Nga Albert Vataj
Atdheu, Polonia, ishte vendi ku thërmijat e atij shpërthimi të yjshëm dritën spariherë. Parisi, Olimpi i perëndive të artit, tempulli ku u lartësuan qiejt e shpirtrave të pashpërbëshëm të gjenisë dhe kujtesës, e bëri atë të ishte, të jetë dhe të mbetet, ai që historia e muzikës e ruan atë, Frédéric Chopin, i cili të gjithë mëkimet e tij, mund të jenë po aq harmonikisht të nderlikuara, sa edhe teknikisht sfiduese.
Në vjeshtën e vitit 1849, në Paris, ndërsa jeta e Frédéric Chopinit po shuhej ngadalë nën peshën e sëmundjes, mendja dhe zemra e tij nuk ndodheshin më në Francë. Ato kishin mbetur përgjithmonë në Poloni, në tokën ku kishte hedhur hapat e parë, ku kishte mësuar tingujt e parë të muzikës dhe ku kishte njohur frymën e lirisë. Mërgimi nuk kishte mundur ta shkëpuste kurrë nga atdheu; përkundrazi, largësia e kishte bërë dashurinë për vendin e tij edhe më të thellë.
Prandaj, pak para se të mbyllte sytë, ai shprehu një dëshirë që do të hynte në histori si një nga amanetet më prekëse të një artisti: “Kur të vdes, ndani zemrën time nga trupi dhe çojeni në Varshavë. Trupi im le të prehet këtu, por zemra ime duhet të kthehet në atdhe.”
Kjo nuk ishte thjesht kërkesa e një njeriu që po ndahej nga jeta. Ishte rrëfimi i një shpirti që besonte se njeriu mund të largohej nga vendlindja, por vendlindja nuk largohet kurrë prej tij. Për Chopinin, zemra nuk ishte vetëm një organ i trupit, por vendi ku banonin kujtesa, identiteti dhe dashuria e pashuar për Poloninë.

Amaneti i tij u përmbush me një përkushtim të rrallë. Trupi u varros në Varrezat e famshme Père Lachaise në Paris, pranë shumë figurave të mëdha të historisë dhe kulturës evropiane. Zemra, ndërkaq, u vendos me kujdes në një enë qelqi, e ruajtur në një solucion konservues, dhe u dërgua fshehurazi në Varshavë nga e motra e tij, Ludwika, e cila u kujdes për kompozitorin e madh në javët e fundit të jetës.
Nuk e dihet saktësisht se si ose kur iu hoq zemra Chopinit. Raporti i autopsisë, nga Docteur Cruveilhier, zakonisht i përpiktë, u humb, nëse ka ekzistuar ndonjëherë. Franz Liszt, kompozitori i famshëm i kërkoi nxënëses së Chopinit, znj. Stirling, të shkruante një listë me pyetje dhe përgjigje, e cila i’u dërgua familjes së Chopinit për vërtetim. Në përgjigje të njërës prej pyetjeve të tyre, Liszt dhe Stirling shkruajnë: “Autopsia nuk zbuloi asgjë në lidhje me shkakun e vdekjes. Kraharori dukej më pak i kompromentuar se zemra. Vdekja e tij ishte ajo e një shpirti të pastër, të dorëzuar dhe besimtar. As reja më e vogël nga përtej varrit nuk erdhi të errësonte momentet e tij të fundit. Përkushtimi në besim dhe në dashuri mbështetej tërësisht në tiparet e tij.” Efektet e tuberkulozit ishin të dukshme në zemrën e Chopinit, siç tregon vëzhgimi i kryer në vitin 2014. Por përmendja e zemrës nga Liszt dhe Stirling mund të ketë një tjetër rëndësi. Sipas Fay Bound Albertit, duke iu referuar Kirstie Blair, “në kulturën letrare pati një zhvendosje të përtërirë drejt zemrës, në terma të imazheve të përqendruara te zemra dhe lidhjeve të saj me emocionin dhe autenticitetin”.

Zemra e gjeniut të muzikës u vendos në Kishën e Kryqit të Shenjtë, e mbyllur brenda një kolone të gurtë, ku mbeti si një relike e shenjtë e kombit polak. Mbi të u gdhendën fjalët biblike: “Ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.” Asnjë mbishkrim nuk mund ta përkufizonte më mirë fatin e kompozitorit.
Me kalimin e viteve, zemra e Chopinit nuk ishte më vetëm kujtimi fizik i një gjeniu të muzikës. Ajo u shndërrua në një simbol të identitetit kombëtar, të qëndresës dhe të lidhjes së pashkëputshme mes artistit dhe popullit të tij. Për polakët, ajo rrihte si një zemër e përbashkët, duke u kujtuar se arti dhe atdheu mund të bashkohen në një dashuri që i mbijeton kohës.
Por historia e saj nuk përfundoi aty. Në errësirën e Luftës së Dytë Botërore, kur Polonia u pushtua nga Gjermania naziste, edhe zemra e Chopinit u bë objekt i interesit të pushtuesve. Ata e dinin mirë se nuk kishin përballë vetëm një relike anatomike, por një simbol të krenarisë dhe të shpirtit kombëtar. Zemra u mor nga vendi ku prehej, sikur, duke e larguar atë, të mund të shuanin kujtesën dhe rezistencën e një populli.
Megjithatë, historia mori një kthesë të pazakontë. Në fund të luftës, zemra iu rikthye Kishës së Kryqit të Shenjtë dhe u vendos sërish në kolonën ku kishte prehur për dekada. Ishte një rikthim që mori kuptimin e një fitoreje morale, pushtuesit mund të plaçkisnin qytete, të rrëzonin monumente e të shkatërronin jetë njerëzish, por nuk mund të burgosnin kujtesën dhe as të vidhnin dashurinë për atdheun.
Edhe sot, zemra e Frédéric Chopin-it vazhdon të prehet në Varshavë, ndërsa trupi i tij mbetet në Paris. Dy qytete, dy vende dhe një jetë e ndarë mes mërgimit dhe atdheut. Ndoshta askush nuk e ka shprehur më bukur dramën e mallit sesa vetë fati i kësaj zemre, e cila vazhdon të dëshmojë se ekzistojnë lidhje që as vdekja nuk i këput.
Sepse ka prej atyre zemrave të gjëmimshme, që pushojnë së rrahuri, por nuk pushojnë kurrë së dashuruari. Dhe zemra e Chopinit mbetet një prej tyre, një zemër që, edhe në heshtjen e saj, vazhdon të luajë simfoninë e përjetshme të dashurisë për atdheun.











