
Nga Albert Vataj
Në peizazhin kulturor të pas-viteve ’90 në Shqipëri, roli i botuesit u shndërrua nga një funksion thjesht teknik në një mision të mirëfilltë ndërmjetësimi kulturor. Në krye të këtij procesi, Bujar Hudhri dhe shtëpia botuese “Onufri” kanë gdhendur një emër që sot është sinonim i cilësisë, qëndrueshmërisë dhe, mbi të gjitha, dinjitetit të librit shqip. Megjithëse shpesh identifikohet si botuesi besnik i kolosit Ismail Kadare, kontributi i Hudhrit shtrihet shumë përtej një emri të vetëm, duke u kthyer në një institucion që mbron dhe lartëson vlerat letrare kombëtare.
Letrat shqipe në kapërcyellin e kohës
Në kapërcyellin e viteve ’90, kur shembej një sistem politik dhe me të edhe një mënyrë e të menduarit, lexuesi shqiptar nisi të humbiste lidhjen me letërsinë e vet. Ishte një largim i ngadaltë, por tronditës, një shkëputje shpirtërore që rrezikonte të kthente në të huaj vetë krijuesin në gjuhën e tij. Sipas Bujar Hudhrit, “humbësi më i madh” i kësaj periudhe ishte pikërisht shkrimtari shqiptar, i cili, duke humbur lexuesin, rrezikonte të humbiste edhe busullën e vet krijuese në atë ububushmëri të gjëmimshme prurjesh, zërash dhe tundimesh të gjithfarshme që vërshuan pas hapjes së kufijve.
Ishte koha kur lexuesi shqiptar po kalonte jo vetëm një kufi politik, por edhe një prag të thellë shpirtëror e kulturor. Letërsia e huaj, e ndaluar për dekada dhe e dëshiruar si “fruti i ndaluar”, hyri vrullshëm në hapësirën shqiptare, duke sjellë magjepsjen e botëve të panjohura, të stileve të reja dhe të lirisë së shprehjes. Përballë këtij shpërthimi, letërsia shqipe, e promovuar dhe e mbështetur nga sistemi totalitar, mbeti e pambrojtur, thuajse në një krizë identiteti. Shumëkush nisi ta shihte atë si një trashëgimi të konsumuar, të lidhur padrejtësisht me një epokë që po përmbysej.
Por pikërisht në këtë kohë mjegulle dhe pasigurie, Bujar Hudhri zgjodhi të sfidonte “regjimin” e ri të harresës dhe të shpërfilljes. Ai mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese Onufri në një tempull të letrave shqipe, në një strehë ku fjala artistike të mos mbetej jetime në vendin e vet. Në një kohë kur tregu kërkonte sensacionin e shpejtë dhe përkthimet e bujshme, Hudhri besoi tek vlera e autorit shqiptar, tek dinjiteti i gjuhës dhe tek nevoja që një komb të mos e humbte kujtesën e vet letrare.
Ai nuk hyri në botën e përbindshme dhe kaotike të botimeve thjesht si botues. Ai erdhi me një mision, të mbrojë vazhdimësinë shpirtërore të kulturës shqiptare. Të ruajë lidhjen mes lexuesit dhe krijuesit. Të dëshmojë se letërsia shqipe nuk ishte një relike e së kaluarës, por një organizëm i gjallë, i aftë të mbijetojë, të ripërtërihet dhe të flasë me zërin e vet në kohët moderne.
Në këtë përpjekje, ai nuk mbrojti vetëm libra, ai mbrojti një vetëdije kulturore. Sepse kombet nuk rrënohen vetëm kur humbasin territorin apo historinë, por edhe kur humbasin gjuhën e shpirtit të tyre, letërsinë.
