Nga Albert Vataj
Nën diellin e pashpirt dhe vështrimin e pandjeshëm të turmës, gjashtë figura njerëzore, të braktisura nga mëshira dhe nga hija, mbajnë mbi supe jo vetëm peshën e një jake prej druri, por edhe barrën më të rëndë që njeh shoqëria njerëzore, poshtërimin publik. Kjo ishte Cangue, një mjet ndëshkimi në Kinën tradicionale, ku shtrëngimi nuk ushtrohej vetëm mbi trupin, por mbi ndërgjegjen, mbi nderin, mbi dinjitetin e një qenieje të rënë në mëkat.
E krahasueshme në funksion me prangat evropiane që vendoseshin në sheshet e qyteteve, Cangue nuk kufizonte vetëm lirinë fizike ajo ishte një dritare e gjerë për shikimin e të tjerëve, për përçmimin e tyre, për heshtjen gjykuese që lëndon më shumë se britma. Në këtë lloj ndëshkimi, burgu nuk kishte mure, por turpi kishte horizont. Turpi bëhej vendi ku jetonte dënimi, dhe dënimi bëhej spektakël për shoqërinë.
Ky ritual i ligjit tradicional, i mbështetur mbi moralin konfucian, kishte për qëllim jo vetëm të ndëshkonte fajtorin, por edhe të riedukonte masën, duke i kujtuar me shembull të gjallë çmimin e mosbindjes.
Aty ku në Perëndim faji shlyhej në errësirën e qelisë, në Lindje ai ekspozohej nën dritën e syrit kolektiv.
Pas Revolucionit të vitit 1911, kur Kina nisi rrugën e gjatë drejt modernizimit dhe sekularizimit të ligjit, nacionalistët e shpallën këtë dënim si një relike të errët të së kaluarës. Cangue u shfuqizua, por kujtimi i saj mbeti – si një dëshmi e një bote ku drejtësia ishte edhe spektakël, edhe dhimbje, edhe moralizim.
Sot, ajo mbijeton vetëm në piktura, fotografi të zverdhura dhe në shënime antropologjike. Por kujtesa e saj na fton të mendojmë: A është më njerëzore drejtësia e heshtur në errësirë, apo ajo që ndodh përballë syve të të gjithëve? Dhe a ka ndonjë formë moderne të Cangue-s që ne e pranojmë pa e kuptuar, në rrjetet sociale, në opinionin publik, në linçimin dixhital?