Nga Albert Vataj
Më 23 qershor 1911, në pllajën e Greçës, në zemër të Malësisë së Madhe, u zhvillua një nga kuvendet më domethënës të historisë shqiptare. Prijësit e kryengritjes antiosmane, të ardhur nga të gjitha viset veriore, u mblodhën për të shenjuar me solemnitet një kthesë të epërme në përpjekjen shekullore për vetëqeverisje dhe liri. Nga ky tubim doli “Memorandumi i Greçës”, ose siç njihet ndryshe, “Libri i Kuq”, një dokument i epërm politik dhe atdhetar që artikulonte dymbëdhjetë kërkesa themelore për autonominë e Shqipërisë brenda Perandorisë Osmane.
I hartuar në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht, nga dy mendjet e ndritura të kohës, Luigj Gurakuqi dhe Ismail Qemal Vlora, Memorandumi u nënshkrua nga një plejadë prijësish malësorë, burra që bartnin në shpinë historinë e gjakut dhe të besës, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci, Dodë Prëçi, Tomë Nika, Mehmet Shpendi, Avdi Kola, Nikë Mëhilli, Tup Cuni, Binak Lulashi, ndër të tjerë. Përmes këtij akti, kryengritja e armatosur e shqiptarëve të veriut fitoi për herë të parë një program të artikuluar kombëtar, që gjeti jehonë dhe mbështetje në të gjitha trevat shqiptare.
Në hyrje të dokumentit theksohej se shqiptarët kishin dhënë ndihmë vendimtare për ngritjen e xhonturqve në pushtet, por tash kërkonin nga perandoria njohjen e të drejtave të tyre legjitime. Kërkesa për një autonomi të gjerë, si një kompromis historik përballë pavarësisë së mohuar, paraqitej si një fli për hir të stabilitetit rajonal dhe të aspiratave politike të kombit shqiptar. “Na po bajmë fli, shkruhet në Memorandum, për arsye të nalta politike dëshirat e pavarësisë që frymëzojnë popullin shqiptar tash pesë shekuj…”
Ky dokument iu dorëzua ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut, por nuk mori përgjigje zyrtare. Në përpjekje për të sensibilizuar opinionin evropian dhe për të fituar garancinë e Fuqive të Mëdha, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci dhe të tjerë, e paraqiti Memorandumin në Cetinë përfaqësuesve diplomatikë.
Memorandumi i Greçës shënoi një ndërprerje të qëndrimit pritës që kishin mbajtur deri atëherë disa komitete shqiptare, sidomos ato të organizuara në jug. Komiteti i Korfuzit, në përpjekje për të përfituar ndihmë nga Greqia, vijoi kontaktet diplomatike, ndërkohë që Shoqëria e Zezë për Shpëtim, në Jug të Shqipërisë, e përqafoi platformën e Greçës si model veprimi dhe e vuri në jetë përmes aksioneve të armatosura. Në korrik 1911, çetat shqiptare në Çamëri, Gjirokastër dhe Labëri filluan sulmet kundër pushtetit osman, duke dëshmuar një vetëdije të qartë kombëtare e një bashkërendim veprimesh që mbulonte të katër vilajetet shqiptare: Shkodrën, Kosovën, Manastirin dhe Janinën.
Në Manastirin e Cepos, më 21 korrik 1911, u mblodh një kuvend përfaqësues nga Çamëria, Labëria dhe kazatë e tjera të vilajetit të Janinës. Aty, mbi 800 pjesëmarrës, mes tyre edhe udhëheqës çetash, miratuan një memorandum të posaçëm, në të cilin mbështetej platforma e Greçës dhe kërkohej që reformat e premtuara në veri të shtriheshin njësoj në jug. Memorandumi u nënshkrua nga përfaqësues të Gjirokastrës, Delvinës, Himarës, Kurveleshit, Filatit etj., duke konsoliduar kësisoj një unitet të përmasës gjithëkombëtare.
Ndërkohë, në veri, gjendja e shqiptarëve të strehuar në Mal të Zi rëndohej çdo ditë. Më 15 korrik, autoritetet malazeze ndaluan kalimin e kufirit, duke thelluar krizën humanitare për mbi 15 mijë shqiptarë. Por kjo ndalim ndihmoi që Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Tuzit, dhe figurave emblemë si Dedë Gjo Luli dhe Tringë Smajlja Ivezaj, t’u kushtohej vëmendje ndërkombëtare.
Kuvendi i Greçës u bë pikënisja e një epoke të re: ai e vuri Shqipërinë në hartën diplomatike të Europës si një çështje që nuk mund të shpërfillej më. Ai bashkoi pushkën me mendimin, burrërinë me programin, shpirtin e kryengritjes me shpresën e ndërtimit të një shteti shqiptar të lirë dhe të bashkuar.