Nga Albert Vataj
Ai jo vetëm që nuk e fshehu kurrë, por e shpalli me një krenari të thellë dhe të pambajtur, kishte një nënë shqiptare, një figurë që në universin e tij shpirtëror merrte përmasat e një hyjnie, një burim drite dhe morali që e ushqeu në heshtje gjithë jetën e tij krijuese. Ky ishte Ernesto Sabato, një nga ndërgjegjet më të ndërlikuara dhe më të fuqishme të letërsisë latino-amerikane, një shkrimtar, piktor dhe fizikant që arriti të ndërthurë racionalen me ankthin ekzistencial, shkencën me metafizikën, realen me humnerat e ndërgjegjes njerëzore. Sipas BBC, ai “fitoi disa nga çmimet më prestigjioze në letërsinë spanjolle” dhe u shndërrua në një figurë me ndikim të gjerë në të gjithë Amerikën Latine. Ndërsa pas vdekjes së tij, më 30 prill 2011, El País e cilësoi si “shkrimtari i fundit klasik i letërsisë argjentinase”, duke vulosur kështu një trashëgimi që i reziston kohës.
Pa asnjë mëdyshje, Ernesto Sabato mbetet një nga kulmet e letërsisë latino-amerikane, një emër që rreshtohet natyrshëm përkrah figurave si Jorge Luis Borges, Gabriel García Márquez, Miguel Ángel Asturias dhe Julio Cortázar. Por ndryshe nga shumë bashkëkohës të tij, Sabato mbartte një tension të brendshëm të pazgjidhshëm midis arsyes shkencore dhe krizës shpirtërore, midis dritës së dijes dhe errësirës së qenies.
Vetë ai pranonte se nuk ishte kurrë plotësisht i ndërgjegjshëm për atë që shkruante. Letërsia e tij nuk ishte produkt i një kontrolli racional, por një rrjedhë e thellë instinktive, ku personazhet, ngjarjet dhe fatet zhvillohen sipas ligjeve të tyre të brendshme, të pavarura nga vullneti i autorit. Ishte një akt krijimi që i ngjante më shumë një zbulimi sesa një ndërtimi: një depërtim në zonat e errëta të shpirtit njerëzor, ku logjika shpesh dorëzohet përballë misterit.
Ernesto Sabato ishte, në kohën e tij, shkrimtari më i lexuar argjentinas — një fenomen që tejkalonte kufijtë e tregut editorial dhe bëhej pjesë e vetë ndërgjegjes kolektive. Trilogjia e tij romaneske, e përbërë nga vepra si “El túnel”, “Sobre héroes y tumbas” dhe “Abaddón el exterminador”, u vlerësua nga emra të mëdhenj si Albert Camus, Graham Greene dhe Thomas Mann, duke e vendosur atë në një dialog të drejtpërdrejtë me traditën më të lartë të letërsisë botërore.
Paralelisht me prozën, ai ndërtoi një korpus esesh të thella dhe shpesh profetike, ku paralajmëronte për rreziqet që kërcënonin qytetërimin modern: dehumanizimin, teknokracinë, humbjen e kuptimit dhe krizën morale të njeriut bashkëkohor. Figura e tij nuk mbeti e mbyllur në abstraksionin e mendimit apo në izolimin e artit; përkundrazi, ai u përfshi drejtpërdrejt në plagët e historisë argjentinase, duke qenë një dëshmitar i pakëndshëm dhe një zë kritik në kohë të errëta.
Ai ishte njëkohësisht një interpretues i thellë i idiosinkrazisë argjentinase dhe një kritik i pamëshirshëm i saj. Mendimi i tij, shpesh provokues dhe i papajtueshëm me konsensusin, e afroi me të rinjtë që kërkonin të vërteta të zhveshura nga hipokrizia, por njëkohësisht e vendosi në përplasje të forta me establishmentin politik dhe intelektual. Megjithatë, këto tensione nuk e zbehën aspak prestigjin e tij; përkundrazi, e forcuan figurën e tij si një ndërgjegje e lirë dhe e pakompromis.
I lindur më 24 qershor 1911 në Rojas, në provincën e Buenos Airesit, ky bir emigrantësh kalabrezë mbeti deri në fund një figurë e papërsëritshme: një njeri që kërkoi të kuptonte errësirën përmes dritës, dhe dritën përmes errësirës. Në thelb, Ernesto Sabato nuk ishte thjesht një shkrimtar; ai ishte një ndërgjegje që mendonte, një shpirt që vuante dhe një zë që vazhdon të flasë përtej kohës.
