Werner Heisenberg, një nga arkitektët e mekanikës kuantike, kujtonte se për Albert Ajnshtajn, ajo që ata po përpiqeshin të bënin në vitet e para të shekullit XX ishte thuajse një herezi intelektuale. “Ne po i hiqnim tokën nga këmbët”, thoshte Heisenberg, sepse mekanika kuantike vinte në dyshim themelet e një bote që Ajnshtajn e kishte ndërtuar mbi rend, determinizëm dhe elegancë matematikore.
Edhe kur teoria kuantike u bë shtylla e fizikës moderne, Ajnshtajn nuk e ndryshoi dot qëndrimin e tij. Ai mund ta pranonte si një mjet të përkohshëm, një zgjidhje të ndërmjetme, por jo si përshkrimin përfundimtar të realitetit.
Parimi i tij ishte i pathyeshëm: “Zoti nuk luan me zare.”
Një thënie që nuk ishte thjesht një metaforë; ishte rrënjësisht e lidhur me bindjen e tij se universi ka një strukturë racionale, të kuptueshme, që nuk i dorëzohet rastësisë apo paqartësisë.
Niels Bohr, në anën tjetër të debatit, e kuptonte botën kuantike si një realitet që sfidonte intuitën e përditshme dhe mendimin klasik. Ai nuk hezitonte t’i përgjigjej me qetësi dhe thellësi filozofike: “As nuk është puna jonë t’i themi Zotit se si duhet të drejtojë botën.”
Për Heisenberg-un, këto replika nuk ishin vetëm batuta mes dy kolosëve të shkencës, ato ishin shenja të një ndarjeje të thellë konceptuale. Ajnshtajn kërkonte siguri dhe rend universal. Bohri dhe brezi i ri e shihnin natyrën si më të ndërlikuar, më të shumëkuptimtë, më të mistershme se ç’mund ta kapte logjika klasike.
Heisenberg e përshkruan këtë debat si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së mendimit njerëzor,një përplasje mes vizionit determinist të shekullit XIX dhe realitetit probabilistik të shekullit XX.
Merita e tij është se ai e pa nga afër tensionin, admirimin reciprok dhe divergjencën e pakapërcyeshme mes dy mendjeve që e modeluan fizikën moderne.
Përgatiti: Albert Vataj











