Nga Albert Vataj
Në vitin 1310, 1 qershor, një grua u çua në qendër të Parisit dhe u dogj e gjallë në turrën e druve pas një procesi të gjatë, një tjetër Zhan D’Ark e gjyqeve fars që vihej përballë një padrejtësi ikonike që u justifikua si hyjnore.
Emri i saj ishte Marguerite Porete. Krimi i saj nuk ishte dhuna, komploti apo rebelimi, lidhje me shtrigat, apo ndonjë tjetër akti heretik, të njohura si mënyra për të mbajtur nën diktatin e nënshtrimit, gra që dolën nga rreshti, forca sfiduese që ju kundërvunë autoritetit të kishë dhe drejtësisë së saj të padrejtë.
Arsyeja ishte shkrimi i një libri dhe insistimi për të tërhequr nga qarkullimi “Pasqyra e shpirtrave të thjeshtë”, një vepër e misticizmit të krishterë që merret me funksionimin e Dashurisë Hyjnore.
“Dashuria në këtë libër u tregon shpirtrave prekjet e veprave të tij hyjnore të fshehura nën fjalë të errëta, në mënyrë që ata të shijojnë gllënjkat më të thella të dashurisë dhe pijeve të tij.

Porete kur shkruante: “Unë jam Zoti, thotë Dashuria, sepse Dashuria është Zoti dhe Zoti është Dashuri, dhe ky Shpirt është Zoti nga kushti i Dashurisë. Unë jam Zoti nga natyra hyjnore dhe ky Shpirt është Zoti nga drejtësia e Dashurisë.” i referohet fjalëve të Gjon Ungjilltarit.
Vizioni i Poretes për Shpirtin në bashkim ekstatik me Zotin, duke lëvizur në një gjendje gëzimi dhe paqeje të përhershme, është një përsëritje e doktrinës katolike të vizionit të lumtur, megjithëse i përjetuar në këtë jetë, jo në tjetrën. Porete hasi probleme me disa autoritete në përshkrimin e saj të Shpirtit në këtë gjendje, duke qenë mbi dialektikën botërore të moralit konvencional dhe mësimet dhe kontrollin e kishës tokësore. Porete argumenton se Shpirti në një gjendje kaq sublime është mbi kërkesat e Virtytit të zakonshëm, jo sepse virtyti është i panevojshëm, por sepse në bashkimin e tij me Zotin, virtyti bëhet autonom. Meqenëse Zoti nuk mund të bëjë të keqen dhe nuk mund të mëkatojë, Shpirti i lartësuar dhe i asgjësuar, në bashkim të përsosur me Të, nuk është më i aftë për të keqen ose mëkatin. Autoritetet e kishës e konsideronin konceptin, se dikush ishte mbi kërkesat e Virtytit të zakonshëm si amoral.
Titulli i plotë i veprës është “Pasqyra e Shpirtrave të Thjeshtë që Shkatërrohen dhe Mbeten Vetëm në Vullnetin dhe Dëshirën e Dashurisë”. Meditimet u shkruan fillimisht në dialektin Pikard të frëngjishtes së vjetër dhe eksplorojnë në poezi dhe prozë shtatë fazat e “asgjësimit” që kalon Shpirti në rrugën e tij drejt Unitetit me Zotin, nëpërmjet dashurisë. Ishte jashtëzakonisht popullor kur u shkrua, por ra në kundërshtim me autoritetet kishtare, të cilat zbuluan elementë të Vëllezërve të Shpirtit të Lirë, një lëvizje antinomiane në vizionin e saj, e denoncuan atë si “plot gabime dhe herezi”, dogjën kopjet ekzistuese, ndaluan qarkullimin e saj, dhe ekzekutuan vetë Porete-n.
