Albert Vataj
Paulo Coelho është një nga ata autorë që nuk shkruan thjesht libra, por hap porta drejt vetes dhe drejt botës së brendshme të njeriut. Ai i kthen fjalët në udhërrëfyes shpirtërorë, duke na kujtuar se në thelb jeta është një udhëtim i pambaruar drejt kuptimit dhe dashurisë. Për Coelho-n, njeriu është gjithnjë në kërkim të një “Alkimie të brendshme”, një transformimi që lind kur kemi guximin të shohim veten dhe botën me sytë e zemrës.
Në veprën e tij më të famshme, Alkimisti, ai na kujton se dashuria është forca më e madhe që lëviz universin:
“Dashuria nuk është e palëvizshme si shkretëtira, as si era që bredh botën, as si ti që shikon gjithçka nga lart. Dashuria është forca që ndryshon dhe përmirëson Shpirtin e Botës… kur dashurojmë, duam gjithnjë të jemi më të mirë nga ç’jemi.”
Por krahas dashurisë, Coelho e vendos theksin edhe tek një plagë e madhe e njeriut modern: vetmia. Për të, ajo është dhimbja më e madhe, më e rëndë se mungesa e ujit, e bukës, apo edhe e strehës:
“Qeniet njerëzore mund të përballojnë një javë pa ujë, dy javë pa ushqim, vite të tëra të pastrehë, por jo Vetminë. Ajo është më e keqja e të gjitha torturave; më e keqja e të gjitha vuajtjeve.”
Kjo zbrazëti shpirtërore e bën njeriun të etur për takime që e ndryshojnë. Ai beson se jeta shpesh qëndron në heshtje, derisa një derë hapet papritur dhe një ortek i ri përjetimesh hyn në jetën tonë:
“Një person mund të kalojë ditë, javë, muaj, vite, pa asnjë ndjenjë të re. Pastaj ndodh të hapet një derë, dhe një ortek pozitiv hyn në të. Në një moment nuk kishe asgjë, në tjetrin, ke më shumë sesa mund të përballosh.”
Në këtë udhëtim, Coelho na thotë se duhet të ruajmë gjithmonë brenda nesh flakën e shenjtë të çmendurisë, një zjarr që na jep guximin të mos bëhemi skllevër të zakonit, edhe pse jemi pjesë e përditshmërisë:
“Çdo njeri duhet të mbajë të gjallë brenda tij flakën e shenjtë të ‘çmendurisë’. Dhe duhet të sillet si një njeri i zakonshëm.”
Në fund, mesazhi i tij është i qartë: nuk e kaluara përcakton fatin tonë, por e tashmja, veprimi i menjëhershëm që mund të shpengojë gabimet e djeshme dhe të hapë rrugë për një të ardhme tjetër:
“Nuk është ajo që ju keni bërë në të kaluarën, ajo që do të ndikojë në të tashmen, por ajo që ju bëni në të tashmen është ajo që do të shpëtojë të kaluarën, dhe natyrisht do të ndryshojë të ardhmen.”
Ky është universi i Paulo Coelho-s: një botë ku dashuria është energjia e jetës, ku vetmia është plagë, ku çmenduria është flakë që të mban gjallë, dhe ku e tashmja është fuqia e vetme për të transformuar gjithçka.