Nga Albert Vataj
Ka gra që mbeten të padukshme për sytë e botës, por jo për historinë. Ato qëndrojnë në prapaskenë, ndërsa bota ecën para, pa e kuptuar se janë pikërisht këto gra që kanë ndihmuar në vizatimin e hartës së së panjohurës. Janë të padukshme, por jo të paqena. Janë hijet që ndriçojnë horizontin e së nesërmes. E tillë ishte Williamina Paton Stevens Fleming, një grua që erdhi nga askund për të na çuar në kufijtë më të largët të universit, përtej yjeve të dukshme, përtej kufizimeve të kohës dhe gjinore.
Në një trajtim plot ndjeshmëri dhe respekt, Adele Quattrociocchi na fton të njohim këtë figurë të jashtëzakonshme, duke e nisur rrëfimin e saj me një imazh poetik:
“Në një mëngjes të ftohtë të vitit 1857, në Dundee të Skocisë, lindi një vajzë e vogël që nuk do të kishte nevojë për një teleskop për të prekur yjet: mendja e saj ishte e mjaftueshme.”
Qysh në moshën 14-vjeçare, Williamina po jepte mësim, por jeta, si një trajektore e paepur përpjekjesh, e detyroi të largohej nga vendlindja. Emigroi në Shtetet e Bashkuara bashkë me të shoqin, i cili, pak më vonë, do ta braktiste, shtatzënë dhe pa mjete jetese. E vetme, në një vend të panjohur, ajo pranoi një punë modeste: shërbëtore në shtëpinë e Edward Charles Pickering, drejtor i Observatorit të Harvardit. Një pozicion që, në dukje, nuk kishte asnjë lidhje me yjet. Por fati dhe intuita e drejtuesit do të përmbysnin gjithçka.
Legjenda thotë se një ditë, i zemëruar nga paaftësia e asistentëve të tij meshkuj, Pickering deklaroi me sarkazëm: “Shërbëtorja ime skoceze do të bënte një punë më të mirë se të gjithë ju!”
Nuk ishte thjesht një shpërthim nervoz: Pickering e thirri Williaminën të punonte me të. Kështu ajo hyri në historinë e shkencës, pa diploma, pa tituj akademikë, por me një inteligjencë të mprehtë, një përkushtim të pashoq dhe një etje të pashuar për dije. Ajo iu bashkua grupit të njohur si “Kalkulatorët e Harvardit”, gra që punonin me pllakat fotografike të universit, duke analizuar yjet, mjegullnajat dhe sistemet galaktike, ndërkohë që emrat e tyre rrallë herë shfaqeshin në publikime shkencore.
Williamina ishte pionierja e këtij grupi. Ajo katalogoi mbi 10,000 yje, identifikoi 59 mjegullnaja, zbuloi 10 nova (yje që shpërthejnë në ndriçim) dhe më shumë se 300 yje të ndryshueshëm. Ajo ishte e para që propozoi klasifikimin yjor sipas intensitetit të linjës së hidrogjenit, ç’ka shërbeu si bazë për sistemin e njohur si Klasifikimi Spektral i Harvardit, një metodë që ende përdoret në astronominë moderne.
Në vitin 1906, ajo u bë gruaja e parë që mori titullin “Anëtare Nderi” në Shoqërinë Mbretërore Astronomike të Londrës, në një kohë kur gratë mezi pranoheshin si pjesë e komunitetit shkencor.
Por ajo që e bën figurën e saj kaq të fuqishme nuk është vetëm kontributi në të dhëna astronomike. Është mënyra se si Williamina, një grua e zakonshme në dukje, e përmbysi përkufizimin e “mundësisë”. Ajo nuk ishte produkt i një sistemi që e kultivoi, por shembull i një vullneti që e tejkaloi sistemin.
Siç përmbyll Quattrociocchi: “Williamina nuk studioi vetëm yjet. Ajo u bë një prej tyre. Sepse ka gra që, edhe nëse janë të padukshme për sytë e botës, ato e rivizatojnë qiellin, dhe na mësojnë të shohim më tej.”
Në vitin 1890, ajo botoi “Henry Draper Catalogue”, një katalog i madh spektrash yjore, që u shndërrua në bazament për punimet pasardhëse në astrofizikë.
Ajo gjithashtu ishte e para që identifikoi “Mjegullnajën e Kalit të Zi” në yjësinë e Orionit, një ndër objektet më të fotografuara në astrofotografi moderne.
Sot, në nder të saj, një krater në Hënë mban emrin “Fleming”, ndarë me kolegen e saj Maria Mitchell, një tjetër pioniere e astronomisë amerikane.
Në një epokë që i mohoi gruas zërin, Williamina Paton Stevens Fleming zgjodhi të flasë me dritë. Dhe drita e saj, edhe sot, na udhëheq drejt një universi më të drejtë, më të barabartë dhe më të thellë në kuptim.