Arkitekti i një standardi të ri botues
Themelimi i “Onufri” nuk ishte thjesht ngritja e një shtëpie botuese në kuptimin administrativ apo tregtar të fjalës. Ishte një përgjigje e vetëdijshme ndaj nevojës urgjente për të krijuar një strehë elitare për letrat shqipe në një kohë kur tranzicioni kishte tronditur jo vetëm institucionet politike dhe ekonomike, por edhe vetë kriteret e kulturës. Në atë mjegullnajë vlerash të përmbysura, ku gjithçka dukej e lejueshme dhe ku libri rrezikonte të shndërrohej në mall të zakonshëm tregu, Bujar Hudhri e kuptoi se botuesi nuk mund të ishte thjesht një “shtypës librash”. Ai duhej të ishte një kurator i ndërgjegjes estetike dhe i shijes publike.
Që në fillesë, Hudhri e pa librin si një akt kulture totale. Për të, rëndësi nuk kishte vetëm teksti, por edhe mënyra se si ai i paraqitej lexuesit: gjuha, redaktimi, përkthimi, grafika, cilësia tipografike, raporti mes përmbajtjes dhe formës. Ai punoi me këmbëngulje për të vendosur standarde të reja profesionale në botimin shqiptar, duke i kushtuar një vëmendje të rrallë korrektesës gjuhësore dhe estetikës së librit si objekt kulturor. Në një treg ku improvizimi shpesh mbizotëronte mbi profesionalizmin, “Onufri” u shndërrua në sinonim serioziteti dhe cilësie.
Por ndoshta arritja më e rëndësishme e Hudhrit ishte krijimi i një marrëdhënieje besimi, diçka që tregut të ri shqiptar i mungonte thellësisht. Lexuesi nisi të besonte se një libër i botuar nga “Onufri” mbante një garanci vlerash: kujdes në përzgjedhje, respekt ndaj autorit dhe përgjegjësi ndaj lexuesit. Në një kohë kur shumë botime dilnin pa filtër estetik dhe pa kriter kulturor, “Onufri” krijoi një identitet që nuk mbështetej te zhurma e tregut, por te autoriteti moral dhe intelektual i zgjedhjes.
Hudhri i rezistoi tundimit të komercializmit të skajshëm, atij mentaliteti që e sheh librin vetëm si produkt konsumi dhe lexuesin vetëm si klient. Ai zgjodhi një rrugë më të vështirë: të investojë te letërsia e mirëfilltë, te autorët që kërkojnë kohë për t’u kuptuar dhe te librat që nuk konsumohen menjëherë, por mbeten. Në këtë mënyrë, ai nuk ndërtoi vetëm një shtëpi botuese; ai ndërtoi një shkollë kulture botuese, një model që ndikoi në ngritjen e vetë standardit të librit shqip pas viteve ’90.
Në fund, roli i Bujar Hudhrit në kulturën shqiptare nuk mund të matet vetëm me numrin e librave të botuar. Ai duhet parë si arkitekti i një etike të re botimi, ku libri trajtohet jo si mall kalimtar, por si pjesë e kujtesës dhe dinjitetit të një kombi.
Hudhri, letërsi me paratë e mia
Bujar Hudhri hyri në marrëdhënie me letërsinë shqipe jo thjesht për t’iu kundërvënë një kohe të vështirë dhe kërcënuese për fatin e saj, por për të mbrojtur vetë dinjitetin e fjalës së shkruar. Në një periudhë kur shumëkush përpiqej të nxirrte fitim nga pasuria shpirtërore, ai pati guximin të bënte të kundërtën, të shpenzonte nga vetja për letërsinë. Jo për lavdi, jo për treg, jo për interes, por për një besim që e kishte kthyer në mision.
Sepse duhej një lloj tjetër njeriu për të bërë atë që bëri ai, të botonte me paratë e veta autorë shqiptarë, të mbështeste pena që nuk premtonin fitim të shpejtë, por që sillnin një gur themeli në kështjellën e letrave shqipe. Në një treg të pangopur nga komercialja dhe ngutja e konsumit kulturor, ai zgjodhi të investonte tek ajo që nuk matej me fitim, por me vlerë. Dhe kjo ishte një sfidë jo vetëm ekonomike, por edhe morale.
