Albert Vataj
Një përshpëritje kujtese për fëmijët e braktisur të fatit…
Në vorbullën e thellë të shekullit XVIII, në një Londër të mbytur nga varfëria, padrejtësia dhe paragjykimi, u shkrua një kapitull i trishtuar, por thellësisht njerëzor. Ishte një histori që nuk u bë kurrë kryefjalë e kronikave të mëdha, por që vazhdon të përshpërijë edhe sot përmes fijeve të holla të pëlhurave të copëzuara, të ruajtura me një dashuri që kapërcen kohën.
Midis viteve 1741 dhe 1760, mbi 4,000 foshnje u lanë në dyert e Foundling Hospital në Londër, një strehë ku kryqëzohej shpresa me dëshpërimin, e themeluar më 1739 nga filantropi, Thomas Coram për t’u kujdesur për ato jetë që sapo kishin nisur, por që rrezikoheshin nga braktisja e pamëshirshme.
Nuk ishte thjesht numri i madh ai që të trondit, as ashpërsia e asaj epoke. Është heshtja therëse me të cilën ndodhte kjo ndarje mes nënës dhe foshnjës, një shurje e gjëmimit të zemrës që rëndon në shpirt më fort se çdo ulërimë. Në ato çaste tmerri dhe dhimbjeje, kur nëna dorëzonte fëmijën e saj në duart e të panjohurës, ajo linte pas një shenjë, një copëz të vogël pëlhure, të prerë me nxitim nga fustani i saj apo nga rrobat e foshnjës. Ajo copë ishte një kod sekret identiteti, një premtim kujtimi dhe, mbi të gjitha, një dëshmi dashurie.
Këto copa të thjeshta tekstili, të ngjitura me kujdes në regjistrat e zymtë të pranimit të spitalit, janë ndoshta një nga shfaqjet më prekëse të shpirtit njerëzor. Ato përfaqësojnë gjuhën e paartikuluar të një zemre që thyhet, por që refuzon të harrojë.

Secila prej këtyre shenjave është një poezi e shkruar nën një qiell të ngrysur trishtimi. Ato nuk flasin, por pëshpërisin, nuk tregojnë, por rrëfejnë. Brenda tyre fshihen fragmente jete, shprese dhe humbjeje. Përmes një shiriti mëndafshi, një cope me lule apo një fjongoje të lidhur me dorë, shpërfaqet ajo dashuri amëtare që, ndonëse e pafuqishme për të mbrojtur, mbetet e pavdekshme.
Foshnja Nr. 2,584: Sarah Barber. U pranua më 27 tetor 1756. Bashkë me të, nëna la një copë pëlhure me lule të shtrenjta, ndoshta nga e vetmja veshje e çmuar që zotëronte. Sara jetoi vetëm pesë vjet, ndërroi jetë më 17 mars 1761. Brenda atij pesëvjeçari fshihet një jetë e tërë e pathënë.
Foshnja Nr. 170: Pamela Townley. Erdhi në këtë botë për t’u larguar shpejt, e shoqëruar nga një tufë prej katër shiritesh mëndafshi, i verdhë, blu, jeshil dhe rozë. Pamela vdiq përpara se të festonte ditëlindjen e saj të tretë. Çfarë ngjyrash të gjalla për një jetë kaq të shkurtër! Ngjyra që nuk shërbyen për festë, por për një lamtumirë të heshtur.
Këto orendi të brishta nuk janë thjesht mbetje tekstili, ato janë relikte shpirtërore. Janë mbijetesa e vetme e një ndjenje që s’u shpreh dot kurrë me fjalë, që s’mund t’i shpëtonte dot trupin fëmijës, por që lutej t’i ruhej shpirti. Sot, ato nuk shërbejnë thjesht si dokumente arkivore për identifikim, por si ikona të dhimbjes universale të nënës, si dëshmi se dashuria ndonjëherë shfaqet më pastër në aktin e dhimbshëm të dorëzimit sesa në atë të mbajtjes.
