Albert Vataj
Shumica e njerëzve e njohin Helenën përmes klishesë homerike si “fytyrën që vuri në lëvizje një mijë anije”, si bukuria që trazoi perënditë dhe yshtri zjarrin më të madh që dogji Trojën dhe ngjizi një nga historitë më legjendare, ku futen në pështjellim, mite dhe legjenda, perëndi e vullnete qiellore, trille dhe tradhti.
Megjithatë, ajo që shpesh injorohet është se as vetë autorët e antikitetit nuk binin dakord nëse ajo mbante ndonjë faj për tragjedinë që pasoi.
Për shekuj me radhë, Helena u shndërrua në kokun e turkut parësor të botës mesdhetare.
Sipas narrativës tradicionale, ajo braktisi bashkëshortin e saj, mbretin Menela të Spartës, për t’u arratisur me Parisin e Trojës, një akt rebelimi që shkëndijoi një luftë dhjetëvjeçare dhe la pas me mijëra të vdekur. Në letërsinë e mëvonshme, emri i saj u bë sinonim i qyteteve të shkrumbuara, mbretërive të rrënuara dhe gjakderdhjes apokaliptike. Disa autorë antikë e portretizuan atë si një grua të kotë, egoiste dhe me një joshje rrezikshmërisht të papërmbajtshme.
Por ky version i historisë nuk u pranua unanimisht.
Një nga mbrojtjet më magjepsëse dhe më të mprehta intelektuale të Helenës erdhi nga sofisti Gorgia në shekullin V p.K. Në fjalimin e tij të famshëm, “Lavdimi i Helenës” , ai ndëtoi një argumentim logjik për të vërtetuar se ajo ishte tërësisht e pafajshme. Gorgia e ndau analizën në katër skenarë të mundshëm:
Nëse e shtynë vullnetet hyjnore, ajo ishte e pafuqishme përpara zotave.
Nëse u rrëmbye me forcë të jashtme, ajo ishte thjesht një viktimë e dhunës.
Nëse u bind përmes shkathtësisë së fjalës, atëherë vetë gjuha zotëronte një pushtet hipnotizues, të aftë për të mbytur gjykimin njerëzor.
Dhe nëse ra në dashuri, kush mund t’i rezistonte forcës kozmike të Afërditës?
Në secilin prej këtyre skenarëve, Gorgia arriti në përfundimin se Helena meritonte ndjeshmëri dhe simpati, e jo dënim apo mallkim.
Më pas, miti merr një kthesë akoma më surrealiste.
Një traditë tjetër alternative pretendonte se Helena nuk shkeli kurrë në Trojë. Sipas poetit Stesikor dhe më vonë dramaturgut Euripid (në tragjedinë e tij “Helena”), Helena e vërtetë e kaloi të gjithë kohën e luftës e strehuar dhe e sigurt në Egjipt.
Gruaja që luftonte në Trojë ishte thjesht një eidolon, një fantazmë, një imazh i rremë prej reje i krijuar nga zotat për të nxitur konfliktin. Kjo nënkupton se luftëtarët grekë dhe trojanë u therën dhe u masakruan për dhjetë vjet me radhë për një iluzion, për një grua që as nuk ndodhej fizikisht aty. Ky përfaqëson një nga rastet e para dhe më të vjetra të “lajmit të rremë” (fake news) dhe propagandës në historinë e letërsisë.
Ky version e shndërroi Helenën nga një personazh negativ dhe shkatërrimtar, në një figurë thellësisht tragjike, reputacioni i së cilës u dëmtua në mënyrë të pakthyeshme nga rrethanat historike dhe politike jashtë kontrollit të saj.
Sot, më shumë se 2,500 vjet më vonë, Helena mbetet një nga figurat femërore më të debatuara të kulturës perëndimore. A ishte ajo një pjesëmarrëse e vullnetshme në fatin e saj, një viktimë e manipulimit hyjnor, një peng në lojërat gjeopolitike të kohës, apo thjesht një kanvas bosh mbi të cilin brezat e njëpasnjëshëm projektuan frikërat e tyre të lashta rreth bukurisë, dëshirës, erosit dhe pushtetit?
Pyetje këto që nuk marrin përgjigje përfundimtare, sepse njerëzimi jetoi me mitin dhe do të vijojë të jetë gjithnjë i joshur nga e pavërteta.