Edhe këtë risk ai e mori mbi vete për një qëllim po aq të madh sa vetë akti i botimit, mbrojtjen e letërsisë shqipe nga zbehja, nga mënjanimi, nga humbja e terrenit përballë indiferencës së lexuesit dhe zhurmës së tregut. Ai e kuptoi se rreziku nuk vinte vetëm nga mungesa e lexuesit, por edhe nga mediokriteti që kërkonte të hynte me forcën e parasë në historinë e letërsisë shqipe. Ishte koha kur shumëkush mendonte se mjaftonte të kishte para për të botuar dhe, përmes botimit, për të kërkuar një vend të pamerituar në kujtesën letrare të një kombi.
Hudhri nuk e pranoi këtë logjikë. Ai nuk lejoi që libri të shndërrohej në një treg vanity-je, ku ambicia personale të zinte vendin e meritës artistike. Për të, botimi nuk ishte një shërbim mekanik, por një akt përgjegjësie kulturore. Ai mbrojti filtrin e cilësisë, autoritetin e vlerës dhe seriozitetin e përzgjedhjes. Dhe këtë e bëri duke vënë në rrezik jo rrallë edhe vetveten, duke investuar kohë, mund, besim dhe para për të ruajtur dinjitetin e letrave shqipe.
Në këtë mënyrë, ai nuk u bë vetëm botues. U bë rojtar i një thesari shpirtëror. Sepse botoi jo atë që shitej më lehtë, por atë që mendonte se duhej të mbetej. Dhe kjo është ndoshta forma më e rrallë e përkushtimit ndaj kulturës, të japësh nga vetja për të shpëtuar atë që koha, tregu dhe mediokriteti rrezikojnë ta shuajnë.
Kadare, ekskluziviteti i “Onufrit”
Është pothuajse e pamundur të flasësh për Bujar Hudhrin pa ndalur te marrëdhënia e tij me Ismail Kadare, një marrëdhënie që kapërcen kufijtë e zakonshëm të bashkëpunimit mes autorit dhe botuesit, për t’u shndërruar në një ngjarje me rëndësi historike për letrat shqipe. Botimi i veprës së plotë të Kadaresë nga Onufri nuk ishte thjesht një projekt editorial, ishte një akt kulture dhe përgjegjësie kombëtare, një përpjekje për ta vendosur krijimtarinë e shkrimtarit më të madh shqiptar në një arkitekturë botuese dinjitoze, të kuruar sipas standardeve më të larta bashkëkohore.
Megjithatë, merita e jashtëzakonshme e Hudhrit qëndron në faktin se ai nuk mbeti nën hijen e kësaj madhështie. Përkundrazi, ai arriti ta shndërrojë këtë bashkëpunim në një platformë emancipimi për vetë kulturën shqiptare, duke dëshmuar se një botues mund të jetë jo vetëm administrator i librit, por edhe bashkëkrijues i kujtesës letrare të një kombi.
Pas botimit të librit “Dialog me Alain Bosquet”, rreth tridhjetë vite më parë, Kadareja mori një vendim që do të shënonte një kthesë të rëndësishme në historinë e botimeve shqipe: ai ia besoi ekskluzivisht “Onufrit” të drejtën e botimit të veprës së tij në gjuhën shqipe, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Kontrata u nënshkrua në Elbasan, aty ku “Onufri” kishte selinë e vet në atë kohë, në një atmosferë që sot mund të lexohet si një moment themelues për botimin modern shqiptar.
Vetë Kadareja, në një intervistë të dhënë gazetares Natasha Këlliçi në Radio Televizioni Shqiptar, do të shprehej: “Onufrin e kam zgjedhur për botuesin tim të tanishëm dhe të ardhshëm, midis botuesve të tjerë shqiptarë. Më është dukur një botues serioz, por më kryesorja, më është dukur se në aksionin e tij të botimit nuk udhëhiqet nga etja për fitime, që për fat të keq është shumë e shpeshtë në jetën e sotme shqiptare dhe në vendet e tjera të Europës Lindore, por ka edhe njëfarë idealizmi, domethënë, në kuptimin shpirtëror të gjërave.”