Emocionet e origjinës
Shkrimtarin e takova pikërisht kur do të shkonte në Shqipëri, për të marrë “Çmimin Kadare”, tregon Luan Rama në publikimin e bisedës që bëri me shkrimtari katër vite para se të shuhej. Por nuk ishte çmimi ai që e grishte të shkonte në Shqipëri, vijon Rama. Ajo që e shtynte ishte se para vdekjes, të mund të shikonte vendin e të parëve të tij, vendin nga ku ishin nisur pararendësit pas pushtimit të Shqipërisë nga perandoria osmane. Familja e tij kishte jetuar disa shekuj në Kalabri gjersa më në fund, kishte emigruar në Argjentinë, si shumë familje të tjera të shqiptarëve të Italisë së Jugut.
“Jam shumë i gëzuar që po shkoj në Shqipëri. Andej rrjedh gjaku i të parëve të mi, që nga koha e Skënderbeut!”, ishte shprehur ai.
– Para se t’ju takoja, në një nga librat e botuar pashë një fotografi të nënës suaj, të cilën ju e krahasoni me perëndinë. Ju jeni në prehrin e saj, rrethuar edhe nga vëllezërit e tjerë. Fytyra e saj kishte diçka të ngjashme me gratë e Jugut të Shqipërisë të fillimit të këtij shekulli; ishte një fytyrë stoike, formulon pyetjen Luan Rama.
– Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë ajo fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë me bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino. Historia e Skënderbeut, e këtij princi mesjetar shqiptar më ka tërhequr gjithnjë: jeta e tij në oborrin e sulltanit në Stamboll, ikja me një grup kalorësish për të çliruar Shqipërinë, lufta e tij legjendare 25-vjeçare në mbrojtje të atdheut të vet, por edhe të Europës… Jo më kot venedikasit e kanë cilësuar “princ të Krishterimit”. Pra, nga mijëra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës sime, e cila u vendos fillimisht në Santa Martino de Finita (përpara quhej Santo Martino de Finito). Mbaj mend që gjyshja e nënës sime quhej Maria Gjuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një grua e mrekullueshme. Kur nëna ime u martua, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M. S. pra San Marco. Këtë unazë, para se të vdiste, nëna ime ia dha gruas sime, Matildës, ndërsa më pas, ajo ia dha mbesës sime që quhet Marina Sabato. Kështu kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez.
– A e keni vizituar ndonjëherë atë vend? – vijon Rama në intervistën publikuar në “Shqip”.
– Po, kam pasur shumë dëshirë të njihja vendbanimin e hershëm të të parëve të mi dhe prandaj dhe e kam vizituar. Tashmë dua të kthehem edhe një herë, ndoshta për herë të fundit. Dua të shkoj në kujtim të nënës sime që e thërrisja “mama”, dhe ta shoh patjetër atë fshat. Historia e gjyshes sime është interesante. Një shqiptar ra në dashuri me të, por ajo nuk donte të martohej. Më së fundi, ajo u martua me një shqiptar tjetër të quajtur Ferrari. (Ju e dini që në ato kohëra shumë shqiptarë morën mbiemra italianë, por në fakt mbiemri i tij i vërtetë ishte Papi). Në fakt, nëna e saj nuk donte që ajo të martohej me të, pasi vëllai i tij ishte një prift, një qejfli femrash, por mjaft elokuent e inteligjent. E shkreta mama, kur shkonte në kishë, ajo qante nga fjalët e priftit elokuent dhe kur vinte në shtëpi e urrente atë. Në të vërtetë, prifti dhe vëllai i tij, rridhnin nga një familje shumë e pasur shqiptare, me titull “markez”, por më pas, ata e kishin humbur gjithë pasurinë e tyre. Vitet kaluan dhe gjyshi im vdiq shpejt, në moshën 40-vjeçare. Kështu shtëpia ra në krahët e nënës sime, atëherë 15-vjeçare. Pikërisht në këtë kohë, ata u detyruan të emigrojnë nga Kalabria në Argjentinë, si dhe shumë italianë e shqiptarë të tjerë, apo dhe emigrantë nga e gjithë bota: 80-90% e popullsisë së Argjentinës janë emigrantë.
– Dhe tani që po shkoni në Shqipëri, çfarë ndjeni?
– Emocione të forta. Mama për mua ishte një hyjni. Kjo ftesë që m’u bë ishte shumë prekëse për mua.
Një profil për shkrimtarin latinoamerikan
Ernesto Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Ata kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sábato. Ditën që lindi ai, vëllai më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi me emrin e të vëllait, Ernesto.
Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Në vitin 1930 ai iu bashkua Partisë Komuniste dhe në atë kohë takoi Matilde Kusminsky Richter, që atëherë ishte 17 vjeç. Të dy lanë familjet dhe studimet dhe filluan të jetojnë bashkë. Në vitin 1933 ai u bë sekretar i Rinisë Komuniste, por po fillonte të zhgënjehej me partinë dhe kishte dyshime. Më 1934 ishte dërguar si delegat në Bruksel në Kongresin kundër fashizmit dhe luftës, prej aty duhej të udhëtonte për Moskë për një periudhë ‘spastrimi’. Në Bruksel Ernesto kuptoi natyrën e vërtetë të Partisë Komuniste dhe iku në Paris, ku jetoi i fshehur. Pa miq dhe pa para, ai fillon të shkruajë romanin e tij të parë.
