Nga Albert Vataj
Ishte 27 korriku i vitit 1890. Mbi fushat e arta të Auvers-sur-Oise, ku gruri valëvitej si një det i ndezur nën qiellin e trazuar të korrikut, Vincent van Gogh po pikturonte. Ishte përballë peizazhit që e kishte dashur me të njëjtën etje me të cilën kishte dashur jetën, edhe pse kjo e fundit i kishte kthyer më shumë plagë sesa përqafime.
Aty, pranë varrezave të vogla të fshatit, në një çast që do të mbetej përgjithmonë i mbështjellë nga hija e misterit, ai qëlloi veten me një revolver.
I plagosur rëndë në bark, Van Goghu nuk vdiq menjëherë. Me një forcë që dukej se buronte më shumë nga shpirtit sesa nga trupi, ai u kthye në hanin Ravoux, ku jetonte. Pronarëve u rrëfeu, me qetësinë e një njeriu që e kishte pranuar tashmë fatin e tij, se kishte qëlluar veten. Mjekët nuk mundën ta shpëtonin. Për rreth tridhjetë orë ai qëndroi mes jetës dhe vdekjes, derisa më 29 korrik, në moshën 37-vjeçare, u shua një nga dritat më të mëdha të historisë së artit, u vërbuan qiejt më të diellt të pikturës, u shemb përdhe një tempull shpirti.

Megjithatë, fundi i tij nuk pushoi kurrë së ngrituri pyetje. Revolveri nuk u gjet kurrë. Mungesa e armës hapi rrugën për hipoteza të panumërta, të cilat vazhdojnë edhe sot të ushqejnë debatin. Në vitin 2011, biografët Steven Naifeh dhe Gregory White Smith hodhën tezën se Van Goghu mund të ishte qëlluar aksidentalisht nga një djalosh vendas, René Secrétan, me të cilin kishte pasur përplasje, dhe se piktori kishte zgjedhur ta merrte fajin mbi vete për ta mbrojtur atë nga ndëshkimi. Një teori sa intriguese, aq edhe e kundërshtuar, që nuk ka arritur të bindë të gjithë historianët e artit. E vërteta mbetet ende e mbyllur në heshtjen e atij korriku të largët.

Në orët e fundit pranë tij ishte doktori Paul Gachet, mjeku dhe miku që ishte përpjekur ta ndihmonte të gjente paqen. Ironia e fatit deshi që Van Goghu ta kishte bërë të pavdekshëm edhe atë, duke e portretizuar në një nga kryeveprat më prekëse të historisë së pikturës, “Portreti i Doktor Gachet”, ku melankolia e mjekut duket sikur pasqyron plagën e vetë artistit.
Pranë shtratit të vdekjes ishte edhe Theo, vëllai, miku, mbështetësi dhe njeriu që besoi tek ai kur bota e shihte me shpërfillje. Pikërisht atij Vincenti i besohet t’i ketë shqiptuar fjalët që tingëllojnë si epitafi më i dhimbshëm i një shpirti të plagosur: “Trishtimi do të zgjasë përgjithmonë.” Një fjali që nuk është vetëm dëshmia e agonisë së tij, por edhe jehona e vetmisë së një njeriu që pa ngjyrat më të ndezura aty ku jeta i ofroi errësirë.
Më 30 korrik 1890, Van Goghu u varros në varrezën e Auvers-sur-Oise, pranë vendit ku ishte plagosur. Në funeral morën pjesë Theo, doktori Gachet dhe disa miq artistë. Arkivoli i tij u mbulua me luledielli, ato lule që ai i kishte shndërruar në një himn të dritës dhe të pavdekësisë, sikur vetë dielli të kishte zbritur për ta përcjellë në udhëtimin e fundit.
Por tragjedia nuk mbaroi aty. I rrënuar nga dhimbja dhe sëmundja, Theo vdiq vetëm gjashtë muaj më vonë, më 25 janar 1891. Më pas, falë përkushtimit të vejushës së tij, Johanna Bonger, eshtrat e Theos u sollën në Auvers-sur-Oise dhe u vendosën pranë të vëllait. Ishte po ajo grua e jashtëzakonshme që do t’i kushtonte jetën botimit të letrave dhe promovimit të veprës së Vincentit, duke e nxjerrë nga harresa dhe duke e ngritur në piedestalin që nuk e njohu kurrë sa ishte gjallë.
Sot, dy varret e tyre prehen krah për krah, të mbuluara nga dredhëza të gjelbra, si dy zemra që vdekja nuk mundi t’i ndajë. Aty pushon jo vetëm një piktor dhe vëllai i tij, por edhe historia e një dashurie vëllazërore të rrallë, e një dhimbjeje që u shndërrua në art dhe e një njeriu që pikturoi dritën më të ndritshme, ndërsa jetoi në errësirën më të thellë. Van Goghu nuk arriti ta shihte lavdinë e emrit të tij, por arriti diçka edhe më të madhe, të na mësonte se nganjëherë, veprat më të ndritshme lindin nga shpirtrat më të plagosur.