Këtë dëshmi do ta sillte më pas në vëmendje edhe vetë Hudhri, duke treguar zanafillën e një bashkëpunimi që nuk mbeti vetëm marrëveshje mes një botuesi dhe një shkrimtari të madh, por u kthye në një ngjarje që i dha zëshmëri, prestigj dhe vetëbesim letërsisë shqipe. Në një kohë kur lexuesi shqiptar po joshej fuqishëm nga letërsia e huaj, prania e Kadaresë në “Onufri” krijoi një qendër graviteti kulturore, një rikthim të vëmendjes te libri shqip si vlerë dhe identitet.
Ky bashkëpunim do të kurorëzohej me botimin e veprës shtatëvëllimëshe të Kadaresë, edicioni më i plotë dhe më serioz i botuar deri më sot. Ai e paraqet krijimtarinë kadareane në përmasën e saj integrale, të sistemuar me rigorozitet tekstologjik dhe me një kujdes estetik që e ngre librin në nivelin e një objekti kulture. Ky botim mbetet jo vetëm një referencë për lexuesin shqiptar, por edhe versioni themelor mbi të cilin do të mbështeten botimet e ardhshme në shqip dhe në gjuhë të huaja.
Në këtë mënyrë, bashkëpunimi Kadare-Hudhri nuk është vetëm histori suksesi editorial. Ai është dëshmi se si idealizmi, serioziteti dhe besimi tek vlera mund të krijojnë institucione kulturore që mbijetojnë përtej kohës dhe tregut.
“Alblibris”, libri shqip në SHBA
Në Shtetet e Bashkuara, pronari i Onufri, Bujar Hudhri, në bashkëpunim me shqiptaro-amerikanin Pashko Camaj, hodhën një hap me rëndësi të veçantë për kulturën shqiptare në diasporë, themelimin e “Alblibris”, librarisë online të librit shqip në Amerikë. Një platformë e konceptuar për të sjellë librin fizik shqip pranë shqiptarëve të SHBA-së, por edhe më gjerë, kudo ku jeton dhe kërkon të mbajë gjallë lidhjen me gjuhën amtare një shqiptar.
Themelimi i “Alblibris” përfaqëson një nga nismat më domethënëse kulturore të shqiptarëve në diasporë dhe, në shumë kuptime, ndër të parat përpjekje serioze e të strukturuara për ta institucionalizuar librin shqip në Amerikë. Në një realitet shpesh të vështirë emigracioni, ku komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë historikisht i përqendruar tek mbijetesa ekonomike, integrimi social dhe ndërtimi i një jete të re, krijimi i një strukture kushtuar ekskluzivisht librit shqip plotëson një mungesë të kahershme dhe dëshmon një vizion kulturor afatgjatë.
Sepse “Alblibris” nuk është thjesht një ndërmarrje tregtare apo një platformë shitjeje librash. Në thelb, ai synon të bëhet një institucion identiteti për shqiptarët e Amerikës, një urë që lidh brezat me gjuhën, kujtesën dhe trashëgiminë shpirtërore të kombit. Në një kohë kur asimilimi kulturor është një proces i pashmangshëm për komunitetet emigrante, libri mbetet ndoshta forma më e qëndrueshme e rezistencës së identitetit. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e kësaj nisme.
Për dekada me radhë, libri shqip në SHBA ka qenë i fragmentuar, i shpërndarë në mënyrë rastësore dhe shpesh i paarritshëm për lexuesin. Ka pasur botime sporadike, përpjekje individuale dhe iniciativa të izoluara, por ato kanë vuajtur mungesën e një infrastrukture profesionale për promovimin, shpërndarjen dhe qarkullimin e librit shqip. Në mungesë të një qendre organizuese, shumë libra mbeteshin të panjohur, ndërsa lexuesi shqiptar në Amerikë shpesh e kishte të vështirë të krijonte një marrëdhënie të vazhdueshme me letërsinë në gjuhën amtare.
“Alblibris” erdhi pikërisht për ta kapërcyer këtë boshllëk. Ai krijon mundësinë që libri shqip të mos mbetet më një mall nostalgjik që bartet në valixhe nga Shqipëria apo Kosova, por të bëhet pjesë organike e jetës kulturore të diasporës shqiptare në Amerikë. Përmes kësaj platforme, lexuesi shqiptar fiton akses më të drejtpërdrejtë në letërsinë shqipe bashkëkohore, në autorët klasikë, në botimet studimore, historike dhe artistike, duke krijuar një hapësirë ku gjuha shqipe vazhdon të jetojë jo vetëm në kujtesë, por edhe në lexim.
