“Truri im është vetëm një marrës, në univers ekziston një bërthamë nga e cila marrim njohuri, forcë dhe frymëzim. Nuk e kam depërtuar sekretin e kësaj qendre, por e di që ekziston.”, përkufizon në një nga shpërthimet e tij të dritshme, Nikola Tesla, një nga mendjet më të ndritura të njerëzimit, jeta e të cilit ishte një Titanik në kacafytjet e përbindshme të dallgëve.
Ka fjalë që nuk kërkojnë të shpjegohen, por të përulen ndaj tyre. Ka mendime që nuk ndriçojnë vetëm kohën e tyre, por bëhen buzë të përflakura të së padukshmes, për të cilat mjafton të heshtim dhe të dëgjojmë.
Kur Tesla e thotë këtë fjali, ai nuk flet si shkencëtar. Ai flet si njeri që ka ndjerë frymën e së përjetshmes, si shpirt që ka kapur një valë që nuk regjistrohet nga asnjë aparat, por që drithëron qenien.
Ai nuk kërkon të zotërojë dijen, por e pranon si dhuratë. E kupton veten si mjet, si përçues, si marrës — jo si burim. Dhe kjo është ajo që e bën fjalinë e tij aq tronditëse: është një akt përulësie në një botë që e ngre mendjen në piedestal dhe e sheh shpirtin si relike.
Tesla nuk e emërton burimin. Nuk e quan Zot, nuk e quan Natyrë, as Shpirt Absolut. Ai nuk ka nevojë të emërtojë atë që vetë fjala e ngushton, atë që është më shumë ndjesi se koncept. Ai vetëm e njeh: “E di që ekziston.”
Kjo bërthamë është vendi i frymëzimit, i idesë së pastër, i forcës që ngjiz përtej individit. Është ajo që filozofët e quajtën logos, poetët muzë, mistikët frymë hyjnore, shkencëtarët strukturë e padukshme, e ti, njeri i etjes, e ndjen si thirrje – që vjen nga thellësia jote dhe tej teje.
Kjo është biseda që bën mendimi kur nuk ka zë. Kur nuk kërkon të thotë, por të dëgjojë. Kur nuk ndërton teori, por hap derën e frymëzimit.
Është ajo që unë kam dëshiruar të ndodhë në këtë libër, të mos jetë thjesht një rrëfim mendimesh, por një thirrje për të dëgjuar atë që nuk zë vend në manuale, por që shfaqet në heshtje, në dritë, në ndjesi.
“Mendimi që Bisedon” është kjo përpjekje për të rimbledhur shenjat, për të kthyer heshtjen në frymëzim, për të rikujtuar njeriun se mendja e tij është një antenë, jo një mbretëri e mbyllur.
Tesla nuk ka frikë të thotë “nuk e kam depërtuar sekretin e kësaj qendre”. Dhe kjo është, ndoshta, vetë sekreti. Sepse për të hyrë në mister, duhet të dish të ndalesh para tij. Nuk futesh në të me forcë, por me përulje. Me një heshtje që është lutje pa fjalë. Me një pritje që është dëshirë pa etje për zotërim.
E pikërisht aty ndodh frymëzimi, kur nuk e kërkon më si pushtet, por si dhuratë që kërkon të jesh i denjë për ta mbajtur.
Në kohën ku gjithçka duhet të jetë funksionale, e menjëhershme, e dobishme, kjo fjali e Teslës është një revolucion i heshtur. Ajo nuk na thotë: “shkëlqe për të tjerët”. Por: “ndezu përbrenda”.
Ajo nuk na kërkon të jemi gjeni, por të jemi të përgatitur për të dëgjuar zërin që vjen nga thellësitë që nuk janë as tonat, as të huaja, por që flasin me ne përmes intuitës dhe frymës.
Nëse ka një amanet që ky libër do të lërë, është ky:
Të mësojmë të jemi marrës. Të mësojmë të dëgjojmë. Të mësojmë të shohim përtej trurit,me shpirt.
Për “Mendimi që Bisedon” — nga Albert Vataj