Albert Vataj
Idilika e çastit
Mu rrëzue andja, qafës tande t’prushun ndijimit. Gjoksin tand kafshoi, e tan dëshirimeve ju dhash. Se deshta me t’dasht siç dashnia din dhe don, me u ep.
Ju dhe çastit, e andërrta dëshir e tana dalldive t’mija.
N’lule hiri jot harliset, petaleve e kundërmimit, tuj çil puthje në çdo buzë që përpushje në krejt tamëltimet, qi pikojnë si hojet e bletës.
Fërgëllon e deh me tan qenien tande, e te caku ku pahesh me flakët, ndez diej e drithërima.
Me prekje e hukam e çukis, si shiu petalet, dhe e kalli trupin tand, hyjnisht, blatue epshit, shenjtnisht kaplue dëshirimit, si lutja kambanave që dridhen nëpër frymë e rrxohet altareve, njaty ku qielli nalton në epjen shitane.
Zjermem, e prushem tue lyp me hy, n’shkreptimën e njasaj epje, qi më kthen nga ikja harrimtare, me m’ba vend te ky zgjim dielli, që sheh nadjeve n’synin e dallgët të detit, e muzgjeve kllapitet si tue u dhan dorzan.
Dalin prej statujës së shiut këto linja të lame në mrekullim, e pulsin ia matin përpushjes, që më nguc e teptis.
Jam krejt hutue kësaj epje, ku ti nepesh, e un tretem, n’asgja me u shndërru.
Jam sos krejt këtij ndijimi që më thërret me za t’largët, për me m’tregu udhën qi m’çon te shndrrimi n’frym.
Tash jam grimc shkëndijimi, e kurrgja tjetër. Jam dritëz që sheh thellë meje natat, dimnat e dhimbjet, që ma mësuen zejen e dashnis, si qiellorja që del nga mishi me u kthy në stuhinë e gjakut, e deti trazimt të përjetimit.
T’shitoft zanat, ty zan e zjermeve ku due veç me u djeg. Bekim ke mëku n’mu me kyt magji praniet, shpërblim je, ti hyjnia e tana andjeve që prej teje dalin, me madhnue botën me ndijim e me shitue andjet n’dalldi.