Ky muze i brishtë i kujtesës njerëzore, që mbron pjesëzat e jetës së fëmijëve të harruar, është në vetvete një tempull i shenjtë. Ai na kujton se shpesh, më shumë se historia e mbretërve, e luftërave dhe e triumfeve të mëdha, ajo që duhet të dëgjojmë me vëmendje është historia e një cope të vogël pëlhure. Një copë që mban në palët e saj lotë të tharë dhe një emër të thjeshtë, emrin e dikujt që bota e harroi, por që për një nënë ishte gjithçka.
Kjo panoramë trishtimi nuk u stis nga ndonjë mendje e errët trilli, por u nënshkrua nga një realitet ferri.
Në shekullin XVIII, shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Londër ishte e tmerrshme. Në lagjet e varfra, rreth 75% e fëmijëve vdisnin para se të mbushnin 5 vjeç. Foundling Hospital arriti ta përgjysmonte këtë shifër, çka për kohën ishte një triumf i vërtetë mjekësor dhe sanitar.
Nga mbi 4,000 fëmijët e pranuar në atë periudhë të parë, veçanërisht gjatë periudhës së “Pranimit të Përgjithshëm” kur spitali u financua nga parlamenti, rreth 33% deri në 40% e fëmijëve nuk ia dolën dot dhe vdiqën gjatë viteve të para të jetës, siç ishte fati i dhimbshëm i Sarah-s dhe Pamelës që përmendëm në tekst. Sëmundjet e kohës si lija, llojet e ndryshme të febreve dhe kequshqyerja fillestare ishin vdekjeprurëse.
Rreth 60% e fëmijëve ia dolën t’i mbijetonin fëmijërisë së hershme, duke arritur moshën e rritur.
Spitali kishte një sistem të rreptë dhe të mirëmenduar për t’u dhënë këtyre fëmijëve një mundësi reale.:
Nga këto dërgimi në fshat. Sapo pranoheshin në Londër, foshnjat dërgoheshin menjëherë te djem e vajza në fshatrat rreth qytetit. Ajri i pastër i fshatit dhe ushqimi me gji larg Londrës së ndotur ishte arsyeja kryesore pse shumë prej tyre mbijetuan.

Në moshën 4-5 vjeçare, fëmijët që mbijetonin ktheheshin në spitalin e Londrës. Atje merrnin një edukim bazë, mësonin të lexonin, të shkruanin dhe kryesisht ushtroheshin në zanate praktike.
Kur mbushnin 14 vjeç, spitali u gjente atyre kontrata pune, vajzat zakonisht si shërbëtore shtëpie apo në tekstile, ndërsa djemtë në ushtri, marinë ose si vajbërës e zanatçinj. Në këtë moshë, ata konsideroheshin zyrtarisht të pavarur dhe të shpëtuar.
Sa nëna u kthyen për t’i marrë?
Dhe këtu kthehemi te copëzat e pëlhurës. Ato pëlhura shërbenin që, nëse fati i nënës ndryshonte, ajo të mund të provonte pronësinë dhe të tërhiqte fëmijën.
Historia tregon se vetëm një numër i vogël, rreth 100 deri në 200 nëna nga ato mijëra, arritën të ktheheshin ndonjëherë me copën e tyre të përputhshme të pëlhurës për të kërkuar fëmijën e tyre. Për pjesën tjetër, pëlhura mbeti thjesht një lamtumirë e përjetshme.
Në fund të fundit, këto shenja janë lutje të qepura në tekstil. Janë kujtesa e një bote që s’donte të ndante, por që u detyrua të braktiste. Ato mbeten testamenti i një dashurie që nuk pushoi kurrë së shpresuari se një ditë fëmija do të kthehej, do të njihej përmes asaj cope dhe do të përqafohej përsëri. E deri sa ai çast të vinte, pëlhura do të qëndronte aty, si një pjesëz shpirti e varur në faqen e një libri të vjetër, e heshtur, por e përjetshme.











