Albert Vataj
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG
No Result
View All Result
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG
No Result
View All Result
Albert Vataj
No Result
View All Result
Home Forum

Lufta e vonuar me kufomat kudërbuese të diktaturës komuniste dhe betejat e pamundura 

May 30, 2019
in Forum, Të përzgjedhurat
68
VIEWS
Share on FacebookShare on TwitterShare on Pinterest

Nga Albert Vataj

Lufta e ndezur kohët e fundit ndaj kufomave kudërbuese të persekucionit komunist, ku zëfillje janë zgjimet e betejave të fakteve dhe dëshmive, pararend, përgjithësisht nga një periudhë apatie dhe bashkëjetese të viktimës me viktimatorin. Pati pakte dhe armpushime, shpesh të pamotivuara dhe asnje herë të justifikuara. Kujtesën po e grryente harrimi. Memuaret dhe mirënjohja strukeshin në kthinat zëshuara të sfiduara nga zhurmat në pazaret e pushtetit. Zhgënjimi ishte më i thellë se kafshimi i çdo dhimbjeje që zgjohej për ndërmendje. Vitet rendin më shpejt se hapat e atyre përpjekjeve dashamirëse për të vënë balsam në plagë.
Por pas gjithë kësaj paqeje të rrejshme, ëndrrash vrastare dhe një zgjedhë e re për qafat e shtrira të nënshtrimit, vjen një ditë, që një trurrjedhuri nga mosha dhe gjynahet, i flet gjuha para mendjes dhe hapët kështu “Kutia e Pandorës”. Kaq do të mjaftonte që urët e shuar të zjarrit të ndizeshin rishtaz. Zgjohen mëritë, mbushen inatët me hakërri e zemëratë, zihen frëngjitë dhe kërcet dyfeku. Nis kështu një luftë “çit e prit” nga të dy anët. “Krismat” zgjojnë nga letargjia gjumashë e indiferentë, vullnete të ndrydhura e kllapitje nga rutina. Një ditëzi na e prishi gjumin dhe pamë se kishim fjetë gjatë, shumë gjatë mbi varre e mbi plagë, mbi zëra të fikur e shpirtra rënkues.
Gjithqysh, kurrë nuk është vonë për të rinisur një luftë të lënë në mes, të besohet ende tek një kauz që i vunë kazmën. Çdo shkëndijë gjendet e përligjur për ta ndezur këtë shpuzë. Merr zë zëri që guxon të jetësohet për ta mbajtur ende në jetë kujtesën, atë që s’harron të na këshillojë se e shkuara, nëse nuk ndëshkohet rrezikon të përsëritet.
Hapen sirtarë, shkundet pluhuri, shfletohen letra të verdhemta, të fshehura e të mbajtura për një ditë të keqe si kjo, kur amaneti kërkon dalëzotës. Njëra-pas tjetrës zunë fill, histori, akuza dhe kundërakuza. Me emër e me figurë, me fakte e me deshmime, zërat e fashitur u zgjuan për të thënë secili çfarë e mundonte, për të folur ndoshta sot, në një ditë që pandehet se ka kush dëgjon. U kujtuam të shfletojmë kujtesën, të marrim në konsideratë çfarë u shkrua me gjak e u end nën skërmitje dhëmbësh. Mu bë se po shtohej interesi për të dëgjuar këtë zë ankimtarë dhe për të pranuar këtë të vërtetë si një mundësi mospajtimi me një të shkuar që kërcënon.
