Nga Albert Vataj
Dikush u kujtua të vështronte lart qiellin e errësirës së shpellës, që të zbulonte një thesar të humbur në thellësinë e harrimit, që Italia të skedonte në visaret e saj të mrekullisë së artit, një kryevepër, që bota të pasurohej me shpirtin krijues të një piktori anonim, dhe besimi të bekohej nga lartësia e shëmbëllimit të hirit të hyjt.
Në thellësi të kanionit të gravinës në Matera, aty ku koha duket se ka ngrirë mes shkëmbinjve, qëndron një nga dëshmitë më rrëqethëse të artit evropian. Për breza me radhë, kjo hapësirë nuk ishte gjë tjetër veçse një e hambar e thjeshtë. Barinjtë lokalë futnin delet për t’u mbrojtur nga shiu e stuhitë, ndiznin zjarre për t’u ngrohur dhe mbështeteshin pas mureve të ftohta pa e çuar kurrë syrin lart. Ata nuk e dinin se, vetëm pak centimetra mbi kokat e tyre, nën një shtresë bloze e lagështire, pushonte një kryevepër e historisë së artit.
Në shekujt VIII-IX, kur Italia jugore ishte një udhëkryq kulturor mes ndikimit bizantin dhe sundimit lombard, një piktor anonim u fut në këtë shpellë vetmitare. I pajisur vetëm me dritën e zbehtë të kandilave të vajit dhe një përkushtim pothuajse mistik, ai pikturoi mbi shkëmb faqen e Krijimit.
Me një dorë të sigurt e të qetë, ai gdhendi e ngjyrosi figurat e Ademit dhe Evës, skenën e Mëkatit Origjinal, Nënën e Perëndisë dhe trupën e Apostujve të mbledhur në rreshta rigorozë. Por ajo që e bëri punën e tij unike ishte detaji stilistik. Nën këmbët e shenjtorëve, ai pikturoi një tapet me lule të egra të kuqe e të verdha. Ky detaj i papërsëritshëm bëri që shekuj më vonë historianët ta pagëzonin thjesht si “Piktori i Luleve të Materës”.

Me kalimin e shekujve, historia bëri kthesat e saj. Komunitetet murgjërore u larguan, rrugët tregtare ndryshuan dhe shpella u harrua nga bota e qytetëruar. Kisha e dikurshme u shndërrua në një stallë bagëtish. Për qindra vjet, bagëtitë kullosnin nën një nga ciklet më të rëndësishme të afreskeve mesjetare në Evropën Perëndimore. Bota ecën përpara, Rilindja lulëzoi e kaloi, ndërsa “Kapela Sistine” e artit rupestri mbeti e zhytur në harresë absolute.
Heshtja u thye në maj të vitit 1963. Një grup të rinjsh vendas nga Matera, të apasionuar pas historisë dhe eksplorimit të territorit, anëtarë të shoqatës kulturore Circolo La Scaletta, hynë në shpellën e njohur nga banorët thjesht si “Shpella e Njëqind Shenjtorëve”. Kur ngritën elektrikët e dorës drejt tavanit të harkuar, drita ndriçoi sytë e depërtueshëm të engjëjve dhe ngjyrat e gjalla që kishin mbijetuar nën blozë dhe lagështi.
Ata nuk kishin gjetur thjesht një shpellë të vjetër; kishin rizbuluar Kriptën e Mëkatit Origjinal, një monument që sot cilësohet padyshim si “Kapela Sistine e Artit Rupestri”.
Sot, pas një restaurimi monumental shkencor që hoqi shtresat e kripërave dhe papastërtive, shpella stresohet si një kujtesë e fuqishme. Ndonjëherë, arti më i madh nuk është ai që ndodhet në muzeumet më të mëdha të botës, i menaxhaur nga kushte perfekte dhe i ruajtur me masa të rrepta sigurie, por ai që pret i fshehur me durim në errësirë, duke pritur thjesht dikë që të kujtohet e të shikojë lart.
Mbijetesa e një kryevepre të tillë në ato kushte është për ekspertët një befasi, për besimtarët një mrekulli.











