Albert Vataj
Historia rrallëherë na përball me një të kaluar që trondit jo vetëm ndërgjegjen morale, por edhe kujtesën kolektive të qytetërimit europian. Një nga këto kapituj të errët, shpesh i heshtur, është ai i “skllavërisë së bardhë”, që u ushtrua me egërsi nga piratët e Barbarisë, brigjet e Afrikës së Veriut që shtriheshin në territorin e sotëm të Algjerisë, Tunizisë, Libisë dhe Marokut. Midis shekujve XVII dhe XIX, rreth 1.25 milionë evropianë u rrëmbyen, u zhveshën nga çdo liri dhe u shitën si mall në tregjet osmane të skllevërve.
Këta njerëz nuk ishin thjesht detarë fatkeqë që përfundonin në kthetrat e piraterisë mesdhetare; mes tyre kishte gratë dhe burrat e kapur në fshatra të tëra të shkreta, rrëmbyer nga brigjet e Italisë, Spanjës, Francës, Britanisë e deri në brigjet e largëta të Irlandës dhe Islandës. Më 1627, një flotë pirate nga Algjeri, e udhëhequr nga korsari hollandez i konvertuar në islam, Murad Reis, zbarkoi në Islandë dhe rrëmbeu qindra njerëz. Disa u liruan përmes shpërblimeve të majme, të tjerë u zhdukën përgjithmonë në tregjet e skllevërve të Al-Kasabah.
Shtetet e ashtuquajtura të Barbarisë vepronin si protektorate osmane me një autonomi të theksuar, dhe pirateria e organizuar ishte pjesë e ekonomisë së tyre. Kapitenët e flotave pirate ishin shpesh renegatë evropianë të konvertuar, që njihnin gjuhën, zakonet dhe rreziqet e rajoneve që shënjestronin. Ata plaçkitnin anije tregtare, por edhe bastisnin qytete bregdetare si Vieste në Itali (1554), Baltimore në Irlandë (1631) dhe shumë të tjera.
Një nga figurat më të njohura që u përball me këtë fat ishte Miguel de Cervantes, autori i “Don Kishotit”, i cili kaloi pesë vjet i burgosur në Algjer pasi u kap nga piratët në 1575. Ai tentoi disa herë të arratisej, por vetëm më ndërhyrjen e murgjve trinitarë u lirua kundrejt një shume të madhe. Në veprën e tij letrare, ai e përshkruan me dhimbje robërinë dhe mjerimin e jetës në skllavëri.
Tregtia e skllevërve të bardhë ishte e përhapur dhe e institucionalizuar. Tregjet e Algjerit, Tripolit dhe Tunizisë ishin të mbushura me skllevër nga vendet evropiane, ku ata vlerësoheshin sipas moshës, gjinisë, bukurisë apo aftësive të tyre. Gratë e reja shpesh përfundonin në haremet e bejlerëve dhe guvernatorëve osmanë, ndërsa burrat përdoroheshin për punë të rënda, ndërtim fortifikimesh, shërbim në flotë ose si skllevër shtëpiakë.
Për një kohë të gjatë, shtetet evropiane nuk patën as fuqinë dhe as unitetin për t’i dhënë fund këtij terrori. Vetëm me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara, që pas pavarësisë së tyre nisën të përballeshin me kërkesat për tributa nga piratët e Barbarisë, lindi një kundërpërgjigje ushtarake. Kjo çoi në Luftërat e Barbarisë (1801–1815), ku ndërhyrja ushtarake amerikane dhe më pas ajo evropiane, i dha goditjen e parë serioze këtij sistemi. Në vitin 1830, Franca pushtoi Algjerinë dhe e zhduku njëherë e mirë piraterinë shtetërore dhe tregtinë e skllevërve në atë rajon.
Skllavëria e bardhë nuk mbetet vetëm një kuriozitet historik; ajo është një reflektim tronditës i relativitetit të viktimës dhe shtypësit në histori, një thirrje për të parë me sy kritik dhe të barabartë të gjitha format e padrejtësisë, pavarësisht ngjyrës së lëkurës apo kontinentit të origjinës.
Sot, kur flasim për skllavërinë, kujtimi i atyre 1.25 milionë burrave, grave dhe fëmijëve të bardhë, të rrëmbyer dhe të harruar, duhet të qëndrojë si një peng i ndërgjegjes sonë historike, për të mos e relativizuar kurrë vuajtjen dhe për të mos e heshtur të vërtetën.