Plagët e vjetra e dhimbjet e kahershme zunë të sëmbojnë duke prishur rehatinë. Një përballje e vonë i’u bashkëngjit tollovisë së ngjarjeve dhe zhvillimeve të potershme në këtë vend.
Denoncuesve sistematikë, atyre që nuk reshtën së ngrituri zërin dhe së akuzuari, atyre që nuk u pajtun dhe e patën të pamundur të bashkëjetonin me kufomat e komunizmit, i’u shtuan edhe të tjerë zgjime yshtëse. U pasurua kështu panorama e kacafytjes. Emra dhe personazhe u përfshinë në jetën e ububushme mediatike dhe kërdisjen e rrjeteve sociale. Më shumë se një luftë dhëmb për dhëmb me të keqen, ajo mori kahje për të qenë një përballje personale.
Nga viti 1992 deri në vitin 2019 u bënë 27 vite që shënon periudhën postkomuniste në aspektin kalendarik. Gjatë këtyre viteve, të mjafta për të treguar vullnet dhe predispozitë për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë me të kaluarën famëkeqe të diktaturës, u bë aq pak sa edhe më optimisti nuk pati shpresë për ta ushqyer besimin e tij, se Shqipëria do të mund të shkëputej nga nata e zezë e murtajës së kuqe.
U bënë përpjekje të panumërta për të denoncuar dhe dënuar këtë sistem persekutor. Lufta ndaj diktaturës dhe eksponentëve të përfshirë në zellin e mizorisë komuniste mori interesim dhe u konsiderua. Fatkeqësisht çdo nisëm përfundoi ende pa filluar. Dukej se dikush, qëllimisht kërkonte dhe i’a arrinte të prishte çdo plan e të shpërbënte çdo sipërmarrje. E tillë ishte kjo dashakeqësi sa arritën te qëllimet e tyre duke hedhur viktimën kundër viktimës, duke ndërsyer ish-të përndjekurit kundër njëri-tjetrit nëpërmjet përçarjes.
Shtresa e ish të përndjekurve politikë u përdor dhe u shpërdorua nga politika për interesat e saja, më mizorisht se sa vetë mekanizmi persekutor i djajve të kuq. U bë gjithçka për rehabilitimin e kësaj shtrese dhe gjithnjë ajo u mjaftua me thërrimet që politika i mëkonte asaj, më shumë për ta gënjyer, se sa për ta shpërblyer për mundin dhe sakrificat e ferrit komunist.
Vuajtësit e kësaj mizorie e ngritën zërin por pa mundur që kërkesat dhe ankesat të merreshin në konsideratë. Golgota e tyre ishte edhe në postkomunizëm po kaq e gjatë sa në diktaturë. U përpoqën për të drejtat e tyre, bënë protesta, u ngujuan në greva uri, u vetësakrifikuan, dhe nuk morën atë që u takonte, nuk u përfaqësuan dhe nuk u mbrojtën sa dhe si duhet, denjësisht.
Pati ndër ta që nuk nguruan të merrnin për vete hisen e luanit dhe të tjerëve nuk u mjaftonte plaga si dëshmi dhe gjëma si provë. Në gostinë e përfitimeve u “ftuan” edhe prej atyre që nuk kishin fare të bënin me Gulagun komunist, madje edhe persekutorët e tyre, u pajisen me status ish të përndjekuri. Ironia e fatit vijoi të tallej me ta më keq se sa u tall, u përbuz, u denigrua, u plaçkit, u persekutua, u vra nga vetë dora e përgjakur e diktaturës.
