Nga Albert Vataj
Róża Maria Goździewska, ishte një vajzë polake, asokohe vetëm 8 vjeç.
Fare e vogël për të hyrë në histori.
E paimagjinueshme për të sendërtuar një realitet, në të cilin ajo lëviz si një mirazh.
Ajo kishte ardhur me një mision, duhej ta përmbushte pa e ditur se si.
Ishte vetëm një vajzë e vogël, në botën e përbindshme të tmerreve të luftës.
Në mes të shkatërrimit dhe barbarisë së Luftës së Dytë Botërore, u bë infermierja më e vogël e rezistencës gjatë Kryengritjes së Varshavës në vitin 1944.
E njohur si “Różyczka”, trëndafili i vogël, ajo nuk mbante pushkë, por mbante ujë për të plagosurit, ngushëllim për të dëshpëruarit, buzëqeshje për ata që kishin harruar se çfarë ishte gëzimi.
Në një spital të improvizuar në bodrum, në një qytet që digjej dhe vritej çdo ditë, ajo fshinte ballin e pacientëve, përzinte mizat nga plagët e tyre dhe fliste me një zë që i kujtonte jetës se ende kishte kuptim.
Por kjo vajzë e vogël nuk erdhi në atë ferr me një pafajësi të paprekur. Në vitin 1943, ajo pa me sytë e saj sesi babai i saj u vra nga Gestapo. Motra e saj, Zofia, e cila ishte 19 vjeç gjatë kryengritjes, kujton se si ato u larguan nga shtëpia në flakë në rrugën Kredytowa nr. 16. Ishin në mes të asgjësë, në mes të një qyteti që po dergjej nën këmbët e nazistëve.
Kryengritja zgjati 63 ditë dhe ishte përpjekja më e madhe ushtarake e çdo lëvizjeje rezistence në Evropë kundër pushtimit gjerman gjatë luftës. Por fundi qe tragjik, rreth 200,000 civilë u masakruan, qyteti u kthye në gërmadha dhe Varshava humbi 85% të trupit të saj.
Różyczka dhe Zofia shpëtuan. Lufta nuk i mori, edhe pse ua rrëmbeu fëmijërinë, familjen, paqen. Róża u diplomua në Universitetin e Teknologjisë në Silesi dhe më pas u shpërngul në Francë ku ndërtoi një jetë të re. U bë nënë. Vdiq në vitin 1989, në moshën 53-vjeçare.

Sot, ajo jeton në një fotografi që nuk ka nevojë për fjalë. Buzëqeshja e saj e ndrojtur, e ndriçuar nga drita e një dritareje të pasigurt, është fytyra e shpresës në një botë që po digjej. Është fytyra që Eugeniusz Lokajski, një luftëtar i Ushtrisë Shtëpiake dhe fotograf, arriti të ruajë për ne, një nga imazhet e rralla të një fëmije që buzëqesh gjatë luftës. Dhe kjo buzëqeshje, edhe sot, është më e fortë se çdo makinë lufte, më e rëndë se çdo akt i dhunës.
Sepse fëmijët nuk janë spektatorë në luftë. Ata janë dëshmitarë. Janë plagët që ecin, janë kujtimet që rriten me ne.
Nëpërmjet figurës së Różyczkës, kujtojmë se çdo akt lufte është një vrasje e pafajësisë, një fyerje ndaj jetës së papërgatitur. Por njëkohësisht, kujtojmë edhe se shpresa është një vajzë e vogël që nuk e braktis detyrën, edhe kur bota bie mbi të.











