Në marrëdhënie përdorim një larmi shprehjesh, që mund të mos jenë sinonime, por mbeten gërmëzimi i zëshëm i asaj fuqie që na thërret, të cilat na dalin nga thellësia jonë e qenies, si; “zemër”, “loçkë”, “shpirt”, “xhan”, “jetë”, “ëngjëll”, “margaritar”, “thesar”, “dritë”, “diell”, “rreze”, “hyjni”, “frymë”, “bukuri”, “dashuri”, etj. Ndoshta kurrë nuk mundëm të kuptonim se këto nuk ishin thjeshtë fjalë, të cilat të kishin një kuptim, por ishte skalitja e shpirtshme e zjarrit të dashurisë, që i formëzuar në fjalë të ndryshme, bëhen tregues i asaj stuhie që ndodh brenda trupave dhe ndjenjave tona.
Janë këto shprehje, ato që përcaktojnë vendin që kemi ne në njëri-tjetrin. Fjalë që për dikënd mund të mos kenë kurrfarë kuptimi, por që mbetet zëri urdhërues i ndjenjave që bën gjuha të shqiptojë, buza t’i lëmojë, veshi të ledhatohet, e ne të dorëzohemi, çmendurisht dhe pastërtisht, siç ndodh në një marrëdhënie, në atë që marrim dhe japim, për të jetuar jetës në të gjitha përmasat, në një çasti të vetëm krejt përjetësinë.
***
Kjo është mrekullia e krijimit, dhurata e vetme që na është dhënë, si për të vuajtur, ashtu edhe për t’u lumturuar. Sa jemi në fluturimin e këtij përjetimi, ne nuk e vrasim mendjen, se jo gjithmonë dhe jo gjithnjë ndodh kështu. Një stuhi e zë në fluturim këtë zog dhe e degdis në një vend të harruar. Një rrufe e godet duke e rrëzuar rrëzuar krahëthyer e zemërkrisur.
Edhe pse nuk duam ta mendojmë, sërish kjo e keqe vjen e paftuar, pikërisht kur ne nuk jemi duke pritur, dhe është pikërisht kjo që ndarjen shpesh e jetojmë si një dramë, si mbarimin e jetës, si fundit e gjithçkaje, si humbjen e çdo gjëje që na përkiste. Ndoshta është një moment dhe vetëm aq, por mund të jetë vërtetë mbarimi i hapave që bëjmë në parajsën e premtuar të dashurisë.
***
Mund, por nuk duhet, dhe nuk ka pse! Sa marrim frymë, jemi në krahët e jetës, ndoshta jo duke fluturuar, por duke tentuar të rinisim zotërimin e qiellit, në një tjetër përmasë, në një tjetër thellësi.
Duhet të përpiqni t’ia thoni vetes, se ky vërtetë nuk ishte fati im. Kaq ishte gjithçka e kësaj ëndrre të bukur. Provo të mbështesësh kokën dhe të shfletosh librin e jetës tuaj në një kapitur tjetër, me shpresën se mes fjalësh dhe rreshtash, përfytyrimesh dhe shpengimesh krijuese, do të gjeni veten, saktësisht pjesë e munguar të saj. Sepse, pavarësisht se ne e shprehim dhe e shqiptojmë rrjedhshëm, MARRËDHËNIE, nuk deshëm, nuk mundëm, ose nuk e kuptuam se gjithçka fshihet pikërisht aty, te MARRJE dhe DHENIE.
***
Kjo nevojë e jona për jetën, si një farë që pafundësia hodhi në çastin e krijimit, si dy në një, e cila si e tillë na u tha prej origjinës, përmes legjendave dhe ligjërimeve biblike, mendimit filozofik dhe gojtarisë pozitiviste, korrektësisë së shkencës dhe pagabueshmërisë së ndjenjave.
Në të vërtetë ne ndahemi nga ajo me të cilën nuk na kishte bërë bashkë njësimi i dy gjysmave. Dhe kjo dramë ndarjeje, nuk ka lidhje me atë, me të cilin jeni ndarë, por me veten tonë, e cila e pati të pamundur të bëhej pjesë e dikujt, të cilin ti pretendoje se e doje. Sepse, përgjithësisht, disa gjëra siç vijnë, ashtu edhe ikin, pa mundur do të jenë pjesë e jona. Ndoshta ne lejojmë dike të largohet, duke mos pranuar ta mbash ende të kyçur në robërinë e padëshirës, pasi nuk i’a keni dalë dot të gjenit te njëri-tjetri pjesët që ju mungonin, ato që do të bënin të ju një dhe të pandashëm. Fatmirësisht dy gjysma të huaja nuk mund të bashkohen, pavarësisht përkushtimit dhe gadishmërisë për të bërë gjithçka që kjo të përmbushet.
***
Gjithnjë është në kohë për të kuptuar se duhet t’i jepet fund ngulmimit që dy gjysma të huaja për njëra-tjetrën, të vijojnë të tentojnë për të gjetur mundësi për t’u bashkuar në krijimin e një mrekullie jete. Ata qenë fatkeqe që ishin të tilla, por kanë tendencë fatalizmi, nëse besojnë se koha do të bëjë, që ata të ndryshojnë dhe përgjysmat të mund të bëjnë një.
Të mos besosh se dy gjysmat që mund të bëjnë një të plotë, pa të cilën nuk bëjmë dot, është mospranim të dikujt tjetër si pjesë e vetes tënde. Në një farë mënyre, është mjaftueshmëri me veten, ose një gjendje e gënjeshtërt plotësie, të cilën rrekesh ta nënshtrosh me iluzione.