Viktimat po vriteshin për së dyti herë. Politika, pa dallim anësie dhe qëllimsie, filozofie programore dhe praktike zbatuese, e keqpërdori këtë grupshtresë. Kishte prej tyre që u bënë vegla, ndoshta për më shumë përfitim dhe vëmendje, kapital politik dhe kredenciale shoqërore.
U fol për hapje dosjesh e për mbyllje mërish të vjetra, dhe… gjithnjë mungesa e vullneti politik dhe një konsensusi të fshehtë, bënin që gjithë kjo të përfundonte në një fars. Retorika politike mbytej në radhët e gazetave dhe kronikat televizive. Ndërkombëtarët akordonin fonte dhe qeveritë sajonin nisma sensibilizuese për vlerësimin dhe mirënjohjen e qëndresës së paepur të tyre. U ndërtuan memoriale dhe u ngriten përmendore, njësoj si për viktimat ashtu edhe për viktimatorët. U përdorën si atraksion turistik diktatura më shumë se Gulagu.
Ndërkohë ata që lanë duart me gjak nuk i thirri asnjë pendesë në falje. Politika i eliminoi gradualisht mbrojtësit e ish të përndjekurve politikë, si shtresë e vjetruar, duke rifuqizuar prezencën në shtetbërje të bijve, por edhe të vetë perskutorëve të diktaturës. Zërat që dëgjoheshin gjithnjë e më pak nga kujtesa e ferrit komunist, nisën të shuhen nën gërmadhat e mospërfilljes, denigrimit, poshtërimit dhe përdorjes.
Pikërisht atëherë kur nisëm ta ngjyjmë bukën në lot, e ta paqtojmë dhimbjen me plagë, potera nga paradhomat e kujesës së mizorisë komuniste, zunë të kërkojnë vëmendje dhe interesim gjithnjë e më të shtuar. Pseudohistorianë në përpjekjen e dështuar për të retushuar të shkuarën ogurzezë të paraardhësve të tyre, i’a lejuan vetes të shtrembëronin të vërtetën, deri aty sa të mohojnë kampet famëkeqe të internimit, torturat mizore dhe vetë persekucionin. U bë një rrëmujë dhe u krijua pështjellim pa mundur të mblidheshin gjithë ato zëra kujisës në një kushtrim shkundullitës.
Pati përpjekje për të bërë diçka por që të gjitha mbeten në tentativë. Sërish viktimat i vrau kujtesa e i gjymtoi padrejtësia. Dhe ku jemi sot?! Ata, që dje masakroheshin në zyrat e gjelatëve të sigurimit dhe lëngonin në qelitë e errta të burgjeve, sot hiqen zvarrë nga një zyrë në tjetrën për një të drejtë. Të tjerë u shuan zemërplasur. Pati ndër ta, që besun dhe luftuan deri në fund, pa mundur të shpërbleheshin, pa mundur të merrni qoftë një mirënjohje.
Nuk po du por po dru se edhe kjo betejë do të katandiset si gjithë të tjerat në një asgjë. Viktimave të diktaturës nuk do t’u vlejë ky ballsam për plagët që i’u rrëmuan rishtazi. Atij do t’i mbetet të bëjë spektatorin në këtë skenë tragjikomedike. Shqipëria do të vijojë bashkëjetesën me skurrjalat e neveritshme të persekucionit komunist. Atij nuk i mbetet zgjidhje tjetër veçse të jetojë vitet e mbetura duke përtypur dhimbshmë kujtimet hidhura të lëngimit, duke vuajtur e rënkur, ndërsa e qeverisin pinjollët e mizorëve të kuq.