Në këtë kuptim, “Alblibris” është më shumë se një librari. Është një përpjekje për të ndërtuar një atdhe kulturor në mërgim. Një dëshmi se libri shqip, edhe larg trojeve amtare, vazhdon të kërkojë lexuesin e vet dhe të mbajë ndezur ndjenjën e përkatësisë.
Përtej Kadaresë, një shtëpi për letërsinë shqipe
Megjithëse emri i Ismail Kadare mbetet boshti më i madh simbolik i historisë së Onufri, merita e vërtetë e Bujar Hudhrit qëndron në faktin se ai nuk e reduktoi kurrë këtë shtëpi botuese në hijen e një autori, sado i madh të ishte ai. Përkundrazi, “Onufri” u shndërrua në një strehë të gjerë dhe dinjitoze për vetë letërsinë shqipe, një hapësirë ku klasikët dhe bashkëkohësit, tradita dhe risia, përvoja dhe zërat e rinj bashkëjetuan në një dialog të vazhdueshëm kulturor.
Kolana e botimeve të “Onufrit” u pasurua me emra që përfaqësojnë ndër ndërgjegjet më të rëndësishme të letrave shqipe. Në këtë univers botues gjetën vend autorë si Martin Camaj, Robert Shvarc, Amik Kasoruho, Pashko Gjeçi, Anton Pashku, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Zija Çela, Ben Blushi, Mira Meksi, Visar Zhiti, Bardhyl Londo, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Liridon Mulaj, Ervin Hatibi dhe shumë të tjerë, secili me botën, stilin dhe individualitetin e vet krijues.
Ajo që e bën të veçantë këtë panoramë është fakti se Hudhri arriti të ruajë një ekuilibër të rrallë mes brezave dhe prirjeve estetike. Ai nuk ndërtoi një katalog të orientuar nga moda kalimtare apo nga grupimet letrare, por një mozaik përfaqësues të vetë zhvillimit të letërsisë shqipe. Brenda kësaj hapësire, bashkëjetojnë poetika të ndryshme, përvoja të kundërta, tradita gegë e toske, zëra të Kosovës dhe të Shqipërisë, autorë të afirmuar dhe shkrimtarë që kërkonin ende vendin e tyre në hartën letrare.
Në këtë mënyrë, “Onufri” kontribuoi jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë së letrave shqipe, por edhe në ripërtëritjen e saj. Këta autorë, me veprat dhe individualitetet e tyre, e pasuruan traditën tonë letrare dhe e bënë atë më të denjë për t’u përfaqësuar në kulturat dhe sfidat krijuese të botës bashkëkohore.
Por roli i Bujar Hudhrit nuk u kufizua vetëm te autorët e njohur. Ai u shqua gjithashtu për aftësinë për të zbuluar, promovuar dhe mbështetur talentet e reja. “Onufri” u bë një trampolinë për zëra të rinj të letërsisë shqipe, duke u ofruar atyre jo një botim periferik apo formal, por të njëjtin dinjitet editorial që u jepej autorëve të afirmuar. Për Hudhrin, talenti nuk matej me famën, por me vlerën e brendshme të zërit krijues.
Kjo qasje e bëri “Onufrin” më shumë sesa një shtëpi botuese: e ktheu në një institucion formues të kulturës shqiptare moderne, ku libri nuk shërbente vetëm për të ruajtur kujtesën e së kaluarës, por edhe për të hapur udhë drejt së ardhmes së letërsisë shqipe.
Kujtesa historike si qëllim
Kujtesa historike si qëllim është, dhe duhet të mbetet, një nga misionet më të larta të çdo botuesi që e sheh librin jo thjesht si produkt tregu, por si akt përgjegjësie ndaj kombit dhe kulturës. Sepse një popull nuk jeton vetëm me të tashmen, ai mbijeton dhe ndërton të ardhmen përmes kujtesës që arrin të ruajë për vetveten. Dhe botuesi, kur ka mundësitë, mjetet dhe vullnetin e nevojshëm, bëhet jo vetëm ndërmjetës i dijes, por edhe roje i ndërgjegjes historike të një shoqërie.