Në vitin 1935 ai kthehet në Argjentinë ku martohet me Matilden dhe vazhdon studimet në Universidad de La Plata. Në vitin 1938 doktoron në fizikë dhe fiton bursë për të hulumtuar rrezatimin atomic në Laboratorin Curie në Paris. Matilde dhe djali i tyre, Jorge Federico shkojnë me të. Gjatë qëndrimit në Francë ai vazhdon të shkruajë dhe të pikturojë. Më 1939 bursa iu transferua për Massachusetts Institute of Technology. Ai kthehet në Argjentinë dhe fillon të ligjërojë matematikë dhe fizikë në Universidad de La Plata. Ftohet t’i bashkohet revistës Jugu, ku takohet me Jorge Luis Borges dhe të dy bëhen miq. Më 1941 fillon të shkruajë për gazetën La Nacion.
Në vitin 1943 ai kalon një “krizë ekzistenciale” dhe vendos të lërë shkencën dhe t’i përkushtohet krejtësisht vetëm shkrimit dhe pikturimit. Jep dorëheqje nga univeristeti dhe bashkë me familjen zhvendoset në male (Provincia de Cordoba). Fillon të shkruajë dhe shpejt përfundon librin Njëshi dhe gjithësia, që u botua më 1945. Në këtë libër Sábato haptas mohon shkencën dhe racionalen. Fiton çmime dhe nderime për këtë libër.
Roman i tij i parë Tuneli botohet më 1948. Më 1951 botohet libri tjetër Njerëz dhe dhëmbëzorë, me refleksione për paratë, arsyen dhe kalueshmërinë e kohës. Një studim për konceptet e botës dhe jetës moderne duke filluar nga Renesansa. Në vitin 1953 botohet libri Heterodoxia, që është definuar si fjalor i njeriut në krizë. Më 1955 bëhet drejtor i gazetës Mundo Argentino. Në këtë kohë Argjentina ishte në trazira politike. Më 1956 botohen dy librat më kontraverse të Sábatos: El otro rostro del Peronismo (Fytyra tjetër e peronizmit) dhe Torturas y Libertad de Prensa (Torturat dhe liria e shtypit).
Në vitin 1961 boton romanin e tij të dytë Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varrezat), një studim psikologjik i njeriut i thurur me idetë filozofike të botuara më parë në librat e tij me ese. Kapitullin Raport për të verbërit shumë studiues e quajnë kryevepër të letërsisë botërore.
Në vitin 1971 fillon të shkruajë për gazetën La Opinion. Në vitin 1973 boton romanin e tretë Abaddón, el exterminador (Abadon, engjëlli i shkatërrimit), një libër për vizionin apokaliptik të botës moderne dhe për triumfin e të keqës.
Në vitin 1977 Italia i akordon çmimin “Medicci”, ndërsa më 1978, në Spanjë e dekoron me urdhrin Gran Cruz de la Orden al Mérito Civil.
Më 1984 presidenti i Argjentinës Raúl Alfonsín e emëron kryetar të Comisión Nacional sobre la Desaparición de las Personas (CONADEP), (Komisioni Kombëtar për Personat e Zhdukur), komision që ka hulumtuar rastet e personave të zhdukur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. Libri Nunca Más (Kurrë më) në të cilin jepen dëshmitë e atyre që shpëtuan dhe të dëshmitarëve të zhdukjes dhe vrasjes së mëse njëzetmijë njerëzve, është botuar si rezultat i hulumtimit të këtyre tragjedive.
Organizata e Shteteve Amerikane (O. A. S.) i jep çmimin Gabriel Mistral, ndërsa mbreti i Spanjës, Huan Karlos, e dekoron me çmimin Miguel de Cervantes. Dekorohet prapë nga Italia më 1985 me Urdhrin për Merita dhe më 1987 Fransoa Miteran, kryetar i Francës e dekoron me gradën Komandant i Legjionit të Nderit. Ka marrë gradën “Doktor nderi” (Honoris causa) nga Univeristeti Murica, Spanjë, Universidad de Rosario, Argjentinë, Universidad de Campinas, Brazil, Universidad del Litoral, Santa Fe, Università degli Studi di Torino, Itali Më 1995 në Shqipëri merr titullin Ismail Kadare, të ndarë nga fondacioni Velija. Vdiq në shtëpinë e tij në Argjentinë, më 30 Prill 2011 në moshën 99 vjeçare..