Megjithatë, vepra u përkthye në latinisht, anglishten e mesme, frëngjishten e mesme dhe italishten e vjetër dhe qarkulloi në Francë, Itali, Gjermani, Angli dhe Bohemi, megjithëse jo me emrin e Porete-s të bashkangjitur. Në fakt, Porete nuk u identifikua si autore deri në vitin 1946. Që atëherë, është parë gjithnjë e më shumë si një nga veprat themelore të letërsisë shpirtërore mesjetare, dhe Porete, së bashku me Mechthild të Magdeburgut dhe Hadeëijch, mund të shihet si një shembull i misticizmit të dashurisë së lëvizjes Beguine.

Marguerite vinte nga Qarku i Hainaut-it, në atë që sot është Belgjika. Me gjasë lindi në mesin e viteve 1200, ndonëse datat e sakta mbeten të paqarta. Ajo iu bashkua një lëvizjeje fetare të njohur si Beguinat. Beguinat ishin gra laikë që zgjidhnin një jetë lutjeje dhe shërbimi pa marrë betime të përhershme monastike. Ato jetonin në bashkësi, mbështeteshin përmes punës së tyre dhe përqendroheshin në rritjen shpirtërore.
Pavarësia e tyre i bënte autoritetet kishtare të ndiheshin të pasigurta. Ato nuk ishin murgesha nën rregull të rreptë manastikor, por as plotësisht nën kontrollin e klerit. Marguerite shkoi edhe më tej se shumica.
Në fund të viteve 1200, ajo shkroi librin e saj të shpallur heretik, që e çoi në turrën e druve. Libri ishte një dialog mistik mes figurave alegorike si Dashuria, Arsyeja dhe Shpirti. Ai përshkruante shtatë etapa të transformimit shpirtëror. Imagjinojeni se sa larg shigjeton arsyeja e mendjeve të errëta e shpirtrave të zbrazur nga çdo grimcë drite.
Në qendër të librit “Pasqyra e shpirtrave të thjeshtë”, qëndronte një pretendim radikal. Marguerite argumentonte se një shpirt mund të bashkohej aq thellë me dashurinë hyjnore, sa të mos kishte më nevojë për ritualet dhe rregullat e Kishës në të njëjtën mënyrë si më parë. Në dorëzim të plotë ndaj Zotit, thoshte ajo, shpirti gjen lirinë e vërtetë. Ajo shkruante se një shpirt i tillë bëhet i paaftë për mëkat, sepse nuk vepron më nga vullneti egoist.
Me gjas Porete e ka shkruar versionin e parë të librit të saj në vitet 1290. Diku midis viteve 1296 dhe 1306, libri u konsiderua heretik dhe Gui de Collemedio, Peshkopi i Kambrait , e dënoi djegien e tij publikisht në prani të saj në Valenciennes. Një nga tabutë që Porete kishte thyer ishte shkrimi i librit në frëngjishten e vjetër, në vend të latinishtes, dhe asaj iu urdhërua të mos i qarkullonte më idetë e saj ose librin, megjithëse vazhdoi ta bënte këtë.
Për teologët, kjo tingëllonte e rrezikshme. Dukej sikur sugjeronte se ligji moral nuk zbatohej më për disa njerëz. Për Marguerite-n, kjo përshkruante bashkimin më të thellë të mundshëm me Zotin.
Ajo nuk shkroi në latinisht, gjuhën e klerit dhe dijetarëve. Ajo shkroi në frëngjishten e vjetër. Njerëzit e zakonshëm mund ta lexonin. Kjo i bënte idetë e saj më të vështira për t’u kontrolluar.
Midis viteve 1296 dhe 1306, Ipeshkvi i Cambrai-t e dënoi librin e saj si heretik. Ai urdhëroi që libri të digjej publikisht dhe e ndaloi Marguerite-n ta qarkullonte sërish. Ajo refuzoi. Besonte se vepra e saj mbante një të vërtetë hyjnore dhe nuk pranoi të tërhiqej.
Në vitin 1308, ajo u arrestua dhe iu dorëzua Inkuizitorit të Francës, Ëilliam i Parisit, një frat dominikan i lidhur me mbretin Filipi IV. Ajo u burgos në Paris për rreth tetëmbëdhjetë muaj.