Në këtë kuptim, veprimtaria e Bujar Hudhrit dhe e “Onufri” ka pasur një dimension që shkon përtej letërsisë artistike. Ajo ka qenë edhe një përpjekje e vazhdueshme për të rikthyer në vëmendje kujtesën historike dhe identitare të shqiptarëve, përmes botimit të memuaristikës, dokumenteve, dëshmive dhe studimeve albanologjike që ndriçojnë zona të lëna në hije, të heshtura apo të shtrembëruara nga koha dhe ideologjitë.
Hudhri e kuptoi se historia nuk ruhet vetëm në arkiva, por edhe në librat që arrijnë te lexuesi. Për këtë arsye, ai u dha hapësirë botimeve që sjellin kujtime, dëshmi personale, reflektime historike dhe kërkime shkencore mbi fatin e shqiptarëve, kulturën, traditat dhe dramat e tyre kolektive. Nëpërmjet këtyre botimeve, shumë ngjarje, figura dhe përvoja që rrezikonin të mbeteshin në harresë, fituan mundësinë të bëhen pjesë e vetëdijes sonë kombëtare.
Ky angazhim ka një rëndësi të veçantë në një shoqëri si e jona, e cila për dekada ka kaluar përmes censurës, deformimeve ideologjike dhe boshllëqeve të qëllimshme në rrëfimin historik. Duke botuar libra që rikthejnë kujtesën dhe dëshmitë autentike, “Onufri” ka ndihmuar jo vetëm në pasurimin e kulturës sonë, por edhe në rindërtimin e një marrëdhënieje më të ndershme me të kaluarën.
Në këtë mënyrë, libri bëhet më shumë se objekt leximi. Ai shndërrohet në dokument të ndërgjegjes sonë kolektive, në një mjet për të kuptuar se kush kemi qenë, çfarë kemi humbur dhe çfarë duhet të ruajmë. Dhe pikërisht këtu qëndron një nga meritat më të rëndësishme të Bujar Hudhrit: ai e pa botimin si një mënyrë për të mbrojtur identitetin kulturor shqiptar nga harresa, shpërfillja dhe varfërimi shpirtëror.
Sepse kombet nuk humbasin vetëm kur pushtohen apo copëtohen. Ato humbasin edhe kur harrojnë. Dhe libri, në duart e njerëzve me vizion, mbetet një nga format më të fuqishme të rezistencës kundër harresës.
Botuesi si ambasador kulturor
Veprimtaria e Bujar Hudhrit nuk kufizohet brenda mureve të Onufri dhe as vetëm në procesin teknik të botimit të librit. Ai është shndërruar ndër vite në një figurë aktive të jetës kulturore shqiptare, një mbrojtës i përkushtuar i gjuhës shqipe dhe një ambasador i palodhur i librit shqiptar në hapësirat ndërkombëtare të kulturës. Në një kohë kur shumë kultura të vogla rrezikojnë të mbeten periferike përballë globalizimit, Hudhri e kuptoi se libri shqip kishte nevojë jo vetëm të botohej, por edhe të përfaqësohej me dinjitet në botë.
Pjesëmarrja e tij në panairet ndërkombëtare të librit, nga Frankfurt Book Fair deri te Paris Book Festival dhe aktivitete të tjera letrare europiane, nuk ka qenë një prani formale apo protokollare. Përmes kësaj veprimtarie, ai ka kërkuar ta bëjë letërsinë shqipe pjesë të dialogut kulturor ndërkombëtar, duke dëshmuar se gjuha dhe krijimtaria jonë kanë vlera që meritojnë të komunikojnë përtej kufijve kombëtarë.
Në vizionin e Hudhrit, libri shqip nuk është parë kurrë si një produkt lokal i destinuar të qarkullojë vetëm brenda hapësirës shqiptare. Përkundrazi, ai është trajtuar si një pasuri shpirtërore dhe identitare që duhet të gjejë rrugën drejt lexuesit të huaj, drejt kulturave të tjera, drejt një komunikimi universal ku letërsia bëhet përfaqësuese e historisë, ndjeshmërisë dhe vetë shpirtit të një kombi.
