Nga Albert Vataj
A e dini pse dy njerëz flasin me zë të lartë kur komunikojnë me njëri-tjetrin?
Në traditën e urtësisë lindore, që lidhet shpesh me frymën e poezisë sufiste të Rumiut e Hafizit, si edhe me mendimin filozofik indian, duke i dhënë përgjigje kësaj pyetje, na përcjell një të vërtetë të thellë dhe thelbësore për marrëdhëniet njerëzore, mbi komunikimin, inteligjencën emocionale dhe natyrën e marrëdhënieve.
Ajo përdor distancën fizike si metaforë për gjendjen e brendshme shpirtërore. Zëri nuk ngrihet për shkak të hapësirës që ndan dy trupa, por për shkak të largësisë që krijon egoja, inati apo moskuptimi.
Kur dy njerëz zemërohen, ata ndjehen të huaj dhe të rrezikuar nga njëri-tjetri. Bërtitja është një përpjekje instinktive por paradoksale për të kapërcyer humnerën që ata vetë e zgjerojnë dhe thellojnë.
Pra, në mënyrë që dikush ta dëgjojë tjetrin, ai duhet të bërtasë me zë të lartë për të mbuluar distancën e madhe që është gjeneruar sakaq mes tyre.
Sa më shumë të zemërohen ata, aq më fort duhet të bërtasin për t’u dëgjuar me njëri-tjetrin, edhe nëse janë ballë për ballë.
Sepse nuk kemi të bëjmë me moskuptim si çështje zëri por zemre.
I kundërta është rasti kur komunikimi është mirëkuptim përmes thjeshtësisë së hirshme të fjalës dhe menaxhimit të tonit të zërit.
Ideal është përdorimi i këtij misteri të qenies, i tingëllimës së shpirtit, kur dy njerëz janë të dashuruar, ose mes tyre zemrat ushtrojnë një forcë tërheqëse.
Ata nuk kanë nevojë të bërtasin.
Ata flasin në heshtje dhe butësi.
Ata vetëm buzët lëvizin dhe kaq mjafton për t’u dëgjuar.
Sepse zemrat e tyre janë shumë afër. Distanca ndërmjet është minimale. Ndonjëherë ato janë kaq afër, saqë as nuk kanë nevojë të flasin.
Ata vetëm pëshpëritin. Dhe kur dashuria e tyre është shumë e fortë, ata as nuk kanë nevojë për zëshmëri të mendimeve. Ata vetëm duhet të shihen, dhe kaq mjafton që të kuptojnë përsosmërisht njëri-tjetrin.
Ky është gjithmonë rasti kur dy të dashurit i afrohen njëri-tjetrit, për të mos komunikuar me zërin e fjalës por me atë të zemrës.
Kur të bisedoni, këshillojnë mëkuesit e dritës, mos lejoni që zemra juaj të distancohet, mos thoni fjalë që të largojnë dhe mos përdorni ton të lartë zëri që ju dëbon, sepse do të vijë një ditë kur distanca do të jetë aq e madhe saqë fjalët tuaja do ta humbin aftësinë për t’u dëgjuar, nuk do të gjejnë më rrugën e kthimit për të pranuar njëri-tjetrin.
Çdo fjalë e thënë në zemërim vepron si një gurë që ne vemë në murin e ndarjes. Nëse lejohet që ky mur të ngrihet pa kontroll, do të vijë një moment ku distanca emocionale dhe largësia e mosdëgjimit, bëhet aq e madhe, sa asnjë e bërtitur nuk do të mund ta kapërcejë më atë, duke çuar në humbjen e aftësisë së zemrës për t’u dëgjuar, shpirtit për t’u pranuar, dhe vetmisë për të na burgosur.











