Në një kohë kur statujat e mëdha kërkojnë të kujtojnë lavdinë e burrave të luftës, në një cep qyteti qëndron e heshtur një grua prej bronzi, e kërrusur nën barrën e sendeve shtëpiake, ndërsa mban fëmijët për dore. Një vepër që nuk kërkon pushtet, por drejtësi, një heshtje që zëshëm i flet të sotmes indiferente, ndërgjegjes së kohës që e mban këtë peshë. Artisti me këtë sublimitet komunikimi, nuk shpall fitore, por i bën homazh një përkushtimi që mbetet zakonisht i padukshëm. Në këtë reflektim, qasem t’i jap zë kësaj vepre dhe peshës që ajo mbart, jo vetëm fizikisht, por moralisht dhe në aspektin shoqëror.
Vepra është realizuar nga artisti spanjoll Isaac Cordal, i njohur për ndërhyrjet e tij të thella në hapësira urbane, ku përmes instalacioneve të vogla rrëfen dramën e jetës moderne. Kjo skulpturë, që ka qarkulluar gjerësisht në rrjete sociale pa autorësi të saktë, është një ndër ato kujtesa vizuale që nuk harrohen lehtë. Gruaja e bronztë nuk qëndron në triumf, por e kërrusur, e rënduar, e heshtur, dhe megjithatë e pathyer.
Ngarkesa e saj nuk është simbolike, është reale. Janë fshesa, lavatriçe, enë, bidona, lodra, valixhe, kova, që mbulojnë kurrizin e saj të përkulur. Ato janë metafora e punës së pambarimtë, që përbën themelin e jetës familjare, dhe të vetë ekzistencës shoqërore. Kjo nuk është thjesht barrë shtëpiake, është barrë strukturore. Një peshë që s’ka pushim, që s’ka orar, që shpesh nuk njeh falënderim.
Ajo nuk rrëzohet. Mbështet fëmijët që kapen pas saj. Tregon një qëndresë që nuk buron nga forca fizike, por nga forca morale e dashurisë, nga shpirti i saj i paepur, nga misioni i vetmohimit. Ky është mesazhi që Cordal na jep pa folur, se dashuria e gruas është një formë rezistence. Se puna e saj nuk është thjesht shërbim, por akt krijimi të vazhdueshëm. Ajo mban mbi vete gjithçka dhe sërish, gjen hapësirë për t’u përkulur mbi një fëmijë, për ta ledhatuar, për të dhënë siguri.

“Kjo nuk është thjesht një statujë, por një kujtesë e fuqishme se themelet e shoqërisë sonë janë ndërtuar mbi shpatullat dhe duart e palodhura të grave që mbajnë familjen dhe rrisin jetën.”
Është e vërtetë. Kjo vepër nuk ka për qëllim të dekorojë sheshet, por të godasë ndërgjegjen tonë kolektive. Të na bëjë të ndalojmë dhe të shohim, jo thjesht artin, por realitetin që ai përfaqëson. Në një botë që vrapon pas suksesit të dukshëm, kjo statujë na kujton suksesin që nuk ka podium, por që mban gjithçka mbi supe.
Nëse ndalemi për një çast dhe pyesim veten “Kush e mban botën?”, përgjigjja nuk vjen nga zyrat, as nga parlamentet, as nga podiumet e lavdisë. Vjen nga kjo figurë qëndrestare gruaje, që e përkulur, por jo e dorëzuar, vazhdon të ecë. Vepra e Cordal është një homazh i vonuar për nënat, gratë, motrat, për heroinat e heshtura të jetës sonë të përditshme.
Sepse vetëm kur të mësojmë ta shohim këtë peshë, do të jemi të denjë të flasim për barazi, për drejtësi, për nderim të vërtetë.
© Albert Vataj