Por roli i tij si ambasador kulturor shfaqet edhe në marrëdhënien që ka ditur të krijojë mes autorit dhe lexuesit. Hudhri nuk e ka parë promovimin e librit si një ritual marketingu, por si një ngjarje të mirëfilltë kulturore. Shumë prej promovimeve dhe takimeve letrare të organizuara prej tij janë shndërruar në hapësira debati dhe reflektimi, ku nuk flitet vetëm për librin si objekt, por për vlerën, etikën, kujtesën dhe të ardhmen e letërsisë shqipe.
Ai ka ditur të ndërtojë ura komunikimi mes brezave, mes autorëve dhe publikut, mes kulturës shqiptare dhe botës. Në këtë mënyrë, figura e botuesit tek Bujar Hudhri fiton një dimension më të gjerë, ai nuk mbetet vetëm ndërmjetës i tekstit, por bëhet përfaqësues i kulturës, promovues i identitetit dhe mbrojtës i dinjitetit të gjuhës shqipe në arenën ndërkombëtare.
Sepse, në fund, një komb nuk përfaqësohet vetëm nga politika apo ekonomia e tij. Ai përfaqësohet edhe nga librat që shkruan, nga gjuha që ruan dhe nga njerëzit që kanë kurajën t’ia prezantojnë këto vlera botës me dinjitet dhe besim.
Bujar Hudhri, gazetari që nuk e braktisi pasionin
Bujar Hudhri, fillimisht i formuar si gazetar dhe më pas i shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të botimeve shqiptare, mbetet një shembull i rrallë i besnikërisë ndaj një pasioni që nuk u shua as në përplasjen me kohët e vështira të tranzicionit. Rruga e tij, që nga Elbasani drejt Tiranës, nuk ishte thjesht një zhvendosje gjeografike, por një lëvizje e brendshme drejt një ideali: besimi se fjala e shkruar, qoftë si gazetari, qoftë si letërsi, mbetet një formë rezistence ndaj harresës dhe banalitetit.
Në një periudhë kur media e shkruar shqiptare po përjetonte një tkurrje dramatike, gazetat print po mbylleshin njëra pas tjetrës, ndërsa ato që mbijetonin shpesh e bënin këtë duke sakrifikuar cilësinë, thellësinë dhe besueshmërinë e informacionit, Hudhri nuk u tërhoq nga kjo krizë. Përkundrazi, ai iu rikthye gazetarisë si një formë kujtese dhe si një hapësirë ku fjala ende mund të ruante dinjitetin e saj. Në vend që ta shihte zhdukjen e gazetës së shtypur si fund të një epoke, ai e pa si një sfidë për të shpëtuar atë që kishte më shumë vlerë: marrëdhënien e drejtpërdrejtë mes tekstit dhe lexuesit.
Në këtë kontekst lindi e përjavshmja ExLibris, një projekt që e ktheu Hudhrin sërish në territorin e gazetarisë së shkruar, por tashmë në një formë të transformuar, jo vetëm si informim, por si kulturë, si kujtesë dhe si promovim i letërsisë. “ExLibris” u bë një hapësirë ku fjala nuk konsumon lajmin e ditës, por ndërton vazhdimësi kulturore, ku autorët, krijuesit dhe studiuesit gjejnë një platformë për të komunikuar me publikun përtej ritmit të shpejtë të mediave digjitale.
Në një kohë kur leximi i gazetës së shtypur është bërë gjithnjë e më i rrallë dhe kur vëmendja publike fragmentohet nga shpejtësia e informacionit, ekzistenca e “ExLibris” merr një domethënie simbolike. Ajo nuk është thjesht një botim periodik; është një akt që sfidon rrjedhën e kohës, një këmbëngulje për të ruajtur një formë komunikimi që i jep hapësirë mendimit, reflektimit dhe thellësisë. Në këtë kuptim, ajo shndërrohet në një nga zërat e paktë që vazhdojnë të mbajnë gjallë traditën e gazetarisë kulturore në Shqipëri.