Gjatë gjyqit, Marguerite refuzoi të bënte betimin e kërkuar apo t’u përgjigjej pyetjeve. Heshtja e saj ishte e qëllimshme. Autoritetet kishtare i dhanë mundësi të tërhiqej. Të tjerë kishin shpëtuar jetën duke pranuar gabimin. Ajo jo.

Një grup teologësh nga Universiteti i Parisit shqyrtoi librin e saj dhe identifikoi pesëmbëdhjetë pohime që i konsideruan heretike. Një prej tyre ishte ideja se një shpirt i bashkuar me Zotin mund t’i “jepte natyrës atë që dëshiron” pa mëkat. Kjo u pa si minimi i disiplinës morale dhe i autoritetit të Kishës.
Më 31 maj 1310, ajo u shpall zyrtarisht heretike e rikthyer. Të nesërmen, më 1 qershor, u çua në Place de Grève në Paris për ekzekutim. U dorëzua autoriteteve laike dhe u dogj në turrën e druve.
Pas vdekjes së saj, fragmente nga libri u cituan në dekretin Ad Nostrum, i cili u lëshua nga Këshilli i Vjenës në vitin 1311 për të dënuar Vëllezërit e Shpirtit të Lirë si heretikë.
Një kronikë bashkëkohore shënon diçka të papritur. Ndonëse autori nuk mbështeste pikëpamjet e saj, ai vuri re se ajo e përballoi vdekjen me qetësi dhe se shumë nga turma u prekën deri në lot nga përmbajtja e saj. Në vend të zemërimit apo panikut, panë qetësi.
Autoritetet urdhëruan shkatërrimin e librit të saj. Synonin të fshinin si tekstin, ashtu edhe autoren.
Dështuan.
“Pasqyra e Shpirtrave të Thjeshtë” vazhdoi të qarkullonte fshehurazi nëpër Evropë. U përkthye në latinisht, italisht dhe anglishte të mesme. Për shekuj me radhë, u lexua në mënyrë anonime ose iu atribua të tjerëve. Teksti mbijetoi edhe kur emri i saj u harrua.

Në vitin 1946, studiuesja Romana Guarnieri, duke studiuar dorëshkrime në Bibliotekën e Vatikanit, identifikoi Marguerite Porete si autoren e vërtetë. Më shumë se gjashtëqind vjet pas vdekjes së saj, emri iu rikthye veprës.
Sot, Marguerite Porete njihet si një nga mistiket më të rëndësishme të Mesjetës. Idetë e saj shpesh krahasohen me ato të Meister Eckhart-it, i cili gjithashtu eksploroi bashkimin me Zotin dhe u përball me akuza për herezi.
Ekzekutimi i saj pasqyron tensionin mes autoritetit institucional dhe përvojës personale shpirtërore në Evropën mesjetare. Mbijetesa e veprës së saj në traditën dorëshkrimore tregon se idetë mund t’u mbijetojnë përpjekjeve për t’i heshtur.
Marguerite Porete refuzoi të mohonte atë që besonte si të vërtetë. Ajo e përballoi zjarrin pa tërhequr fjalët e saj. Kisha u përpoq ta shkatërronte librin e saj. Në vend të kësaj, ai udhëtoi përmes shekujve.
Statusi i Porete-s si një mistike mesjetare është rritur në dekadat e fundit dhe e ka vendosur atë përkrah Mechthild të Magdeburgut dhe Hadeëijch në shprehjen e Misticizmit të Dashurisë së spiritualitetit Beguine.
Në vitin 2006, poetja Anne Carson shkroi një libreto poetike të titulluar Decreation (Dekreacioni), pjesa e dytë e të cilit merr si subjekt Porete-n dhe veprën e saj, Pasqyra e Shpirtrave të Thjeshtë, si pjesë e një eksplorimi se si gratë (Sappho, Simone Ëeil dhe Porete) “i tregojnë Zotit”.
Teksti mbijeton në gjashtë versione në katër gjuhë me 13 dorëshkrime, duke e bërë atë ndër tekstet mistike më të përhapura të Mesjetës.










