
Nga Albert Vataj
Gjon Shllaku, Drejtor Artistik dhe përfaqësues i Shoqatës Kulturore–Artistike “Prenkë Jakova”, ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh vlerësimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që bënë të mundur përmbushjen e një sipërmarrjeje të guximshme artistike. Një nismë që nuk përfaqëson vetëm artin e madh të muzikës, por edhe Shkodrën e korifejve – qytetin që në këtë rizgjim kërkon të rigjejë veten te emrat e mëdhenj të shpirtit krijues dhe të mbetet në kreshtën e ambicieve artistike, në tempullin e përfaqësimit kulturor.
“Një festival i muzikës moderne, që përfshin një gamë të gjerë stilesh, epokash muzikore, ritmesh të larmishme dhe mënyrash interpretimi – nga format intime të një trio jazz (instrumentale ose me këngëtar) deri te madhështia e Big Band-it – me partitura të famshme nga mjeshtrit më të mëdhenj botërorë, aranxhime bashkëkohore dhe herë pas here edhe krijime të muzikës shqiptare, nuk mund të realizohet pa një bashkërendim të përpiktë, koordinim deri në detaj dhe konsultim të thellë profesional.
Gjerësia dhe kompleksiteti i këtij projekti kërkojnë ekspertizë të lartë dhe përkushtimin e një ekipi të bashkëpunëtorëve në konceptim dhe zbatim.
Suksesi i 8-të i Festivalit tonë të Muzikës Moderne (FMM8) është fryti i një bashkëpunimi të gjatë dhe të palodhshëm”, – shkruan Shllaku.
Ai nuk harroi të përgëzojë secilin prej bashkëpunëtorëve për angazhimin dhe detyrat e kryera me përkushtim në çdo fazë të realizimit:
-
Markelian Kapidani – koncertmaestër, pianist dhe drejtues i grupit “FMM Band”
-
Dritan Mlika – drejtor organizativ dhe instrumentist i Big Band-it
-
Eugjen Gargjola – drejtor organizativ i artistëve të ftuar
-
Ergys Pirani – konsulent artistik
-
Dorjan Ulaj – koordinator
-
Rozafa Shpuza – skenariste
-
Erlinda Kavaja dhe Ketlin Pjalmi – prezantuese.
Prej vitesh, ky festival i iniciuar dhe mbështetur nga Shoqata Kulturore–Artistike “Prenkë Jakova” është shndërruar në një ngjarje të shumëpritur për Shkodrën. Ai nuk është thjesht një eveniment muzikor, por një tribunë e gjallë që nxit krijimtarinë, hap dyert për talentet e reja dhe ndërthur mjeshtërinë e artistëve shqiptarë me energjinë e formacioneve ndërkombëtare.
Në skenën e hapur, përballë publikut shkodran dhe vizitorëve të shumtë, performuan emra të njohur si: Rezarta Smaja, Saviana Vjerdha, Laorjan Ejlli, Eugjen Marku, Margerita Shllaku, Ademir Fresku, Leticia Gargjola, Viki Haxhi, si dhe shumë talente të rinj me premtime të mëdha artistike. Spikati veçanërisht Markelian Kapidani, pianist, kompozitor dhe drejtues muzikor, i cili ishte fryma e gjallë e çdo nate të festivalit. Big Band-i solli një përjetim unik, me arranxhime moderne dhe energji të fuqishme.
Një moment i paharrueshëm ishte paraqitja e “Timpana Skodrinon”, formacioni i të vegjëlve nën drejtimin e Jetmir Mesit, që mbart premtimin e vazhdimësisë dhe pasionit për brezat që vijnë.
Për edicionin e 9-të të FMM-së është synuar që një prej netëve të zhvillohet në Prishtinë – një hap simbolik e artistik për të lidhur më fort Shkodrën me hapësirën kulturore mbarëshqiptare.
Rozafa Shpuza, skenariste, poete dhe kontribuuese e spikatur në ringjalljen e vlerave shkodrane, theksoi për mediat:
“Ky festival është një përvojë e përbashkët, një kujtim i gjallë dhe një premtim për të ardhmen. Muzika vazhdon të jetojë në Shkodër dhe, së shpejti, edhe në Prishtinë”.
Ky manifestim i epërm i muzikës, si arti me të cilin njeriu kërkon të komunikojë me krijuesin, dëshmon për qëndresën e besimit tek arti i madh përballë zbrazëtisë së realitetit dhe kërcënimeve ndaj vlerave. Shkodra, me këtë festival që përmbushi edicionin e tetë, dëshmon se mund të rilindë si Sfinksi, për të pretenduar dhe zënë vendin e merituar në artin e kulturën shqiptare – si nderim dhe përulje ndaj atyre, mbi supet e të cilëve sot shohim më larg.