Albert Vataj
“Nuk është e vështirë ta duash atë. Është e vështirë ta bindësh.”
Në këtë premisë vërtitet e gjithë drama e saj e brendshme. Dashuria, në formën e saj primitive, është një impuls spontan, një rrymë që rrjedh pa sforcim. Por për një qenie që ka kaluar përmes thyerjeve, dashuria pushon së qeni thjesht një ndjenjë, ajo kthehet në një territor ku kërkohet sovranitet dhe siguri. Vështirësia për ta bindur nuk buron nga arroganca apo dëshira për pushtet, por nga një instinkt i pastër vetëmbrojtjeje. Jeta e ka zhveshur nga naiviteti kronik dashurinë. Ajo e ka kuptuar se fjalët janë monedha e lirë e njerëzimit, ato mund të stampohen pa vlerë ari prapa tyre. Promesat e thyera dhe duart që u lëshuan në mes të rrugës, kanë krijuar një filtër të ri të perceptimit. Ndaj, ajo nuk dëgjon më deklaratat, por analizon strukturën e heshtjes. Ajo bëhet një interpretuese e imtësive, vëren pauzat e pajustifikuara, nuancat ku zëri dridhet, dhe atë zonë të rrezikshme ku veprat fillojnë të tërhiqen nga fjalët. Për të, mospërputhja më e vogël nuk është thjesht një harresë, është një alarm i hershëm rreziku.
Ajo mbart në vete një gjeografi të tërë të padukshme plagësh, beteja që nuk lanë dëshmitarë dhe frikëra që shpesh nuk gjejnë dot as rrugën e fjalës për t’u shpjeguar. Kur ajo tërhiqet, bota e keqkupton shpesh si ftohtësi apo indiferencë. Por tërheqja e saj është në fakt një akt mbledhjeje në vete, një nevojë për të rindërtuar energjinë e shpenzuar. Për këtë lloj natyre, të kujdesurit për dikë, investimi emocional dhe hapja e shpirtit, kanë pasur një kosto ekzistenciale jashtëzakonisht të lartë. Ajo ka paguar me pjesë nga vetvetja për çdo iluzion të humbur. Distanca që ajo vendos herë pas here nuk është braktisje e tjetrit, por një strehë emergjence ku ajo shkon për të mjekuar veten, që të mos lejojë që lëndimi të kthehet në helm apo cinizëm ndaj botës.
Në një epokë marrëdhëniesh të lëngshme dhe të përkohshme, ku gjithçka zëvendësohet me shpejtësi, ajo nuk kërkon një princ të përsosur e as një shpëtimtar që të marrë përsipër “riparimin” e jetës së saj. Ajo e njeh forcën e vet dhe e di që mund t’i mbajë peshat e saj. Ajo që kërkon është diçka shumë më e rrallë, qartësi dhe qëndrueshmëri. Ajo ka nevojë për një prani që nuk lëkundet nga stuhitë e vogla të përditshmërisë, një njeri, synimet dhe sjellja e të cilit mbeten të njëjta si në ditët e kthjellëta, ashtu edhe në ato të zymta. Ajo kërkon një liman ku ligjet e mikpritjes nuk ndryshojnë sipas motit apo humorit të momentit. Ky lloj stabiliteti është e vetmja gjë që mund t’i bëjë muret e saj mbrojtëse të duken të tepërta.
Rënia e mureve të saj nuk është një dorëzim, është një triumf. Nëse ajo arrin të të besojë, pas një procesi të gjatë dhe të kujdesshëm verifikimi, ajo që zbulohet prapa atyre mureve është një dashuri e një kualiteti tjetër. Është një dashuri e zhveshur nga egoizmi djaloshar, një ndjenjë që kërkon fare pak hapësirë e protokoll, por që ofron një tërësi absolute. Kjo është dashuria e të pjekurve përmes vuajtjes, një qëndrim që nuk ka nevojë për audiencë apo vërtetim publik, aftësia për të të zgjedhur ty edhe kur e gjithë bota lëkundet dhe një dimension ndjenje që zotërohet vetëm nga ata që kanë parë fundin e greminës emocionale dhe kanë arritur të ngjiten sërish lart.
Njerëzit që nuk kanë vuajtur kurrë mund të duan me pasion, por vetëm ata që kanë njohur thyerjen mund të duan me mëshirë, mirëkuptim dhe një pafundësi të qetë.
“Sepse zemrat më të forta nuk janë ato që nuk janë thyer kurrë. Janë ato që ende gjejnë guximin për të dashuruar përsëri.”
Të mbetesh i paprekur nga dhimbja nuk është forcë, është thjesht fat ose mospjesëmarrje në jetë. Forca e vërtetë, ajo që i ngjan procesit të *Kintsugi-t* japonez, ku qeramika e thyer ngjitet me flori për t’i bërë shenjat pjesë të bukurisë së objektit, qëndron te aftësia për të pranuar thyerjen pa u bërë skllav i saj. Guximi për të dashuruar përsëri, pasi ke njohur tradhtinë apo humbjen, është akti më i lartë i kryengritjes njerëzore kundër fatalitetit. Është deklarata e shpirtit se drita dhe shpresa kanë gjithmonë më shumë të drejtë mbi ekzistencën sesa frika dhe errësira e së shkuarës.











