Albert Vataj
Le të ketë hapësira në bashkimin tuaj dhe le të kërcejnë erërat e qiejve midis jush.
Duajeni njëri-tjetrin, por mos bëni lidhje skllavëruese dashurie.
Gjithë ajo, frymë e drithërim, le të jetë më tepër një det i stuhishëm që lëvizës midis brigjeve të trupit shpirtrave tuaj.
Mbushni kupat me diellin e zjarrit të pasionit të njëri-tjetrit, por mos pini nga e njëjta kupë hënat që ju çuan ikjeve të pikëllimta nëpër natë.
Jepini njëri-tjetrit nga buka juaj kafshatën që kafshuat, por mos hani nga e njëjta bukë çfarë mbeti. Këndoni dhe kërceni së bashku dhe jini të gëzuar, por secili prej jush le të jetë vetëm, ashtu si telat e lëndinë janë vetëm edhe pse dridhen nga e njëjta muzikë dhe fërgëllejnë nga i njëjti taft që zgjon tokën në zgjim. Jepini zemrat tuaja në çdo trokitje të shpejtuar, por jo në mbajtjen e njëri-tjetrit që nderet në lavjerrësin e orës që shënon mitutat.
Sepse vetëm dora e Jetës mund të përmbajë zemrat tuaja dhe ta farkëtojë në vlime gjaku kurmin që dorëzimeve gjen shtegun e mbërritjes në yjësi.
Dhe qëndroni së bashku, por jo shumë afër njëri-tjetrit, sepse shtyllat e tempullit qëndrojnë të ndara, dhe lisi dhe selvia nuk rriten nën hijen e njëri-tjetrit. Sa dëgjimi i frymëmarrjes të jenë skajet e botëve që derdhen në një jehonë.
Kur dashuria të bën shenjë ta ndjekësh, edhe pse rruga e saj është e vështirë dhe e thyer, tregoni se jeni të denjë në betejën e zemrave. Dhe kur krahët e saj të të mbështjellin, do t’i dorëzohesh me patjetër, edhe sikur shpata e fshehur mes këmbëve të saj mund të të plagosë, shpalle dashurinë si qëndresë. Dhe kur ajo flet me ju, besoni në të, edhe pse zëri i saj mund të prishë ëndrrat tuaja, ndërsa era e veriut shkatërron kopshtin. Sepse ashtu si dashuria, ju kurorëzon, ashtu edhe shpirti do t’ju kryqëzojë në dashuri dhe dhimbje.
Ashtu si ai është për rritjen, ashtu është edhe për krasitjen tuaj që harbohet dalldisjeve. Edhe sikur të ngjitet në lartësinë tënde dhe të të përkëdhel, degët e tua më të buta që dridhen në diell, do të zbresin te rrënjët e tua dhe do t’i tundë ato në ngjitjen e tyre pas tokës…
Por nëse me frikën tënde do të kërkoje vetëm dashurinë, paqen dhe kënaqësinë e dashurisë, atëherë është më mirë për ty të mbulosh lakuriqësinë dhe të kalosh nga lëmi i dashurisë, në botën pa stinë, ku do të qeshësh, por jo me gjithë praninë e lumturisë tënde, dhe do të qash jo me të gjithë lotët që ke dhe hidhërimin që të sëmbon..
Dashuria nuk jep asgjë tjetër veç vetes dhe nuk merr asgjë veç vetes. Dashuria nuk zotëron dhe as nuk do të zotërohej; Sepse dashuria i mjafton dashurisë.
Dhe mos mendoni se mund ta drejtoni rrugën e dashurisë, nëse ajo ju gjen të denjë, drejton rrugën tuaj. Dashuria nuk ka dëshirë tjetër veçse të përmbushë vetveten.”
Por nëse doni dhe duhet të keni dëshira, le të jenë këto dëshirat tuaja: Të shkrihet dhe të jetë si një përrua i rrjedhshëm që i këndon melodinë e tij të natës. Të njohësh dhimbjen me shumë butësi. Të plagohesh nga vetë kuptimi i dashurisë dhe të rrjedh gjak me dëshirë dhe me gëzim.











