Albert Vataj
Në janarin e vitit 1890, në Paris, erdhi në jetë Vincent Willem, nipi i Van Gogh-ut, djali i vëllait të tij Theo dhe Johanna Bonger-it.
Lindja e këtij fëmije, që mbante emrin e tij dhe për të cilin ai u bë kumbar, i dhuroi Vincentit një çast të rrallë lumturie. Për të shprehur këtë gëzim të thellë, piktori vendosi t’i dhurojë një pikturë të voglit.
Një mëngjes të shkurtit, në Saint-Rémy të Provençës, ndërsa ndodhej në studion e mjekut të tij, Vinceci pa nga dritarja një pemë bajameje që po lulëzonte, sfidë e butë ndaj të ftohtit të dimrit.
I mahnitur nga kjo bukuri e brishtë, vendosi që një degë e lulëzuar e kësaj peme të bëhej subjekti i dhuratës së tij.
Më 15 shkurt, i shkruante nënës:
“Fillova menjëherë një telajo për djalin e Theos, për ta varur në dhomën e tyre të gjumit, një telajo me sfond blu të kthjellët, mbi të cilën ngrihen lulet e bardha të bajames.”

Me kujdes dhe durim të jashtëzakonshëm, Van Gogh përsëriti dhe përpunoi këtë motiv, duke kërkuar të kapte atë çast të shkurtër të bukurisë së përjetshme.
“Degëza e bajames është ndoshta piktura më e mirë që kam bërë,”, shkruante ai, “ajo mbi të cilën kam punuar me më shumë durim dhe qetësi.”
Përmes kësaj dege të njomë, të mbushur me lule delikate, ai shprehte një përqafim të thellë dashurie dhe një ndjenjë të pafund mirënjohjeje për jetën e re që sapo kishte ardhur në botë.
Në asnjë tjetër vepër të tij nuk ndjehet kaq e pastër dhe e përhapur një ndjesi gëzimi.
Në atë moment, degëza e bajames nuk ishte vetëm shenjë e parë e pranverës, ishte shpresa për një stinë të re në jetën e tij, një kthesë drejt qetësisë.
Por qetësia nuk erdhi kurrë. Vetëm disa muaj më pas, Vincenti u shua.
Ndërsa Vincent Willem, nipi i tij, u rrit i rrethuar nga bukuria e veprave të xhaxhait, duke thithur frymën e dashurisë që ato bartnin.
Në vitin 1973, ai e ktheu këtë trashëgimi në një dhuratë për botën, duke themeluar Muzeun Van Gogh në Amsterdam.
Në pikturë, sfondi është një qiell i ndritshëm, i kthjellët dhe i qetë, në një tirkiz të thellë.
Ngjyrat e bardha, e gjelbra dhe bluja, shfaqen të pastra, të plota, të mbushura me jetë.
Në qendër të telajos, disa degë të një bajameje të njomë, të mbuluara me lule të bardha të pikturuara me goditje të trasha peneli, që ndriçojnë sipërfaqen e telajos dhe rrëmbejnë vështrimin e shikuesit.
Konturet e degëve përshkruhen me linja të gjelbra dhe kafe, duke pasqyruar me besnikëri nyjet dhe lakimet, në një stil të pastër e të sheshtë, të frymëzuar nga gravurat japoneze, ku perspektiva lihet mënjanë për të ruajtur elegancën e thjeshtësisë.
Në fund të dimrit, kur rrezet e para të diellit ledhatojnë dhe ngrohin tokën, bajamja lulëzon një shpërthim i butë dhe i shpejtë, që shënon fillimin e një cikli të ri jete.
Gria e ftohtë e dimrit i lëshon vendin blusë së gjallë, dhe gjithçka ndriçon, një mrekulli e natyrshme, një premtim i heshtur i ringjalljes.