Përmes këtij projekti, Bujar Hudhri dëshmon se gazetaria nuk është thjesht profesion i së shkuarës së tij, por një komponent i pandarë i identitetit të tij kulturor. Ai nuk e ka braktisur kurrë pasionin për fjalën e shkruar; përkundrazi, e ka rimenduar atë, duke e zhvendosur nga lajmi i menjëhershëm drejt reflektimit kulturor dhe promovimit të letërsisë.
Në këtë mënyrë, “ExLibris” nuk është vetëm rikthimi i një gazetari te origjina e tij, por edhe një dëshmi se edhe në epokën e dominimit digjital, fjala e shtypur mund të mbijetojë, nëse mbështetet mbi vizion, përkushtim dhe besim te vlera e saj shpirtërore.
Bujar Hudhri, që e shndërroi “Onufri-n” në ikonë
Bujar Hudhri nuk është thjesht një botues. Ai është një nga ata njerëz të rrallë që e kanë jetuar librin si mision dhe jo si profesion të zakonshëm. Nëpërmjet Onufri, ai ka ndërtuar jo vetëm një institucion botues, por një hapësirë dinjiteti për letërsinë shqipe, një adresë prestigji ku emri i autorit respektohet dhe ku libri trajtohet si një monument i kulturës kombëtare.
Në një kohë kur tranzicioni i gjatë shqiptar rrezikoi të relativizonte vlerat, të çorientonte lexuesin dhe ta kthente kulturën në konsum të shpejtë, Hudhri zgjodhi rrugën më të vështirë: të mbrojë seriozitetin e librit dhe autoritetin e fjalës së shkruar. Ai krijoi një standard të ri botimi, ku cilësia estetike, korrektesa gjuhësore, përgjegjësia editoriale dhe përzgjedhja e kujdesshme e autorëve u kthyen në parime themelore. Përmes këtij vizioni, “Onufri” u bë më shumë sesa një shtëpi botuese; u bë një institucion kulture dhe kujtese.
Kontributi i tij nuk matet vetëm me titujt e botuar apo me emrat e mëdhenj që mbart katalogu i “Onufrit”. Ai matet me ndikimin që pati në vetë marrëdhënien e shqiptarëve me librin. Hudhri ndihmoi në rikthimin e besimit te letërsia shqipe, në kohë kur lexuesi rrezikonte të largohej prej saj. Ai mbrojti autorët shqiptarë, krijoi hapësirë për talentet e reja, promovoi klasikët, mbështeti studimet albanologjike dhe kontribuoi në ruajtjen e kujtesës sonë kulturore e historike.
Në historinë e letërsisë shqipe të tridhjetë viteve të fundit, figura e tij qëndron si një kolonë mbështetëse, duke na kujtuar se pas çdo libri të rëndësishëm qëndron gjithmonë edhe një botues me vizion, me pasion dhe me integritet të lartë njerëzor. Sepse librat nuk lindin vetëm nga talenti i autorit; ata mbijetojnë dhe marrin jetë publike falë njerëzve që besojnë tek vlera e tyre dhe që janë të gatshëm të sakrifikojnë për t’i sjellë te lexuesi.
Bujar Hudhri ka dëshmuar se të botosh shqip nuk është thjesht një sipërmarrje ekonomike. Është një akt dashurie ndaj gjuhës, ndaj kulturës dhe ndaj vetë kombit. Është një përgjegjësi për të mbrojtur fjalën shqipe nga harresa, banaliteti dhe mediokriteti. Dhe pikërisht për këtë, veprimtaria e tij mbetet një dëshmi e rrallë përkushtimi në jetën kulturore shqiptare.
Në këtë 70-vjetor të lindjes së tij, ne nuk vijmë vetëm me urime dhe fjalë mirësjelljeje. Vijmë me mirënjohje. Me respekt për atë që ai përfaqëson dhe për atë që ka bërë për letërsinë shqipe, për autorët shqiptarë, për librin dhe leximin, për kulturën tonë dhe për vetë dinjitetin e fjalës së bekuar shqipe.










