Dhjetor 1926. Një sanatorium në Alpet zvicerane, i rrethuar nga dëbora dhe heshtja, Rainer Maria Rilke po jepte frymën e fundit në moshën 51-vjeçare. Leuçemia, një formë e rrallë dhe akute e saj, po ia shkatërronte trupin prej vitesh në fshehtësi. Diagnoza erdhi tmerrësisht vonë, vetëm pak javë para vdekjes. Deri atëherë, mjekësia e kohës nuk mund të bënte asgjë.
Por ekziston një histori që refuzon të vdesë, një mit aq i përsosur sa duket i sajuar nga vetë dora e fatit.
Midis vjeshtës dhe dimrit të atij viti, Rilke po mblidhte trëndafila në kopshtin e tij në kështjellën e Muzot për të nderuar një vizitore të re, poeteshën egjiptiane Nimet Eloui Bey. Gjatë këtij gjesti xhentil, ai shpoi gishtin me një gjemb. Për shkak të leuçemisë së padiagnostikuar, sistemi i tij imunitar ishte i rrënuar. Plaga nuk u mbyll kurrë, ajo u infektua, u shndërrua në qelbëzim të dhimbshëm, që i mori gjithë krahun dhe shpejtoi acarimin përfundimtar.
Poeti që kishte shkruar për trëndafilat me një përshpirtje pothuajse mistike, u rrëzua nga njëri prej tyre. Dokumentet mjekësore konfirmojnë se shkaku real ishte leuçemia, por gjembi mbeti si shkaktari mitik, një bashkim i përsosur i jetës dhe estetikës së tij.
René Karl Wilhelm Johann Josef Maria Rilke lindi në Pragë më 1875, nën qiellin e rëndë të Perandorisë Austro-Hungareze.
Fëmijëria e tij ishte një skenografi e errët psikologjike. E ëma, Phia, e dërrmuar nga humbja e vajzës së saj të parë që jetoi vetëm pak javë, e veshi Rilken si vajzë deri në moshën 6-vjeçare dhe e thërriste “Renée”. Më pas, i ati, duke kërkuar të kompensonte dështimet e veta ushtarake, e dërgoi në një akademi të rreptë ushtarake. Për një djalosh me ndjeshmëri të tejskajshme, ky ishte një ferr i vërtetë.
Rilke u arratis te gjuha. Poezia nuk ishte thjesht pasion, ishte i vetmi oksigjen që kishte në dispozicion.
Ndryshe nga romantikët e thjeshtë, Rilke krijoi një poezi të re metafizike. Ai nuk shkruante për ndjenjat e tij, por zbulonte “shpirtin” e gjërave të jashtme, një karusel, një panterë pas hekurave, apo një statujë e vjetër.
Gjatë jetës së tij shtegtare, ai u ushqye nga mendjet më të mëdha të kohës, si Lou Andreas-Salomé, gruaja intelektuale që u bë muza, e dashura dhe mentorja e tij, ajo madje ia ndryshoi emrin nga René në Rainer, duke e bërë të tingëllonte më gjermanik dhe i fortë.
Nga të njohurit e poetit ishte edhe Leo Tolstoy, të cilin Rilke e vizitoi në Rusi dhe prej të cilit mori një kërkim të thellë shpirtëror dhe mistik.
Edhe Auguste Rodin ishte një tjetër yll në galaksinë e tij. Në Paris, Rilke punoi si sekretar i skulptorit të madh. Rodin e mësoi atë ta shihte poezinë jo si një pritje pasive të frymëzimit, por si një punë artizanale intensive, ku sendet duhen vrojtuar me muaj të tërë para se të kthehen në fjalë.
Veprat e tij madhore u rritën përmes një procesi torturues dhe magjik.
Elegjitë e Duinos i nisi në vitin 1912 në kështjellën e Duinos në rrethinat e Triestes, pasi dëgjoi një zë përmes stuhisë që thoshte: “Kush, po të bërtisja, do të më dëgjonte mua nga urdhra e engjëjve?”. Atij iu deshën dhjetë vjet krizash ekzistenciale dhe bllokimi krijues për t’i përfunduar ato në vitin 1922.
Sonetet ndaj Orfeut, shpërthyen si një uragan brenda vetëm tri javëve të vrullshme në shkurt të vitit 1922. Ishte një lumë frymëzimi që Rilke vetë e quante “një diktim hyjnor”.
Në javët e tij të fundit në Val-Mont, i dërrmuar nga dhimbjet e tmerrshme të leuçemisë, Rilke refuzoi narkotikët sepse donte ta mbante mendjen plotësisht të kthjellët. Ai donte ta “përjetonte” vdekjen e tij, jo ta gjumonte atë.
Aty ai shkroi epitafin e tij të famshëm, të cilin kërkoi të gdhendej mbi varrin e tij në Raron të Zvicrës:
Trëndafil, o kundërthënie e kulluar, dëshirë
për të mos qenë gjumi i askujt nën aq shumë qepalla.
Trëndafili, me petalet e tij të palosura si qepalla, mbron një gjumë që nuk i përket askujt, ashtu si poezia.
Rilke nuk është një poet që lexohet për t’u ngushëlluar në darkë. Ai është i vështirë, kërkues dhe shpeshherë hermetik. Ai na mëson të dashurojmë vetë pyetjet, siç shkroi te Letra një Poeti të Ri: “Mos kërko tani përgjigjet që nuk mund t’i marrësh, sepse nuk do të ishe në gjendje t’i jetoje ato. Dhe ideja është të jetosh gjithçka. Jetoini pyetjet tani.”
Ndikimi i tij mbi shkrimtarët e mëvonshëm si W. H. Auden, Czesław Miłosz, apo Wallace Stevens është i pamohueshëm. Ai tregoi se njeriu mund të qëndrojë përballë tmerrit të ekzistencës dhe vdekjes, dhe sërish të nxjerrë prej saj një bukuri absolute.
Legjenda e gjembit të trëndafilit do të jetojë përgjithmonë, jo sepse historianët e mjekësisë besojnë te përrallat, por sepse për një njeri që jetoi si poezi, as vdekja nuk mund të ishte thjesht një kartelë klinike.











