Për t’i mbijetuar zhdukjes, libri ka ditur të transformohet, nga pllakat e argjilës te arkitekturat e padukshme të digjitalizimit. Pikërisht në këtë aftësi për të ndryshuar pa e humbur vetveten qëndron forca e tij, ai mbetet mjeti më i qëndrueshëm dhe dominues i transmetimit të dijes.
Edhe pse përfytyrimi klasik i librit lidhet me një trup faqesh të lidhura në një kopertinë, realiteti historik dhe bashkëkohor e shpërbën këtë kufizim. Libri nuk është më vetëm një objekt fizik, ai është një formë e mendimit që gjen vazhdimisht trup të ri. Ka libra pa faqe, libra që nuk hapen por shpalosen në ekran, libra që nuk lexohen linearisht por ndërtohen përmes lidhjeve, ndërveprimit dhe rikthimit. Në këtë kuptim, libri nuk është një formë e ngurtë, por një proces, një marrëdhënie dinamike midis autorit, tekstit dhe lexuesit.
Në epokën e dominuar nga interneti dhe teknologjitë digjitale, ai ka ndryshuar dukshëm në strukturë dhe në mënyrën e përjetimit, por jo në thelb. Ai mbetet një instrument komunikimi, një enë ku depozitohet dhe transmetohet një gamë e pafundme njohjesh, emocionesh dhe përfytyrimesh. Libri është një ndërfaqe e ndërgjegjes njerëzore, një vend ku informacioni bëhet përvojë, ku dija merr trajtë dhe ku arti gjen një medium për të tejkaluar kohën.
Historia e tij është historia e vetë nevojës njerëzore për të mos u zhdukur. Edhe në mungesë të teknologjive, njeriu ka kërkuar gjithmonë mënyra për të fiksuar atë që përndryshe do të humbiste, ëndrrat, dëshirat, frikërat, kujtesën dhe pyetjet e mëdha ekzistenciale. Ai ka gdhendur në gur, ka shtypur në pllaka argjile, ka shkruar mbi lëkurë kafshësh, mbi papirus, mbi pergamenë, mbi dru dhe mbi çdo material që i ka ofruar natyra. Papyrus egjiptian, për shembull, nuk ishte thjesht një mjet praktik, por një revolucion në mënyrën se si dija mund të ruhej dhe të qarkullonte.
Nga këto forma të para, libri ka kaluar nëpër faza të shumta transformimi, duke u rafinuar, duke u shumëfishuar, duke u demokratizuar, deri në pikën ku sot ai mund të ekzistojë pa trup fizik, si një prani digjitale e aksesueshme në çdo kohë dhe vend. Megjithatë, në çdo formë që merr, ai mbetet i njëjti në funksion, një përpjekje për të ruajtur përkohësinë brenda përjetësisë, për t’i dhënë zë mendimit dhe për ta bërë atë të udhëtojë përtej kufijve të kohës dhe hapësirës.
Kopjimi me dorë
Megjithatë librat e parë në kuptimin e mirëfilltë u shfaqën në manastire në periudhën e Mesjetës, nga shek III ku punësoheshin njerëz të dhënë pas studimeve dhe kopjonin dokumente të konsideruara të rëndësishme. Murgjit e manastireve ishin si të punësuar profesionistë që në shkrimet liturgjike i kushtonin kohë edhe kopjimit dhe shpëtimit të librave klasikë të antikitetit. Për shkak të orëve të gjata të shkrimit këta njihen si kodikë, libra të shkruar me dorë të përbëra nga fletore të palosura dhe të qepura.
Libri i shtypur më i vjetër që njihet është “Sutra e diamantit” që është shtypur 600 vjet më përpara se Bibla e Gutenbergut. Nuk bëhet fjalë për librin e parë të shtypur, por për më të vjetrin që është gjetur ndonjëherë. Rezulton se në vitin 868 kinezi wang Chieh ose Wang Jie, sipas burimeve, autorizoi shtypjen dhe shpërndarjen e kësaj vepre që mbledh dhe transmeton fjalën e Budës. U gjet nga arkeologu britaniko-hungarez, Aurel Stein në vitin 1907. Pergamena e shtypur është e gjatë 5 metra dhe është ruajtur në kushte mjaft të mira në mungesë të lagështirës në bibliotekën sekrete të shkretëtirës, në afërsi të qytetit Dunhuang, verilindje të Kinës.
Teknika të përsosura
Ne e dimë se romakët dhe kinezët gjetën forma shtypje të teksteve apo e imazheve pa qenë nevoja të kopjoheshin me dorë, me ndihmën e pllakave dhe vulave që lejonin shtypjen e disa ekzemplarëve. Megjithatë revolucioni i shtypjes ndodhi në shek XV me shpikjen e shtypjes moderne. Johann Gutenberg i hyri punës të krijonte modele druri për secilën nga shkronjat e alfabetit që më vonë i mbushi me plumb. Në vitin 1449 u shtyp libri i parë “meshari i Kostancës” në shtypshkronjën e Mainz në Gjermani. Me shtypjen e Biblës, Vulgatën, gutenbergu përsosi teknikën për të patur një vepër që në dukje nuk do të kishte ndryshim nga një dorëshkrim.
Zhvillimi i librit pati një hov me mekanizmin e shtypjes në shek XIX. Ky ndryshim kërkonte të kënaqte kërkesën në rritje për libra në shoqëritë e industrializuara. Në shek e XX edhe pse në konkurrencë me mjete të tjera të informimit libri ruajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e dijes, në shpëtimin dhe ruajtjen e informacionit. Lazerat ose printerat e mëdhenj reduktuan hapsirat e zëna nga makineritë e shtypjes dhe krijuan shumëllojshmëri të mundësive të shtypjes në tirazhe më të vogla. Sot përparimet kanë mundësuar versione digjitale të librave duke lehtësuar përmbajtjen në forma të reja leximi dhe qasje ndaj leximit të librit.













