Albert Vataj
“Vilet e Zemërimit”, e cila hyri me fuqinë e një kryengritjeje morale në letërsinë amerikane, mbart në vetvete dramën e një epoke ku miliona shpirtra u zhvendosën jo vetëm në hapësirë, por edhe në vetëdijen e tyre. Familja Joad, qiraxhinj të dëbuar nga toka e tyre në Oklahoma gjatë viteve të ashpra të Dust Bowl dhe Depresionit të Madh, shndërrohet në zëdhënëse të një brezi që kërkonte jo vetëm bukën e gojës, por edhe kuptimin e ekzistencës dhe të drejtën për të qenë.
Udhëtimi i tyre drejt Kalifornisë është i ngarkuar me simbolikë, një pelegrinazh i vuajtjes e shpresës, një kërkim i përjetshëm për një tokë të premtuar që, si në mitologjitë biblike, shfaqet e shndërruar në tundim dhe zhgënjim. Çdo kilometër i rrugës së gjatë në Route 66 është një kapitull i sakrificës, një përplasje me vdekjen, me braktisjen dhe me pamundësinë. Dhe megjithatë, Steinbeck nuk rrëfen vetëm dramën e një familjeje: ndër kapitujt ndërmjetësues, ai ndërton një freskë epike të migrimit masiv, ku historia e Joadëve bëhet një metaforë e fatit të të shtypurve dhe të heshturve.
Në qendër të këtij universi moral qëndron Tom Joad, një protagonist i shndërruar nga një kriminel i liruar me kusht në një figurë të ndërgjegjshme shoqërore, nën ndikimin e thellë të ish-priftit Jim Casy, i cili ngre filozofinë e shpirtit njerëzor mbi dogmën fetare. Por është Ma Joad, matriarkja e pathyeshme, që bart mbi shpatulla peshën e së pamundurës, duke mbajtur të gjallë atë fjalë të paharrueshme që sintetizon gjithë filozofinë e mbijetesës: “Ne jemi populli, ne vazhdojmë përpara.”
Ky roman është një akt akuze kundër kapitalizmit që e shndërron njeriun në numër dhe punën në mjet shfrytëzimi. Ai e rrënon mitin e ëndrrës amerikane dhe hedh në dritë një spiritualitet të ri humanist, ku dhembshuria e njeriut ndaj njeriut ngrihet mbi çdo besim të institucionalizuar. Në fundin e tij, Steinbeck e përmbyll historinë jo me një shpresë të lehtë, por me një gjest ekstrem humaniteti, një skenë që ende ngjall debate për nga intensiteti etik që përmban.
Kur doli në qarkullim, libri u dogj e u ndalua, u anatamua për gjuhën dhe mesazhin e tij, por në të njëjtën kohë ngriti një pasqyrë që shoqëria nuk mund ta shmangte. Ai solli vetëdijësim, ndihmoi në lëvizje shoqërore dhe për Steinbeck-un u bë ura drejt Nobelit në vitin 1962.
Sot, “Vilet e Zemërimit” vazhdon të jetojë si një testament i përhershëm i shpirtit njerëzor që nuk dorëzohet. Ai mbetet i freskët, i përjetshëm, sepse pabarazia, shpërngulja dhe kërkimi i dinjitetit nuk i përkasin vetëm një epoke, por janë plagë që shoqërojnë përherë historinë njerëzore.