Nga Albert Vataj
I vetmuar nën qiejt e errët të një nate të ftohtë tetori, Leo Tolstoi u ngrit në heshtje nga shtrati i tij në Jasnaja Poljana. Ora ishte e treta e mëngjesit, dhe bota, e fjetur dhe e qetë, nuk e dinte ende se një gjeni do të shkonte të kërkonte lirinë që zemra e tij kishte ëndërruar gjithë jetën. Çdo hap ishte i rëndë, i shoqëruar nga kujtimet e dekadave, nga vargjet që kishin ndriçuar botën dhe nga zëri i brendshëm që e thërriste larg pasurisë, larg familjes, drejt një udhëtimi të paqartë dhe të pashmangshëm.
Në këtë akt të heshtur, por plot guxim, u përzihen dy botë, shkrimtari legjendar, i njohur në çdo kontinent për “Luftë e Paqe” dhe “Ana Karenina”, dhe njeriu shpirtëror, i lodhur nga pasuria, nga obligimet dhe nga kontradiktat e jetës së përditshme. Zemra e tij kërkonte thjeshtësinë, por e dashura familje dhe e lidhura me të për dekada e thërriste tjetër, duke e mbajtur të ngurtësuar midis detyrës dhe dëshirës.
Kjo natë, kjo arratisje, ishte më shumë se një largim fizik. Ishte përballja e një njeriu me vetveten, një udhëtim për të gjetur paqen që letërsia dhe fama nuk mund ta siguronte. Në heshtjen e trenit të tretë dhe në rrugën drejt një stacioni të largët, Tolstoi bëri një zgjedhje që do të shënonte jo vetëm fundin e jetës së tij, por do të mbetej e gdhendur në kujtesën e botës: një histori dhimbjeje, lirie dhe njerëzimit të pafund.
Në moshën 82-vjeçare, Leo Tolstoi, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të historisë, ndërmori një vendim të papritur që tronditi botën dhe familjen e tij, ai u arratis natën vonë, duke lënë pas gruan e tij, Sofinë, dhe 48 vjet martesë. Dhjetë ditë më vonë, gjeniu i letrave vdiq i vetëm në një stacion të largët treni, larg shtëpisë së tij dhe familjes që e donte, por që nuk e kuptonte dot dëshirën e tij të thellë për liri shpirtërore.
Më 28 tetor 1910, në orën 3 të mëngjesit, Tolstoi u ngrit në heshtje nga shtëpia e tij në Jasnaja Poljana, ku kishte jetuar për dekada, duke kaluar çdo ditë midis librave dhe letërsisë, por gjithmonë i ndjekur nga pyetjet e pafundme për kuptimin e jetës dhe shpirtit. I brishtë, i lodhur dhe i mbushur me një ndjenjë të thellë të ndarjes së brendshme, ai ndodhej mes dy identiteteve, shkrimtarit legjendar dhe njeriut shpirtëror që kishte braktisur pasuritë dhe predikonte thjeshtësinë dhe askezinë.
Kjo ndarje e brendshme, ky konflikt midis idealeve dhe jetës familjare, kishte shënuar thellë marrëdhënien me Sofinë. Gruaja e tij, e përkushtuar ndaj familjes dhe të ardhmes së fëmijëve, donte të ruante pasurinë dhe të drejtat e autorit të Tolstoit, ndërsa ai, besues i fortë se pronësia ishte një lloj vjedhjeje, dëshironte t’i hiqte dorë nga të gjitha, duke ia lënë botës vetëm veprën dhe idetë e tij. Kjo qëndronte si një hendek i pashlyeshëm mes tyre.
Mbrëmjen e largimit, Tolstoi la një letër të shkurtër për Sofinë, por e ngarkuar me gjithë dhimbjen dhe përulësinë e shpirtit të tij:
“Largimi im do të të shkaktojë dhimbje… Më fal, por nuk mund të bëja ndryshe.”
Ai u nis bashkë me vajzën e tij Aleksandër dhe mjekun personal, pa një destinacion të qartë, në një tren të klasit të tretë, duke iu dorëzuar rrjedhës së fatit dhe dëshirës së tij për paqe shpirtërore.
Kur Sofia gjeti shënimin, u shemb nga dëshpërimi; zemra e saj u thye. Ajo bërtiti, duke kërcënuar se do të mbytej në liqenin e pronës, sikur vetë uji të ishte një rrugë për të ndjekur burrin që e braktisi. Por Tolstoi nuk ktheu kokën, dhe udhëtimi i tij vazhdoi. Pas katër ditësh, trupi i lodhur i Tolstoit u përball me pneumoninë, dhe më 7 nëntor ai vdiq në Astapovo, një stacion i vogël hekurudhor rus, i largët nga çdo kujtim i sigurt i shtëpisë dhe dashurisë së familjes.
Ajo që ndodhi më pas ishte pothuajse surreale: gazetarë, dishepuj dhe kureshtarë u grumbulluan rreth stacionit, duke e bërë vdekjen e tij një ngjarje publike, ndërsa Sofia, e përjashtuar, nuk lejohesh të përjetonte momentet e fundit të bashkëshortit. Fëmijët, të frikësuar se pranina e saj mund ta përshpejtonte fundin e babait, e mbajtën larg. Një dramë e hidhur familjare u zhvillua në heshtje, ndërsa bota vajtonte një gjeni.
Familja e tij mbeti e copëtuar nga zgjedhjet e shkrimtarit. Fëmijët, veçanërisht Sergei, u ndanë midis trashëgimisë së babait dhe peshës së ideologjisë së tij, duke u përpjekur të kuptonin një njeri që kish dashur gjithçka dhe që, në fund, kishte zgjedhur gjithçka të linte pas.
Sofia jetoi edhe nëntë vjet më pas, botoi kujtimet e saj, por mbeti gjithmonë e ndjekur nga hija e braktisjes së burrit, një plagë e hapur që nuk u mbyll kurrë, deri në vdekjen e saj më 1919.
Historia e Tolstoit nuk është vetëm historia e një gjeniu letrar; ajo është edhe tregimi i një njeriu të madh që, megjithëse kuptonte thellësisht dashurinë dhe përgjegjësinë njerëzore, nuk arriti kurrë t’i aplikojë ato në jetën e tij personale, duke lënë një kombinim të paharrueshëm dhimbjeje, bukurie dhe reflektimi për brezat që do të vinin.