Përmbyllje
Në mbyllje të këtij kumtimi dua të falenderoj për kontributin e tyre të vlertë në denoncimin dhe dënimin e diktaturës, s’pari mikun dhe kolegun, Kastriot Dervishi, Nebil Çika, Luljeta Progni, Jonila Godole, Agron Tufa, etj. Por në mënyrë të veçantë, Kujto.al , Fondacionin jofitimprurës me qendër në Tiranë, krijuar dhe financuar në vitin 2018 nga sipërmarrësi dhe investitori Agron Shehaj. Fokusi i së cilës njohja dhe bërja prezent opinionit publik të memories kolektive të Shqipërisë së periudhës komuniste 1945 – 1991, përmes një qasje të re dhe gjithëpërfshirëse: bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët duke shfrytëzuar teknologjinë dhe mundësitë e reja të komunikimit.

Tags: Albert VatajBurgjetDemokraciaDiktaturaFerriKomentKomunistOpinionPerndjekuritPolitikeTorturatVuajtjet
Previous Post

Një mike e mirë që di të japë prej mirësisë së saj, besim, respekt dhe mirënjohje që e finsikëron

Next Post

Alfred Hiçkok, “Mjeshtri i ankthit”, regjisori i trillit policesk, kineasti që kërkoi të nënshtronte frikën me frikë

Next Post

Alfred Hiçkok, "Mjeshtri i ankthit", regjisori i trillit policesk, kineasti që kërkoi të nënshtronte frikën me frikë

Albert Vataj

Albert Vataj

Ajo që bën dhe e ndjen është ajo që duhet. Mos u bëj rob i fatalizmit, nëse nuk do të lësh veten të bjerë në boshin e asgjësë. Nuk është e thënë se duhet të ecësh me hapa të shpejtë për të mbërritur diku, hapat e sigurt janë ata që të çojnë aty ku duhet dhe kur duhet të shkosh. Jepu me gjithë shpirt asaj që e do me gjithë zemër dhe do të shohësh se përveçse i pasur do të jesh dhe i lumtur. Ushqeje me dritë gjithçka që jeta ta kredh në terr dhe se bashkë me veten ke çliruar prej kësaj robëria edhe ata që sjellin farën e së mirës të vullnetet për të ndryshuar botën që na përket të gjithëve. Më mirë vdis duke u përpjekur se sa të zvarritesh duke u ankuar. Jeta është gjithçka që ti kërkon prej saj. Nuk ka forcë të hyjshme apo përkufizime që tregojnë udhën e së vërtetës, jetën e merituar, zotërimin e gjithçkasë që të përket. Kërko gjithçka tek vetja. Gjithçka që do është gjithnjë me ty. Mjafton të dish ta kërkosh dhe do të kesh gjithçka.
  • Trending
  • Comments
  • Latest

Fausti, Mefistofeli dhe Margarita, një tragjedi e bashkëjetimit të së mirës me të keqes, vuajtja pambarim

April 4, 2016

Çfarë është Dashuria? Thënie brilante nga njerëz të famshëm që kanë skalitur zjarret e pasionit në historinë e letërsisë

May 12, 2017

Ëndrrat e këqija, makthet, përse i shohim, mesazhet që na dërgojnë dhe a mund t’i shmangim?

April 4, 2016

“Plaku dhe deti”, dyluftimi i pabarabartë i mundësisë, sprova e fatit dhe guximit të njeriut për të sfiduar natyrën

May 4, 2017

Galaktika, Rruga e Qumështit përmban 160 miliardë planete

0

Spektakël dhe frikë nga balena 14 metra e gjate që peshon 30 ton

0

Amani, qyteti i bardhë mbi 18 kodra streha mbretërore e kryeqytetit jordanez

0

Lëvizja e bujshme që shkundullitën nga themelt shekullin XX në botën e muzikës

0
Zbulim aksidental i Wilhelm Röntgen që revolucionalizoi mjekësinë, si lindën rrezet X dhe Anna Bertha, gruaja që pa vdekjen e saj

Zbulim aksidental i Wilhelm Röntgen që revolucionalizoi mjekësinë, si lindën rrezet X dhe Anna Bertha, gruaja që pa vdekjen e saj

May 13, 2025
Mbretëresha e Natës, një pllakë terrakote që ngjall frikë, adhurim dhe magjepsje

Mbretëresha e Natës, një pllakë terrakote që ngjall frikë, adhurim dhe magjepsje

May 12, 2025
Dhimbja si dëshmi e dashurisë që kemi njohur dhe na ka dhembur kaq thellë që kemi humbur

Dhimbja si dëshmi e dashurisë që kemi njohur dhe na ka dhembur kaq thellë që kemi humbur

May 12, 2025
Melodia e fundit, djali që luante violinë në shi, homazh për Eliasin dhe tingullin që mbijetoi terrorin

Melodia e fundit, djali që luante violinë në shi, homazh për Eliasin dhe tingullin që mbijetoi terrorin

May 12, 2025
  • About
  • Advertise
  • Privacy & Policy
  • Contact

Copyright © 2020 Albert Vataj

No Result
View All Result
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG

Copyright © 2020 Albert Vataj