Albert Vataj
Në vitin 1893, Arthur Conan Doyle ndërmori një veprim që në historinë e letërsisë është cilësuar si një “krim letrar”, ai vendosi ta zhdukte Sherlock Holmes-in, krijuar prej tij. Në tregimin “Problemi i Fundit”, përmes një skene dramatike në ujëvarat Reichenbach, ai e përballi detektivin e tij gjenial me Profesor Moriarty-n, armiqtë u përplasën në një duel fatal dhe ranë të dy në humnerë. Për Doyle-in ky ishte një akt çlirimi. Ai besonte se fama e Holmes-it po e robëronte, po e largonte nga krijimi i veprave që ai i konsideronte me vlerë të përjetshme, romanet historike.
Por publiku nuk ishte i gatshëm të ndahej nga idhulli i vet letrar. Reagimi ndaj vdekjes së Holmes-it shënoi një pikë kthese në marrëdhënien mes shkrimtarit dhe lexuesit. The Strand Magazine mori mijëra letra proteste, mbi 20 mijë abonime u anuluan, dhe në rrugët e Londrës të rinjtë shfaqeshin me shirita zie në krah, sikur të kishin humbur një njeri real. Madje edhe nëna e vetë Doyle-it e qortoi me fjalët e njohura: “Nuk mundesh. Nuk duhet. Nuk do ta bësh.” Kjo ishte një shenjë e fuqishme se lexuesit nuk e perceptonin më Holmes-in si një figurë fiktive, por si një qenie reale të shoqërisë së tyre imagjinare.
Kjo ngjarje shpalos një të vërtetë të thellë, letërsia nuk është vetëm akt i autorit, por edhe pronë shpirtërore e lexuesit. Doyle e mendonte Holmes-in si një pengesë për karrierën e tij, ndërsa lexuesit e shihnin si një mik, si një mbrojtës të arsyes e logjikës, një shpëtimtar të së vërtetës në një botë të mbushur me mistere. Për herë të parë, publiku tregoi hapur se kishte fuqi të ndryshonte fatin e një personazhi letrar.
Nën presionin e kësaj dashurie të papërmbajtshme, Doyle fillimisht botoi “Qeni i Baskërvilëve” (1901), duke zgjedhur ta vendoste ngjarjen para vdekjes së Holmes-it. Ky ishte një kompromis, një mënyrë për të ushqyer urinë e lexuesve pa u dorëzuar plotësisht. Por në vitin 1903, në “Aventura e Shtëpisë së Zbrazët”, ai u detyrua të bëjë hapin e madh: Holmes u kthye në jetë. Ringjallja u shpjegua me një mashtrim të zgjuar nga ana e detektivit, i cili kishte inskenuar vdekjen për t’u shpëtuar armiqve.
Kjo histori mbetet një nga rastet më të fuqishme të triumfit të letërsisë popullore mbi ambiciet elitare. Doyle ëndërronte të bëhej i pavdekshëm me romanet historike, por ishte Holmes-i ai që i dha pavdekësi. Ky personazh, i lindur fillimisht si një dedektiv imagjinar, u shndërrua në një mit modern, një figurë që jeton përtej faqeve të librave, në teatrin, kinemanë, televizionin dhe kulturën pop të çdo kohe.
Sherlock Holmes dëshmon se ndonjëherë, autori nuk është më zot i krijesës së vet. Ajo i përket lexuesve, të cilët me dashurinë e tyre arrijnë të ringjallin edhe atë që vetë shkrimtari ka varrosur. E ndoshta ky është paradoksi më i bukur i artit, personazhet e mëdhenj nuk i takojnë më vetëm penës që i ka krijuar, por bëhen pronë e imagjinatës njerëzore kolektive, duke sfiduar madje edhe vdekjen.