Nga Albert Vataj
Në udhëkryqin ku përplaset etja njerëzore për kuptim me heshtjen e ftohtë të gjithësisë, Albert Kamy ngriti njërën prej godinave më të fuqishme të mendimit modern, filozofinë e Absurdit. Për autorin e “I huaji” dhe “Miti i Sizifit”, njeriu nuk është një qenie që jeton, por një kërkues i pashpresë që përplaset pas mureve të padijes së vet. Kërkimi për të kuptuar “Unin” dhe botën që e rrethon zbulon një ekstremitet të dhimbshëm, atë se sa më shumë që shkenca, logjika apo filozofia përpiqen ta zbërthejnë ekzistencën, aq më shumë ajo u rrëshqet nga duart kërkuesve, duke u shndërruar në metaforë apo poezi.
Fragmenti i mëposhtëm nga “Miti i Sizifit” është një meditim tronditës mbi kufijtë e njohjes njerëzore, një thirrje me zë të ulët që na kujton se, në fund të çdo teorie apo përpjekjeje racionalizuese, njeriu mbetet gjithmonë një i huaj, i paaftë të rrokë thelbin e vetvetes dhe i pafuqishëm për të zotëruar sekretin e botës.
Për cilin dhe për çfarë mund të them: “E njoh!”? Këtë zemër brenda vetes unë mund ta ndjej dhe të pohoj se ekziston. Këtë botë unë mund ta prek e të them se po, ajo është. Këtu përfundon e gjithë shkenca ime, pjesa tjetër është spekulim. Po të përpiqesha të rrokja “Unin” tim, për të cilin jam i sigurt se ekziston, po të përpiqesha ta përkufizoja, ta përmblidhja në thelbin e vet, do të shihja se është ujë që më rrëshqet nëpër gishta.
Unë mund të vizatoj një e nga një të gjitha pamjet që ai di të marrë, të gjitha dukjet që i kanë dhënë të tjerët, edukatën, origjinën, vrullin apo heshtjen, madhështinë ose poshtërsinë e tij. Por kjo zemër që është e imja do të mbetet përgjithmonë e panjohur. Midis sigurisë që kam për ekzistencën time dhe përmbajtjes që përpiqem t’i jap kësaj sigurie, hendeku nuk do të mbushet kurrë. Unë do të jem përgjithmonë i huaj për vetveten.
Në psikologji, ashtu si në logjikë, ka gjithmonë të vërteta, por kjo nuk është aspak E Vërteta. Thënia e Sokratit “Njih vetveten” ka po kaq vlerë sa edhe ajo “Ji i virtytshëm” i rrëfyesve tanë. Ato dëshmojnë për nostalgjinë dhe, në të njëjtën kohë, për padijen tonë. Këto janë lojëra shterpë mbi problemet e mëdha, ato janë të përligjura vetëm në atë masë sa janë të përafërta.
Shihni këto pemë, unë e njoh ashpërsinë e tyre, marr ujin dhe unë e provoj shijen e tij. Aromën e barit, yjet, netët, disa mbrëmje kur zemra çmohet e ç’tendoset… Si mund ta mohoj këtë botë, fuqinë dhe forcën e së cilës unë e provoj? Megjithatë, e gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak për të më siguruar se kjo botë është e imja. Ju ma përshkruani dhe më mësoni ta klasifikoj, ju më numëroni ligjet e saj dhe unë, i etur për dije, i pranoj si të vërteta. Ju zbërtheni mekanizmin e saj dhe tek unë shpresa rritet. Në fund, ju më mësoni se kjo gjithësi madhështore dhe e larmishme përbëhet nga atome, e vetë atomi përbëhet nga elektrone. Të gjitha këto janë të drejta dhe unë pres që ju të vazhdoni më tej. Por ju më flisni për një sistem planetar të padukshëm, ku elektronet vërtiten rreth një bërthame. Ju ma shpjegoni këtë botë me anë të një figure. Atëherë unë vërej se kemi hyrë në lëmin e poezisë, të cilën nuk do ta njoh kurrë. A kam kohë të zemërohem? Ndërkohë, ju keni ndërruar teori. Kështu shkenca, e cila duhej të më mësonte gjithçka, bëhet hipotetike, qartësia shndërrohet në metaforë dhe pasiguria kthehet në vepër arti. Dhe përse më deshën aq shumë përpjekje?
Konturet e buta të kodrave dhe dora e mbrëmjes mbi një zemër të plagosur më mësojnë shumë më tepër. Arrita atje ku u nisa. E kuptoj që, nëse nëpërmjet shkencës mund t’i rrok dukuritë e t’i numëroj ato, nuk mundem, megjithatë, ta kuptoj botën. Edhe sikur me gisht ta përshkoja gjithë relievin e saj, përsëri nuk do ta njohja më mirë. Dhe ju më vini të zgjedh midis një përshkrimi që është i sigurt, por që nuk më mëson asgjë, dhe hipotezave që pretendojnë të më mësojnë, por që nuk janë aspak të sigurta.
I huaj për vetveten dhe për botën! I armatosur përballë rreziqeve vetëm me një mendim që e mohon vetveten sapo ta pohojë atë… Cila është ajo gjendje ku unë mund të jetoj i qetë, duke mos pranuar të mësoj e të jetoj atje ku dëshira për fitore ndeshet me pengesa që përballojnë sulmet e saj? Të dëshirosh do të thotë të nxitësh paradokse. Gjithçka është rregulluar në mënyrë të tillë që të lindë kjo paqe e helmatisur, e cila sekretohet nga moskokëçarja, gjumi i zemrës ose vetëmohimet vdekjeprurëse.
Ku e gjen veten njeriu i sotëm përballë kësaj humnere ekzistenciale që përshkruan Kamy?
Sot, më shumë se kurrë, njeriu bashkëkohor jeton në paradoksin e madh të një bote super-teknologjike dhe të mbingarkuar me informacion, por rrënjësisht unike në vetminë e saj. Ne kemi në dorë mjetet për të matur e klasifikuar çdo grimcë të gjithësisë, e megjithatë mbetemi po aq analfabetë përpara sekretit të shpirtit tonë. Shkenca e sotme na jep të dhëna, por nuk na jep kuptim, rrjetet na japin lidhje, por nuk na çlirojnë nga e qenit “të huaj”.
Njeriu modern e gjen veten të mbërthyer midis dy rrugëve, të dorëzohet në paqen e helmatisur të moskokëçarjes, duke u arratisur pas konsumizmit, zhurmës ditore dhe ekranit që i mpin zemrën, ose të pranojë absurditetin e kushtit të tij njerëzor. Kamy nuk na fton te dëshpërimi apo te dorëzimi vdekjeprurës, por te ndërgjegjësimi.
Të jesh “i huaj” për vetveten dhe botën nuk është një dënim pashmangshmërisht tragjik, është pikënisja e lirisë sonë të vërtetë. Vetëm pasi pranojmë se bota nuk na sjell asnjë përgjigje përfundimtare dhe se “Uni” ynë rrëshqet si uji ndër gishta, mund të mësojmë ta jetojmë jetën me të gjithë fuqinë e saj, duke gjetur paqen te prekja e mbrëmjes, te bukuria e një çasti të papërsëritshëm dhe te guximi për të ecur përpara, njëlloj si Sizifi, me buzëqeshje përballë malit të vet të panënshtrueshëm.











