Për Risorgimenton, historinë e bashkimit italian, historianët kanë shkruar se tridhjetëvjeçari i formimit të shtetit prodhoi pak letrarë, pikërisht sepse intelektualët dhe borgjezia zhvilluan një ndjenjë të tillë patriotike, që e thithi krejt gjeniun e tyre krijues për t’ia kushtuar kauzës unifikuese. Por kultura nuk është vetëm letërsi dhe, në atë kohë, muzika përfaqësonte kulmin e artit italian. U shfaqën kështu me dhjetëra libretistë të përkushtuar ndaj lirikës, dhe në sallonet e mëdha spikaste primadona e La Scala-s, e La Fenice-s apo e San Carlos së Napolit.
Verdi, me veprën e tij të gjerë, u bë flamuri i këtij Risorgimento-s dhe mbeti i tillë deri në fund. Ai u bë simbol i epokës madje pa e dashur vetë, edhe pse në Nabucco kishte menduar sinqerisht te populli hebre që më në fund gjente lirinë, e jo te shtypja austriake. Ai ishte një gjeni krijues me ndjenja të tokës, të lidhur me botën fshatare, ndërsa kritika e ashpër i kundërvihej për mungesën e një delikatesë të caktuar. Por pikërisht kjo ishte merita i tij, madhështia e tij: t’i jepte lirikës ndjenjën popullore, t’i fliste barkut dhe zemrës para se t’i fliste mendjes.
E adhuronin të gjithë, pavarësisht karakterit të tij të mbyllur dhe të rezervuar.
Le të nisim kësaj here nga fundi, nga funerali i tij, ku debutoi i riu Arturo Toscanini në drejtimin e muzikës, për të rimarrë më pas fijet e biografisë së tij.
Në Lettere 1843–1900 të përgatitura nga Baldassarre/Onorelli, lexohen dëshirat testamentare të Verdit:
“Urdhëroj që funeralet e mia të jenë më të thjeshtat e mundshme dhe të mbahen në agim ose në ‘Ave Maria’, në mbrëmje, pa këngë e pa muzikë. Mjaftojnë dy priftërinj, dy qirinj dhe një kryq. Të shpërndahen një mijë lira për të varfrit e Sant’Agata-s ditën pas vdekjes sime. Nuk dua asnjë pjesëmarrje publike për vdekjen time sipas formave të zakonshme.”
Por dashuria e italianëve për Verdin ishte aq e madhe, sa nuk u organizua thjesht një “funeral shumë modest”, siç kërkonte Mjeshtri. Në fakt, funeralet e para duhej të bëheshin në formë private, duke transportuar arkëmortin drejt varrezave monumentale të Milanos herët në mëngjes, larg syve të publikut, përveç atyre të disa nxënësve të shkollës fillore (siç tregohet edhe në një dëshmi audio të njërës prej vajzave të pranishme). Por nga çdo cep i Milanos, që në orët e para të agimit, turma u derdh në rrugë, dhe u deshën shtatë priftërinj dhe jo dy, siç kishte kërkuar ai.
Siç shkruante Corriere della Sera më 2 shkurt 1901:
“Vargu mortor përshkoi rrugën Manzoni, sheshin Cavour, rrugën Manin, bastionet e Porta Nuova-s, ato të Porta Garibaldi-t, deri te bulevardi i varrezave Monumentale. Pamja që ofronin bastionet, në disa pika të ngritura mbi rrugën e ngushtë poshtë tyre, ishte e pashpjegueshme. Që një orë më parë dhjetëra mijëra njerëz i prisnin atje. Dhe karoja kalonte ngadalë, e mbështjellë në mjegullën e mëngjesit, duke marrë me pendat dhe stolitë e saj një pamje fantastike; dhe prapa e ndiqnin duke u shtyrë, duke u përplasur edhe dhjetëra mijëra burra e gra të rënduar nga trishtimi i ceremonisë dhe i orës.”
Një muaj më vonë, trupi u zhvendos në kryptën e Shtëpisë së Pushimit për Muzikantë, themeluar nga vetë Verdi. Me atë rast, pjesëmarrja popullore ishte kolosale: më shumë se 300 mijë njerëz iu bashkuan korteut, të kryesuar në ballë nga një kor prej 820 zërash nën drejtimin e Arturo Toscaninit, duke kënduar Va, pensiero. Korteu ishte aq i madh, sa iu deshën 11 orë për të mbërritur në pallatin e Piazza Buonarroti-t.
Një popull mbarë i dha lamtumirën një njeriu që, me muzikën e tij, ishte bërë atdhe.
Ky ishte Verdi i madh, i një populli të madh, i një kulture të madhe, i një bote të papërmasshme që e shndërroi artin e tij në një vokacion të kohës.
Përgatiti: Albert Vataj










