kyçe kishin ndodhur në dy episode të fëmijërisë:
Marrëdhënia me të ëmën: E ëma shpesh e vishte të birin si vajzë të vogël dhe e thërriste “kukull”. Ai e urrente për së vdekuri të ëmën dhe mënyrat e saj të kontrollit, saqë kur u rrit, shpesh nëpër biseda i referohej si “ajo kurva”.
Marrëdhënia me të atin: As me të atin nuk kishte marrëdhënie të mira; ai e rrihte të birin pa mëshirë me rripin e pantallonave. Nga inati që i ziente përbrenda, Ernesti i vogël shkonte në oborr dhe bënte sikur e qëllonte të atin me armë zjarri në kokë.
Kur i ati vrau veten dhe Hemingueji ishte në moshën 29-vjeçare, shumë biografë besojnë se shkrimtari u ndie tmerrësisht fajtor ngaqë kishte ëndërruar aq shumë vrasjen e tij. Për të qetësuar ndërgjegjen, ai fajësoi të ëmën për vetëvrasjen e të atit dhe nisi ta urrente edhe më shumë. Të gjitha këto trauma e dëmtime u rënduan në fund të jetës së tij, duke e çuar pashmangshmërisht në përsëritjen e aktit të të atit — në vetëvrasjen fatale që i mbylli jetën më 2 korrik të vitit 1961.











