Nga Albert Vataj
Në artin evropian të shekullit XIX, kur realizmi dhe orientalizmi përplaseshin me hijeshi në tablotë e piktorëve të mëdhenj, emri i Paja Jovanoviçit zë një vend të veçantë. I formuar në Akademinë e Vjenës dhe i udhëzuar nga estetika perëndimore, por njëkohësisht i magjepsur nga peizazhet, njerëzit dhe ritet e Lindjes, ai krijoi një univers artistik ku Ballkani nuk ishte më thjesht një periferi e ekzotikës, por një hapësirë e denjë për kujtesë dhe përjetësim. Në këtë univers, shqiptarët zënë një vend të nderuar. Tablotë e Paja Jovanoviçit me temë shqiptare janë më shumë se vepra arti, ato janë dritare të gjalla ku shfaqet një botë e ndërtuar mbi nderin, zakonin, armën dhe këngën. Ai nuk i shikoi shqiptarët si objekt folklorik të kuriozitetit oriental, por si figura të historisë, bartës të një dinjiteti që duhej ruajtur me solemnitet në pikturë. Nëpërmjet penelit të tij, shqiptari nuk ishte më anonim, por subjekt, karakter, identitet. Ky tekst synon të përshkojë gjurmët që la ky piktor në artin dhe në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve, të ndalojë mbi miqësinë me Kolë Idromenon dhe të ndriçojë përmes tablove të tij ato çaste të jetës shqiptare që sot i ruajmë si dëshmi të një kohe kur krenaria dhe eleganca kombëtare vishej përditë, jo për t’u ekspozuar, por për të qenë.

Paja Jovanoviç (16 qershor 1859-30 nëntor 1957,), një nga emrat më të shquar të pikturës realiste në Ballkan dhe Europën Qendrore, ishte një artist me origjinë serbe, i lindur në Vršac të Vojvodinës (atëherë pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze). Me një formim të gjerë akademik në Vjenë dhe një përvojë të pasur udhëtimesh nëpër territoret e Perandorisë Osmane, Jovanoviç spikati si mjeshtër i realizmit historik dhe orientalizmit europian, duke u bërë një prej përfaqësuesve më të shquar të këtij stili në hapësirën juglindore të kontinentit.

Punimet e tij të hershme përfshijnë kompozime me motive orientale, skena tregu, portrete burrash me kostume popullore, ceremoni fetare dhe jetën e përditshme të popujve ballkanikë. Ai arriti të shpalosë me mjeshtëri kontrastin mes dritës dhe hijes, gjallërinë e lëvizjes, si dhe pasurinë etnografike të rajoneve që vizitonte. Në këtë kuadër, vëmendje të veçantë i kushtoi shqiptarëve, të cilët për Jovanoviçin nuk ishin vetëm subjekt artistik, por një realitet i gjallë, krenar, me identitet të formuar dhe estetikë të veçantë vizuale.

Shqiptarët në tablotë e Jovanoviçit nuk janë thjesht figura folklorike, por bartës të një karakteri të fortë kombëtar, një shprehje e përkryer e etnosit dhe krenarisë së tyre. Personazhet që ai skaliti me penel janë portrete burrash të rreptë, me qëndrim hijerëndë dhe qëndresë në sy, gra me veshje të pasura tradicionale dhe adoleshentë që stërviten me armë si një trashëgimi jetësore. Këto janë tablo që flasin, që e ruajnë memorien e një kohe, të një kodi nderi, të një kulture që transmetohej përmes pamjes, qëndrimit dhe veshjes.

Jovanoviç u shqua gjatë periudhës së parë të krijimtarisë së tij për pikturat që pasqyronin jetën piktoreske të popujve të Ballkanit, ndër të cilat një vend të veçantë zënë ato me temë shqiptare. Pas vitit 1893 ai u orientua drejt një stili më dekorativ dhe më vonë, pas vitit 1906, iu përkushtua kryesisht portretit, duke krijuar edhe portretin zyrtar të perandorit Franz Joseph dhe anëtarëve të tjerë të familjes Habsburg.

Në udhëtimet e tij të shumta, Jovanoviç vizitoi disa herë Shqipërinë, veçanërisht qytetin e Shkodrës, atëherë një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe tregtare të rajonit. Shkodra, me pasurinë e saj etnografike, arkitekturën orientale dhe jetën urbane të ndërthurur me elementë të Malësisë, e magjepsi artistin. Ai qëndroi atje për të studiuar nga afër kostumet kombëtare, sendet e përdorimit të përditshëm, armët tradicionale dhe objektet rituale që mbushnin shtëpitë shqiptare.

Gjatë kësaj kohe, u lidh me piktorin e shquar shqiptar, Kolë Idromeno, një tjetër figurë qendrore e artit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Miqësia e tyre ishte një akt simbolik i bashkimit të dy kulturave përmes artit. Thuhet se në një prej tablove të Jovanoviçit është përfshirë një figurë malësori e realizuar nga vetë Idromenoja, me kërkesë të kolegut serb, si një gjest respekti dhe bashkëpunimi.

Jovanoviçi ka realizuar rreth tetë tablo të njohura me tematikë shqiptare, ndër të cilat spikasin:
Vallja e shpatave – një skenë dramatike e ritualit luftarak dhe solemn;
Këngë për Skënderbeun – një kompozim historik me elemente epike dhe mitologjike;
Mësimi i shpatës – një çast formimi në familjen shqiptare, ku mbijetesa mësohet herët;
Përgatitja e nuses shqiptare – një skenë intime e përgatitjes së një vajze për martesë, e mbushur me simbole të nderit dhe bukurisë;
Tregim nga Kosova – një pasqyrë rrëfimtare me referencë të qartë historike dhe kulturore;
Vajza me çifteli – një përshkrim i ndjeshëm i femrës shqiptare si bartëse e kulturës dhe muzikës popullore;
Lufta e gjelave – një metaforë e betejës dhe krenarisë që ngjall në tërësi shoqërinë shqiptare.
Burrat me veshje kombëtare që ka pikturuar Jovanoviç nuk janë thjesht figurantë në kompozime dekorative, por portrete realiste të një brezi që përfaqësonte një civilizim më vete. Me saktësi etnografike, ai përcolli çdo element të veshjes, qeleshen, xhamadanin, armët, opingat, brezaren, dhe çdo tipar të karakterit, nga serioziteti në shikim deri tek hijeshia e qëndrimit. Në thelb, këto janë kujtime të gjalla, dokumente vizuale, dëshmi të një identiteti që në artin e tij ka gjetur një formë të përjetshme.
Veprat origjinale të Jovanoviçit me temë shqiptare ruhen sot në muzetë dhe galeritë më të njohura të Europës, si në Londër, Vjenë dhe Beograd. Ato përfaqësojnë një faqe të çmuar të ndërveprimit kulturor dhe artistik mes popujve të Ballkanit, dhe një pasuri e vyer për kujtesën vizuale të shqiptarëve.
Paja Jovanoviç mbetet kështu jo vetëm një piktor i madh i kohës së vet, por edhe një kronikan i heshtur i jetës shqiptare në fund të shekullit XIX, një njeri që përmes ngjyrës, penelit dhe syrit të mprehtë, dokumentoi me dashuri dhe respekt një popull me histori, krenari dhe shpirt të pashuar.