Albert Vataj
Ka fruta që hahen, dhe ka fruta që përjetohen. Qershia i përket kësaj të dytës. Ajo nuk është thjesht një dhuratë e stinës, por një tundim i natyrës, një stoli e pranverës dhe një nga ato hire të tokës që zgjojnë kujtesë, epsh, nostalgji dhe poezi.
“M’i ke buzët, moj, si qershi!”, nuk është vetëm një krahasim dashurie, por një nga metaforat më të gjalla të bukurisë shqiptare, ku qershia merr trajtën e joshjes, të gjakimit dhe të ëmbëlsisë që të trazon.
Kush nuk do të mbetej pa frymë para një qershie të lulëzuar, me kurorën e saj madhështore e elegante, të mbuluar nga ajo bardhësi e brishtë që duket sikur qielli ka zbritur mbi degë? Në ato ditë pranvere, pema e qershisë nuk është më një dru frutor; ajo bëhet një nusëri e natyrës, një altar drite dhe delikatese, ku çdo lule është një premtim i kuq që ende nuk ka marrë trajtë.
E mandej vijnë frytet. Fillimisht si pika drite, pastaj si gjak i ndezur mbi degë. Qershitë varen si vathë të kuq në veshët e një zanë mali, si stoli të një nuseje përrallore. Të ftojnë me sy, të ngacmojnë me shkëlqimin e tyre, të provokojnë një uri që nuk është vetëm e trupit, por edhe e shpirtit. Edhe kur janë të huaja, edhe kur nuk të përkasin, ato kanë atë mënyrën e tyre të heshtur për të të thënë: “Merri!”, dhe njeriu, përballë qershisë, shpesh mbetet po aq i pafuqishëm sa përballë një tundimi të bukur.
Qershia është simbol i pranverës së plotë, i pjekjes së natyrës dhe i asaj kohe të vitit kur jeta merr ngjyrë e gjaku qarkullon më shpejt. Por ajo nuk është e lakmuar vetëm për bukurinë. Brenda asaj lëkure të hollë e të ndritshme, natyra ka fshehur një pasuri të tërë shijeje dhe shëndeti.
Në traditën biblike, qershia mbart një simbolikë të veçantë. Ngjyra e saj e kuqe është parë si shenjë e gjakut të Krishtit, ndërsa ëmbëlsia e saj si shpërblim i punëve të mira. Në ikonografinë e krishterë, ajo shpesh paraqitet si fryti i Parajsës, në kontrast me mollën, frytin e mëkatit fillestar. Qershia, kështu, nuk përfaqëson rënien, por hirin; jo tundimin që humb, por atë që shëlbon.
Botanikisht, ajo njihet si Prunus avium dhe origjinën e ka nga Azia e Vogël. Prej andej, rreth shekullit VII para Krishtit, u përhap drejt Egjiptit dhe Greqisë, për t’u bërë më pas një nga pemët më të dashura të Mesdheut dhe Europës. Historia e saj është po aq e lashtë sa edhe afshi njerëzor për të bukurën dhe të shijshmen.
Si çdo fryt që hyn thellë në kulturën popullore, edhe qershia është mbështjellë me bestytni dhe rite. Thuhej se një vajzë që dëshironte të mësonte se kur do të martohej, duhet të numëronte bërthamat e mbetura në pjatë, duke përsëritur formulën: “Sivjet, mot, një ditë, kurrë!” Dhe fjala ku ndalej numërimi, tregonte fatin. Në këtë lojë naive e poetike të vajzërisë, qershia bëhej orakull dashurie.
Por përtej poezisë, ajo mbetet një mrekulli edhe për trupin. Qershitë janë të pasura me ujë dhe të varfra në sheqerna, çka i bën freskuese, çhelmuese dhe të lehta për organizmin. Uji i tyre nxit diurezën dhe pastrimin natyror të trupit. Fibrat ndihmojnë tretjen dhe krijojnë ndjesinë e ngopjes, ndërsa përmbajtja minerale, hekur, kalium, magnez, zink, fosfor, selen, jod e bakër, i bën aleate të rëndësishme të metabolizmit dhe vitalitetit.
Ato përmbajnë vitamina të shumta: C, B1, B2, B6, A, E dhe K. Falë flavonoideve dhe vitaminave, qershitë ndihmojnë prodhimin e kolagjenit, proteinës themelore të indit lidhor, duke i dhënë lëkurës elasticitet, tonus dhe shkëlqim. Në një farë mënyre, qershia nuk është vetëm fryt i bukurisë, ajo është edhe ushqim i saj.
Po aq të çmuara janë edhe vetitë antioksiduese. Kuercetina, luteina, katekinat, zeaksantina dhe cianidina e bëjnë qershinë një mburojë natyrore kundër inflamacionit dhe plakjes qelizore. Kaliumi kontribuon në shëndetin e zemrës dhe të enëve të gjakut, duke e kthyer këtë fryt të vogël në një farmaci të kuqe të natyrës.
Megjithatë, në kohët tona, qershia është bërë edhe luks. Çmimet e larta e kanë shndërruar shpesh në një dëshirë të paarritshme për shumë familje. Dikur fryt i oborreve dhe kopshteve, sot ajo rri nëpër tezga si një bukuri e ndaluar, e kushtueshme, pothuaj aristokratike. Dhe njeriu e sheh me atë mallin e hershëm të gjërave që natyra i jep me bujari, por tregu i ndan me kursim.
Prandaj, kush ka qershi të vetat, le t’i hajë me mirënjohje. Jo vetëm si ushqim, por si bekim stine. Sepse qershia është një nga ato gjëra të rralla ku natyra ka bashkuar hijeshinë, shijen, shëndetin dhe simbolin.
Dhe ndoshta nuk është rastësi që populli thotë, mos i lakmo qershitë e huaja të kësaj bote, nëse dëshiron t’i shijosh në Parajsë.
Sepse qershia, në fund të fundit, nuk është vetëm fryt, është një mënyrë e ëmbël dhe e kuqe për të kujtuar se jeta, sado e vështirë, di ende të lulëzojë.











