Albert Vataj
Kjo deklaratë është një nga thikat më ngushëlluese, por edhe më të mprehta që njerëzimi ka ngulur në vetëdijen e tij. Shumë njerëzve u pëlqen t’i dorëzohen parathënies së fatit. Ideja e një skenari të parashkruar i magjeps, sepse ajo, mbi të gjitha, të çliron nga përgjegjësia. Kur rrëzohen dhe dështojnë, njerëzit psherëtijnë: “Ishte e shkruar, ky ishte fati im.” Kur dorëzohen përpara se të nisin betejën, thonë: “Nuk ka qenë e thënë.” Kur gjenden para udhëkryqeve të tmerrshme dhe dridhen nga frika e një vendimi, ata ia lënë timonin jetës, duke pritur që rryma t’i përplasë diku, dallgët të jenë të mëshirshme sepse erdha në këtë jetë me mirësi e dashuri dhe kam ende shpirt për t’i blatuar shenjtërisë së jetës.
Megjithatë, Sartre besonte se njerëzit e përdorin fatin si një maskë prej dylli, një strehë hipokrite për t’i shpëtuar një të vërtete rreptësisht të drejtë edhe pse të papranueshme prej tyre. Se ata, janë vetë ata arkitektët e vetëm të rrënimit ose të ngritjes së tyre. Se janë absolutisht përgjegjës dhe meritues për atë që bëhen.
Sartre goditi themelet e fatalizmit duke argumentuar se njeriu nuk lind me një kuptim të parakohshëm, as me një kod gjenetik apo hyjnor që dikton se çfarë do të jetë. Përkundrazi, njeriu hidhet në botë nudo, i papërfunduar, i lënë në mëshirë të hapsirës… dhe vetëm pastaj fillon të vizatojë konturet e veta përmes veprimeve. Ky është rrethi i zjarrtë i postulatit të tij të famshëm:”Ekzistenca i paraprin thelbit.”
Së pari ekziston, gjendesh këtu, preket e prek, dhe pastaj, pikë për pikë, krijon thelbin tënd sipas modulimit të zemrës dhe nendjes, shpirtit dhe ëndrrave. Mendojeni për një çast: Askush nuk lind trim apo frikacak. Pikë. Askush nuk mban në gjak bujarinë apo koprracinë si një damkë të pashlyeshme. Këto cilësi nuk bien nga qielli si vesë e mëngjesit, ato janë sedimente të zgjedhjeve të përsëritura.
Çdo vendim i vogël që merr, vendos një tullë në muret e karakterit tënd.
Çdo udhëkryq me të cilin përballesh, gdhend një tipar të ri në portretin e identitetit tënd.
Prandaj, për Sartre, njeriu nuk është një monument statik, një skulpturë e përfunduar që thjesht mbledh pluhurin e kohës. Njeriu është një projekt i vazhdueshëm, një dorëshkrim i hapur që rishkruhet çdo ditë me bojën e vendimeve të veta.
Por ky nocion është i frikshëm, gati tmerrues. Ai i zhvesh lakuriq justifikimet më të dashura dhe më komode të njerëzimit. Kur alibitë e fatit shemben dhe nuk ka më një skenar të paracaktuar, kush mbetet fajtor për jetën tënde? Kur nuk ka asnjë dorë të padukshme që të ka vizatuar rrugën, kush do t’i mbajë mbi shpinë pasojat e rënda të hapave të tu?
Për Sartre përgjigja të pret në fund të pasqyrës, e prerë dhe e pamëshirshme: Ti dhe vetëm ti.
Këtu e ka burimin ai që quhet “ankthi ekzistencial”. Është ajo ndjesi (vertigini), një rëndesë në stomak kur kupton se jeta jote nuk ka asnjë rrjet sigurie të paracaktuar. Ti je i vetëm në timon, i virgjër të fatit tënd. Liria, në këtë dritë, pushon së qeni një dhuratë apo një privilegj që merret si i mirëqenë, ajo kthehet në një barrë të rëndë ekzistenciale. Prandaj filozofi shkroi fjalët që sot tingëllojnë si një klithmë:”Nën mallkimin e lirisë, njeriu është i dënuar të jetë i lirë.”
Fjala “i dënuar” tingëllon paradoksale, por ajo fsheh një të vërtetë absolute, se njeriu nuk mund t’i shpëtojë dot zgjedhjes. Edhe kur zgjedh të mos zgjedhësh, ti tashmë ke bërë një zgjedhje, ke votuar për pasivitetin. Edhe kur i dorëzohesh rrethanave pa bërë zë, ti ke marrë një pozicion politik dhe ekzistencial ndaj tyre. Jeta nuk ka stol për spektatorët, je lojtar në fushë, do apo nuk do.
A do të thotë kjo se rrethanat janë thjesht një iluzion dhe se gjithçka është e lehtë? Sigurisht që jo. Sartre nuk e mohonte varfërinë, sëmundjet, tmerret e luftërave apo prangat e rënda të rrethanave sociale. Ai e dinte se bota mund të jetë një kafaz i egër. Por ai besonte me ngulm se, brenda çdo kafazi, qenia njerëzore mbetet rrënjësisht e lirë në një pikë, në mënyrën se si zgjedh t’i përgjigjet asaj që i ndodh.
“Nuk ka rëndësi çfarë kanë bërë me ne, rëndësi ka çfarë bëjmë ne me atë që kanë bërë me ne.”
Ju nuk mund të zgjidhni koordinatat e lindjes suaj, as epokën dhe as plagët fillestare. Por ju mund të zgjidhni qëndrimin tuaj përballë tyre. Nuk mund të zgjedhësh letrat që fati t’i ka hedhur mbi tryezë në këtë lojë të jetës, por është tërësisht në dorën tënde se si do të luash me to. Dhe pikërisht për shkak të këtij qëndrimi, njeriu refuzon të jetë thjesht një viktimë pasive e rrethanave, ai shndërrohet në një qenie që i jep kuptim, dritë apo errësirë, asaj që po i ndodh.
Në fund të ditës, kur Sartre thoshte se nuk ka fat, por vetëm zgjedhje, ai nuk po predikonte se njeriu është një zot i plotfuqishëm që kontrollon çdo grimcë të universit. Përkundrazi, ai donte të na kujtonte se, edhe në kushtet më ekstreme, njeriu ruan një dhomë të vogël, një shenjtërore lirie të brendshme që asnjë tiran dhe asnjë fatkeqësi nuk mund t’ia rrëmbejë dot. Një hapësirë sovrane që e lejon atë të vendosë se kush do të jetë, si do të ecë dhe çfarë do të bëjë me atë pjesë jetë që i është dhënë.
Sepse iluzioni më komod, por edhe më vdekjeprurës në të cilin mund të bjerë njeriu, është të besojë se historia e tij u shkrua përpara se ai të hapte sytë. E vërteta me të cilën Sartre na përplas ballë për ballë është një zgjim i dhunshëm. Shumë nga ajo që jemi dhe do të bëhemi, nuk është produkt i asaj që na ngjau, por korrje e zgjedhjeve tona në këtë fraksion sekonde, në këtë moment të tanishmërisë.











