Nga Albert Vataj
Një imazh i vetëm, vetëm një, një sa njëmijë fjalë, i zhveshur nga çdo tepri, i çliruar nga ngulme tjetërsimi dhe shkase për ta zhvendosur çastin nga kulmimi. Një, fokus që arrin të bëhet një univers më vete, dhe pikërisht këtë realizon fotografia “Në duart e stërgjyshit” e Yvonne C. Krystovsky. Një vepër kjo që jo vetëm fiton një çmim, por fiton edhe një vend të merituar në ndërgjegjen emocionale të shikuesit.
Në një kohë kur imazhi shpesh mbingarkohet me efekt dhe spektakël, kjo fotografi zgjedh të heshtë, dhe pikërisht nëpërmjet kësaj heshtje ajo flet më fort se çdo zhurmë vizuale, ligjero. Minimalizmi këtu nuk është thjesht një zgjedhje estetike, është një akt i vetëdijshëm zhveshjeje, një kërkim i thelbit, një përpjekje për të arritur atë që është më njerëzore dhe më e përjetshme.
Dy duar të mëdha, të rrudhura, të gdhendura nga koha si një reliev i dhimbshëm dhe fisnik, mbajnë me një kujdes pothuaj të shenjtë dy doçkave të vogla, ende të paprekura nga pesha e jetës. Në këtë përballje të heshtur mes lëkurës së konsumuar dhe asaj që sapo ka filluar të jetojë, lind një dialog që nuk ka nevojë për fjalë. Është një shkëmbim energjie, një urë mes kohëve, një testament i gjallë i vazhdimësisë.
Rrudhat nuk janë më shenja plakjeje, ato janë kapituj. Çdo vijë është një histori, një betejë, një kujtim i mbetur në trup si një shenjë e pashlyeshme e përjetimit. Ndërsa butësia e gishtërinjve të foshnjës është premtimi i së ardhmes, një botë që ende nuk njeh plagë, por që do të trashëgojë gjithçka që këto duar të vjetra kanë mbajtur, ndërtuar dhe mbrojtur.
Bardh e zija, në këtë kontekst, nuk është mungesë ngjyre, është përqendrim i saj. Është një distilim i emocioneve, ku drita dhe hija bëhen gjuhë, ku kontrasti nuk ndan, por bashkon. Ajo thekson dramën e butë të momentit, duke e bërë çdo teksturë të flasë, çdo detaj të marrë peshë, çdo prekje të bëhet e përjetshme.
Fotografia fituese e “Fotove Minimaliste Bardh e Zi 2024” nuk është thjesht një kompozim i suksesshëm, është një reflektim mbi kohën, mbi trashëgiminë, mbi dashurinë që nuk ka nevojë të shpallet për t’u ndjerë. Ajo është një kujtesë se lidhjet më të forta nuk bërtasin; ato prekin lehtë dhe mbeten përgjithmonë.
Në këtë vepër, Yvonne C. Krystovsky dëshmon jo vetëm mjeshtëri teknike, por një ndjeshmëri të rrallë për të kapur të padukshmen, atë çast të brishtë ku jeta kalon nga një brez në tjetrin, pa zhurmë, por me një madhështi që vetëm arti i vërtetë mund ta zbulojë.
Sepse në fund, kjo fotografi nuk është për duart.
Është për atë që ato mbajnë, kohën, kujtesën dhe dashurinë që nuk vdes.











