“Dyshimi është ftesa e parë që i bëjmë dijes.”
— Michel de Montaigne
Ka njerëz që i besojnë gjithçkaje dhe ka të tjerë që, si unë, më shumë se të besojnë, mësojnë të ndalen. Jo prej mungesës së ndjenjës, por nga tejngopja me zhgënjime. Më poshtë është një rrekje për të shpjeguar pse besimi nuk është gjithmonë akt zemre, por shpesh një zgjedhje e mendjes dhe një mbrojtje e vetes.
Nuk është se nuk kam besim fare, por ka ca njerëz dhe sjellje që më bëjnë të tërhiqem. Më vështirë ta kem besimin te dikush që s’ka provuar asnjëherë dehjen — jo vetëm nga vera, por nga ajo dashuri që të çmonton, nga ndarja që të lë zbrazët, nga një e qeshur që shpërthen vetëm për hir të jetës. Më rri larg ai që thotë se nuk ka gabuar kurrë, që flet me siguri për rënien pa qenë rrëzuar ndonjëherë, që e ka lehtë të japë këshilla, por zor ta japë një përqafim.
Kam mësuar të dyshoj tek ata që kërkojnë shumë dhe nuk japin asgjë, që të kujtohen vetëm kur kanë nevojë, që harrojnë të të pyesin për ty, por ndihen të ofenduar që “nuk u bëre i gjallë”. Tek ata që ankohen pareshtur për jetën, por s’kanë parë asnjëherë sy të ngopur nga uri, apo ditë të ngrysura nga pamundësia. Më shqetësojnë ata që flasin keq për të gjithë, që mendojnë se janë më të mirë se të gjithë, që nuk e kuptojnë peshën e një fjalie të mirë apo mirësinë e një gjesti të thjeshtë.
Besimi nuk është një derë që e le hapur për këdo. Jo kur ke parë njerëz që qeshin përpara dhe përbëjnë pas shpine, që thonë “më mungon” pa ditur asgjë për ty. Kam mësuar të dyshoj edhe te vetja ndonjëherë, dhe mirë bëj. Dyshimi është mburojë nga naiviteti, nga besimi i verbër, nga ajo dëshirë për të parë mirë edhe atje ku ka vetëm mjegull.
Nuk besoj në perfeksion. E kam kuptuar se papërsosmëria është ajo që na lidh më njerëzisht. Gabimet tona janë gjurmë të rrugës që kemi bërë, janë mësime, janë përkëdhelje të vështira, por të vërteta. Mjafton të dish të mësosh prej tyre. Vetëm atëherë mund të flasësh për besim — pa iluzione, por me zemër.
“Askush nuk është më i plotë se ai që është i thyer dhe e njeh veten në copëzat që ka mbledhur.”
— Ernest Hemingway
Përgatiti: Albert Vataj