***
Sa herë dikush vjen në jetën tonë, nëse nuk jemi gati të shkëmbejmë gjysmat me njëri-tjetrin, për t’u përfshirë dhe përjetuar marrëdhënien, si një krijim i juaji për ju, nuk ka arsye ta përjetosh si tragjedi largimin apo ndarjen.
Ajo që duhet t’ia themi vetes është se e patëm të pamundur të ishim pjesë e njëri-tjetrit, dhe se çdo përvojë është një mundësi për ta provuar gjysmën e vetes tënde në raport me gjysmën që vjen të gjejë plotësinë e njëri-tjetrit.
Për të kuptuar më mirë këtë që po përpiqem të them, po sjell mënyrën se si zemra jonë është ndërtuar nga dy barkushe, nga dy dhomëza, harmonia e funksionimit të të cilave, përcaktojnë veprimtarinë e zemrës dhe vendosin për çdo hap që ne hedhim, për çdo veprim që ne bëjmë, sikurse për çdo përjetim ku ne përfshihemi.
***
Një dashuri, si një marrëdhënie e ndërlikuar dhe e ndjerë mes dy personave, mund të krahasohet me funksionimin harmonik të barkusheve të zemrës. Këto dy dhoma, megjithëse të veçanta në funksionin e tyre, bashkëpunojnë për të mbajtur gjallë jetën, ashtu si dy njerëz që krijojnë një unitet të veçantë brenda marrëdhënies së tyre, për të lejuar që dashuria mes tyre të jetojë me ta dhe për ta.
Barkushja e Djathtë përfaqëson anën e dashurisë që ndihmon në pastrimin e “ajrit” të marrëdhënies, duke përballuar vështirësitë dhe duke dërguar “gjakun”, energjitë dhe emocionet, për t’u rifreskuar. Kjo është pjesa e marrëdhënies që duron, pranon dhe kërkon të largojë atë që është e rëndë, për t’i hapur rrugë rigjenerimit.
Ndërsa Barkushja e Majtë është forca që shpërndan dashurinë e pastruar dhe të rigjeneruar në gjithë trupin e marrëdhënies. Kjo është pjesa që fuqizon, përmbush dhe ndan dritën e bashkimit me botën përreth, duke i dhënë energji dhe kuptim gjithë bashkimit.
***
Ashtu si barkushja e djathtë dërgon gjak të varfër në oksigjen për ta rigjallëruar, edhe në dashuri njëri partner mund të marrë ndjenjat më të ndërlikuara dhe t’i shndërrojë në diçka më të pastër, më të lehtë për t’u ndarë.
Barkushja e majtë ka mur më të fuqishëm, që simbolizon përpjekjet e përbashkëta për të përçuar dashurinë në çdo kënd të jetës, pavarësisht sfidave.
Siç punojnë të dy barkushet në harmoni për të garantuar vazhdimësinë e jetës, edhe dy persona në dashuri duhet të jenë të sinkronizuar, duke kuptuar rolin e tyre unik, por edhe nevojën e kushtëzuar dhe rreptësisht të patjetërsueshme, për të funksionuar së bashku.
***
Asnjëri nga ata që janë pjesë e një marrëdhënie nuk mund ta dinë, ose më saktë nuk janë gjendje të ndajnë nëse janë barkushja e majtë apo e djathtë. Është mënyra se si ata i qasen njëri-tjetrit, se si ata bëhen pjesë e kësaj marrëdhënia, ajo që përcakton secilin nga partnerët me detyrën e barkushes që janë. Kjo nuk arrihet me ndarjen e detyrave që ka njëri apo tjetri në një marrëdhënie, as me konsensusin që përmbushin që ata të jenë për njeri-tjetrin siç ata duan.
Ndoshta këtë e ka vendosur më parë një vullnet më i plotfuqishëm se sa çdo forcë dashurie pretendon të marrë në dorë frerët e një partneriteti. Ndoshta pikërisht për këtë, shpesh themi atë që do të jemi për njëri-tjetrin e vendos fati, ajo forcë që arrin ti bashkojë dy gjysmat e zemrës në një rrahje. Dhe këto gjysma, këto dy barkushe, këto dy dhomëza, kjo zemër nuk mund më të ndahen kurrë. Nëse këtë zemër e kemi dëgjuar të trokasë në kraharoret tona, do vazhdojë të mati me rrahje hapat që ne do të bëjmë në jetë, madje edhe atëherë kur koha apo distanca i ka hapur mes tyre një humnerë të thellë.
***
Kjo është, nëse duam ta kuptojmë dashurinë si dy gjysma që duke u bashkuar krijojnë atë që bën; që zemra jonë të rrahë më shpejt, gjaku të vërshojë më me tërbim, çdo prekje të jetë një shkundi që na vë zjarrin, në çdo pulitje buzësh të dehemi në puthje që na ngrenë në qiell, dhe shikimet, qiejt që përplasen me njëri-tjetrit, për të shndërruar këtë në një pafundësi.
Ndryshe si ta kuptojmë atë fjalën e pafajshem e shprehjen më të shkujdesur, “Të kam zemër”, mund të zgjidhte përvoja njerëzore në kuptimin dhe përjetimin e dashurisë çdo organ tjetër, secili me një funksion të jashtëzakonshëm dhe të mahnitshëm në perfeksion, duke bashkëvepruar për të bërë jetën të jetë lënda që e mbush qenien tonë.
Albert Vataj