Nga Albert Vataj
U përcoll si një befasi goditja e çekiçit të shtëpisë së ankandeve, Sotheby’s. Piktura e Gustav Klimt-it, “Portreti i Elisabeth Lederer”, u shit për një shifër rekord prej 236.4 milionë dollarësh, duke u bërë një nga veprat më të shtrenjta të artit modern të shitur ndonjëherë në ankand. Kjo vepër e jashtëzakonshme, e realizuar midis viteve 1914 dhe 1916, kap esencën e elegancës dhe sensualitetit tipik të Klimt-it, duke shfaqur Elisabeth Lederer, vajzën e një meceni të pasur hebre, në një kompozicion që bashkon ornamentikën karakteristike të artistit me një intimitet emocional të thellë. Portreti mbart edhe një histori dramatike: ai luajti një rol të rëndësishëm në shpëtimin e vetë Elisabeth-it gjatë Holokaustit.
Piktura, në madhësi reale, përshkruan Elisabeth Lederer, vajzën e industrialistit hebre August Lederer dhe Serena Lederer, ndër patronët më të shquar të Gustav Klimt-it. Ajo ishte anëtarja e dytë e familjes që u ul për t’u portretizuar nga artisti, pas Serena Lederer-it, të cilën Klimt e pikturoi në vitin 1899; më vonë ai do të portretizonte edhe gjyshen e saj, Charlotte Pulitzer, në vitin 1915. Në kohën kur u realizua portreti, familja Lederer renditej si familja e dytë më e pasur në Vjenë, pas Rothschildëve.
Elisabeth u martua në vitin 1921 me baronin Wolfgang von Bachofen-Echt, duke u konvertuar në protestantizëm, por pas divorcit të tyre në vitin 1934 ajo rifitoi përkatësinë hebraike. Pas Anschluss-it të vitit 1938, kur Austria ra nën kontrollin nazist, pjesa më e madhe e familjes së saj u detyrua të largohej, ndërsa koleksioni i pasur i artit Lederer u plaçkit dhe u konfiskua nga nazistët. Në përpjekje për të shmangur persekutimin, Elisabeth përfitoi një dokument që deklaronte se ajo ishte vajza jashtëmartesore e Klimt-it – një artist jo-hebre – një pretendim i mbështetur nga vetë ekzistenca e portretit. Ajo u ndihmua gjithashtu nga një zyrtar i lartë nazist, ish-kunati i saj, i cili ndërhyri për ta mbrojtur. Falë kësaj, ajo arriti të qëndronte në Vjenë deri në vdekjen nga një sëmundje e rëndë më 19 tetor 1944.

Në portretin e Elisabeth-it, Klimt e paraqet atë si një vajzë 20-vjeçare, me një fustan të bardhë të ngushtë dhe një fund elegant që thekson siluetën e saj të hijshme – ndryshe nga fustani voluminoz me të cilin u portretizua nëna e saj. Ajo mban gjithashtu një shall të bardhë prej shifroni të qëndisur me lule, ndërsa shikimi i saj i qetë, por i pranishëm, krijon një atmosferë eterike, pothuajse trandëse. Nën këmbët e saj shtrihet një qilim me tone të forta rozë-portokalli dhe me kufij të zinj e të bardhë që evokojnë dizajnet e Wiener Werkstätte të Josef Hoffmann-it. Rrathët jeshilë dhe të bardhë, të shpërndarë çrregullisht, sjellin në mendje nefritin kinez.
Vepra i përket periudhës së vonë të Klimt-it, kur ndikimi i artit të Azisë Lindore ishte veçanërisht i pranishëm. Në këtë grup përfshihen edhe: Portreti i Adele Bloch-Bauer II, Mäda Primavesi, Friederike Maria Beer, Zonja me një erashkë dhe Portreti i papërfunduar i Ria Munk III. Sfondi i portretit të Elisabeth-it, me gjasë i papërfunduar për shkak të vdekjes së Klimt-it në vitin 1918, shfaq figura të frymëzuara nga kultura materiale kineze dhe opera e Pekinit: ushtarë të rangut të ulët, studiues dhe shoqëruese femra, të cilët krijojnë një narrativë vizuale dreamlike. Sipas studiueses Emily Braun, këto figura i japin veprës një dimension simbolik dhe kulturor, ndërsa Tobias G. Natter vëren se ato “shfaqen si figura nga një ëndërr”, duke përforcuar atmosferën e brishtë e të përtejme që rrethon portretin.
Vepra vinte nga koleksioni i të ndjerit Leonard A. Lauder dhe u shit në ankandin e Sotheby’s, duke tërhequr vëmendjen e botës së artit jo vetëm për vlerën e saj monetare, por edhe për historinë e saj të jashtëzakonshme. Nazistët, në një akt ironik, e konsideruan pikturën “shumë hebraike” për t’u konfiskuar, dhe kjo pikërisht e shpëtoi atë. Ndërsa shumë nga veprat e tjera të Klimt-it që i përkisnin familjes Lederer u depozituan në Kështjellën Immendorf dhe u shkatërruan nga një zjarr i vitit 1945, “Portreti i Elisabeth Lederer” mbijetoi. Në vitin 1948, pas Luftës së Dytë Botërore, ai iu kthye vëllait të saj, Erich Lederer.
Sot, kur kjo vepër u shfaq në ankandin e Sotheby’s, ajo nuk u perceptua thjesht si një objekt luksi, por si një testament i rezistencës dhe i shpëtimit. “Portreti i Elisabeth Lederer” rrëfen historinë e një gruaje që lindi mes privilegjeve, u përball me humbje të mëdha dhe jetoi në hijen e një epoke të errët; gjithashtu pasqyron fatin e artit të plaçkitur, të dhunuar dhe shpesh të zhdukur gjatë regjimeve totalitare. Sot ai qëndron si një dëshmi e ruajtjes së dinjitetit njerëzor dhe e fuqisë së artit për të mbijetuar përtej flakëve të historisë.











