Deri më sot, nuk kemi dijeni për ekzistencën e një përshkrimi të drejtpërdrejtë, qoftë edhe të shkurtër, mbi tiparet fizike të fytyrës së Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të hartuar nga ndonjë bashkëkohës që ta ketë njohur nga afër. Asnjë kronikan, diplomat, ushtarak apo udhëtar i kohës nuk na ka lënë një dëshmi të saktë dhe të hollësishme mbi pamjen e tij reale. Kjo mungesë e një burimi autentik e ka shtyrë historiografinë, artin dhe imagjinatën kolektive t’i drejtohen ikonografisë, si mënyra e vetme për të kërkuar fytyrën e njeriut që u shndërrua në simbolin më të fuqishëm të qëndresës shqiptare dhe europiane ndaj Perandorisë Osmane.

Por pikërisht këtu nis edhe enigma. Ikonografia e Skënderbeut është ndër më të pasurat dhe më të larmishmet në historinë shqiptare. Nga shekujt e kaluar kemi trashëguar një mori portretesh në pikturë vaji, afreske, miniatura, medalione, gravura dhe skulptura, të shpërndara në muze, biblioteka, arkiva, kështjella dhe koleksione private europiane. Figura e tij shfaqet në botime latine, italiane, gjermane, franceze, veneciane, austro-hungareze e më tej, duke dëshmuar jo vetëm famën e jashtëzakonshme të Heroit shqiptar në Europë, por edhe mënyrën sesi çdo epokë dhe çdo kulturë ka tentuar ta përfytyrojë sipas vizionit të vet.
Megjithatë, në këtë pasuri të jashtëzakonshme figurative mungon elementi më i rëndësishëm: uniteti i modelit. Nuk ekziston një portret unik, i pranuar përfundimisht si autentik. Përkundrazi, kemi një varg paraqitjesh me ndryshime të dukshme në tiparet e fytyrës: herë me hundë të theksuar e sy depërtues, herë me mjekër të gjatë aristokratike, herë me fytyrë asketike luftëtari, e herë me tipare që afrojnë më shumë me idealin e princit europian të Rilindjes sesa me një komandant ballkanik të shekullit XV. Ndryshojnë gjithashtu përkrenarja, veshjet, armatura dhe simbolet heraldike, ndonëse këto mbeten në plan të dytë përballë pyetjes thelbësore: cili prej këtyre portreteve bart sadopak fytyrën reale të Skënderbeut?

Kjo çështje nuk është vetëm artistike apo estetike; ajo është historike dhe identitare. Në mungesë të fotografisë, figura e heroit ndërtohet nga kujtesa, nga miti dhe nga nevoja që epokat kanë pasur për ta mishëruar atë. Për këtë arsye, shumë prej portreteve të Skënderbeut nuk synojnë domosdoshmërisht ngjashmërinë fizike, por madhështinë morale dhe simbolike. Ai paraqitet si princ humanist, si kalorës i krishterimit, si strateg i pathyeshëm, si mbrojtës i Europës apo si atinor i kombit shqiptar. Në secilin rast, arti ka tentuar të materializojë jo vetëm njeriun, por legjendën.

Megjithatë, studiuesit janë përpjekur të identifikojnë ato portrete që mund të jenë më pranë origjinalit. Vëmendje të veçantë kanë marrë gravurat dhe medaljonet e realizuara më afër kohës së jetës së tij, sidomos ato që besohet se janë bazuar në modele të humbura të shekullit XV. Disa historianë arti mendojnë se portreti më i besueshëm mund të jetë ai që ruhet në galeritë italiane dhe që paraqet një burrë me profil të fortë, ballë të lartë, hundë shqiponje dhe shprehje të ashpër, tipare që përkojnë me përshkrimet e tërthorta të karakterit të tij si njeri energjik, autoritar dhe i lindur për udhëheqje.
Por ndoshta pikërisht mungesa e një fytyre përfundimtare e ka bërë Skënderbeun më të madh se vetë portreti i tij. Ai nuk mbeti vetëm një figurë historike, por u kthye në një ikonë që çdo brez e ripërfytyroi sipas nevojës së vet për heroizëm, krenari dhe identitet. Në këtë kuptim, kërkimi për fytyrën autentike të Skënderbeut mbetet ende i hapur, si një dialog mes historisë dhe mitit, mes dokumentit dhe kujtesës kombëtare.











