Albert Vataj
Është përtej imagjinatës dhe sfidues i çdo ligji fizike, sa i pabesueshëm, aq dhe surprizues. Kemi të bëjmë me një teknologji të avancuar inxhinierike të quajtur izolim sizmik ose izolim në bazë (seismic base isolation), me garanco 50-100-vjeçare, që përdoret në ndërtimet në zonat me rrezik të lartë tërmetesh, si Japonia, veçanërisht në ndërtesa të rëndësishme si spitalet, zyrat qeveritare dhe qendrat e menaxhimit emergjent.
Foto ilustruese është në ndonjë cep parkingu, nën një ndërtesë administrative në Miyazaki apo nën themelet e një spitali në Tokio, ndodhen disa struktura të çuditshme.
Ato nuk kanë pamjen heroike të kolonave dorike apo forcën vizuale të betonit të armuar. Duken si “jastëkë” metalikë e prej gome, të butë, gati të brishtë, që mbajnë mbi vete një peshë marramendëse. Dhe megjithatë, pikërisht këto krijesa modeste mbajnë mbi supe mijëra tonë dhe… jetën.
Këto janë amortizuesit sizmikë, shpikje të mendjes njerëzore që nuk sfidojnë forcat e natyrës, por bashkëjetojnë me to. Ato nuk ndalojnë tërmetin, por e bëjnë të padëmshëm. Nuk i kundërvihen dhunës së lëkundjes, por e përthithin atë, si një frymëmarrje e thellë përpara stuhisë.
Amortizuesit janë krijuar nga shtresa të alternuara gome dhe çeliku, të përforcuara shpesh me bërthama plumbi. Goma sjell elasticitetin, çeliku durimin, dhe plumbi, i butë në dukje, është një mjeshtër i shuarjes së energjisë. Një deformim që do të shkatërronte një strukturë klasike, për ta është vetëm një hapje, një lëvizje e butë, një përkulje pa rezistencë të verbër.
Një ndërtesë qëndron mbi to si mbi nyjet e gjunjëve, e aftë të lëvizë, të zhvendoset, të mos thyhet. Në momentin kur toka lëkundet, nuk është përballja që fiton, por përshtatja. Është mençuria e brishtë që mbijeton, jo arroganca e fortësisë.
Në ndërtimet me izolim sizmik, gjithçka ndodh poshtë syve tanë. Asgjë nuk shembet, sepse gjithçka është ndërtuar të dridhet. Këto “organet e padukshme” të ndërtesës, amortizuesit, janë si mushkëritë që marrin frymë për ndërtesën kur bota përreth shkundet. Janë vula e një civilizimi që nuk kërkon të sundojë natyrën, por të dialogojë me të.
Këto struktura na mësojnë diçka thelbësore, forca e vërtetë qëndron në fleksibilitet, në përgatitje dhe përulje përballë forcave që nuk mund të ndalohen. Është një filozofi që mund ta mbajmë edhe brenda nesh, të jemi në gjendje të përthithim tronditjet e jetës pa u thyer, të përshtatemi pa u dorëzuar.
Sepse, në fund, ajo që shpëton një ndërtesë nuk është betoni i rëndë, por një jastëk modest, një amortizues i heshtur që e ndjen goditjen, por nuk e përcjell.
Albert Vataj











